Ndërlidhjet

Gashi: Ndërhyrja ime, vetëm për të shmangur një incident diplomatik


Kryeparlamentari Afrim Gashi. Fotografi nga arkivi.
Kryeparlamentari Afrim Gashi. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, tha se ai ka ndërhyrë në incidentin në Aeroportin e Shkupit më 1 gusht, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vetëm për të “shmangur një incident diplomatik”.

Më 1 gusht, Presidenca e Kosovës akuzoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, presidentes Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Presidenca kosovare deklaroi se për këtë incident kanë njoftuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderojmë për ndihmën e ofruar".

“Angazhimi im ka qenë dhe do të jetë që të qetësojmë, të bashkojmë, të mos përçajmë, e të bëjmë incidente”, tha Gashi.

Më 1 gusht, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se në Aeroport kishte shkuar një pjesëtar i sigurimit të Gashit, që ishte polic, "me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes".

Por, Gashi deklaroi më 2 gusht tha se nëse kushdo ka tejkaluar autorizimet, duhet të mbajë përgjegjësi.

Lidhur me këtë rast, më herët gjatë 2 gushtit reagoi edhe zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë maqedonase, Izet Mexhiti. Ai tha se incidenti i 1 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte një “keqkuptim”, mes Ministrisë së Brendshme, Aeroportit të Shkupit dhe sigurimit të presidentes kosovare.

Këshilltari politik i presidentes, Bekim Kupina, deklaroi se pavarësisht faktit që i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për t’i hapur rrugën”.

Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t'u lejohet lëvizje e lirë.

Mexhiti tha se ky “keqkuptim” mes MPB-së, TAV-it dhe sigurimit të Osmanit është tejkaluar “pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”.

Zëvendëskryeministri Mexhiti, që është kryetar i Lëvizjes Demokratike, akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim në opozitë se ka tentuar “të prodhojë një krizë artificiale”, pasi autoritetet maqedonase liruan nga paraburgimi një ish-ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishte ndaluar nga autoritetet maqedonase në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it.

“Ftoj BDI-në të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike dhe të sillet si opozitë konstruktive. Raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, dhe ato nuk mund t’i cenojë frustrimi opozitar i një partie politike dhe megafonëve të saj që bëjnë lajme të rrejshme për honorarë të majmë”, shkroi ai në Facebook.

Akuza të ngjashme në drejtim të BDI-së bëri edhe kryetari i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

VLEN është pjesë e Qeverisë të udhëhequr nga VMRO DPMNE.

“E dënoj këtë incident. Por, duhet të jemi të kujdesshëm që elementë të BDI-së të instaluar që 20 vjet në institucionet e shtetit edhe më tutje do të tentojnë të krijojnë skandale të tilla dhe raste të tilla. Kjo tregon që BDI-ja është e frikësuar për gjithë atë që mund t’i ndodhë, për rastet korruptive. Në ditët në vazhdim mund të prisni edhe inskenime të tjera”, tha ai, gjatë një prononcimi për media më 2 gusht.

Më 1 gusht, ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nga BDI-ja, kishte dënuar incidentin në Aeroportin e Shkupit dhe kishte kërkuar përgjegjësi nga partitë shqiptare në Qeveri për situatën, që ai e cilësoi “të turpshme”.

Autoritetet maqedonase kanë thënë se kanë nisur hetim për incidentin në Aeroportin e Shkupit, teksa kanë hedhur poshtë akuzat e autoriteteve kosovare.

Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG