Në margjinat e një forumi ekonomik në Vlladivostok më 4 shtator, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ia bëri të qartë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se Beogradi është partner strategjik dhe “aleat i Rusisë”.
Putin ia ktheu ngrohtësinë, duke i dërguar përshëndetje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe më pas duke e ftuar atë të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të BRICS-it në qytetin rus të Kazanit.
Kjo shfaqje sllave e solidaritetit, megjithatë, nuk i pëlqeu Bashkimit Evropian. Të nesërmen, zëdhënësi për çështje të jashtme i BE-së, Peter Stano, tha se “ruajtja apo edhe forcimi i lidhjeve me Rusinë gjatë kohës së agresionit të saj të paligjshëm kundër popullit ukrainas, nuk është në përputhje me vlerat e BE-së”.
Vizita e Vulinit në Rusi ishte ndoshta edhe më e vështirë për BE-në për t’u gëlltitur, për faktin se, kohëve të fundit, ka pasur shenja se Serbia po i afrohet bllokut.
SHIKONI EDHE: BE-ja pyet se “në emër të kujt flet Vulini”Në fund të gushtit, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Francën për t’i zëvendësuar avionët e saj të vjetruar, MiG, me ata Rafale. Dhe, në korrik, Serbia nënshkroi një marrëveshje me BE-në për të zhvilluar një projekt për nxjerrje të litiumit, që do të shfrytëzohej për të prodhuar bateri për makina elektrike.
Por, mesazhet e përziera janë një gjë e zakonshme për Serbinë nën Vuçiqin, pasi ai, gjatë 12 vjetëve në pushtet, ka bërë vazhdimisht përpjekje t’i balancojë marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin, Rusinë dhe Kinën.
E, ata që kanë shpresuar se marrëveshjet e fundit biznesore të Serbisë sinjalizojnë përafrimin e saj me Perëndimin, mund të jenë zhgënjyer.
Ivan Krastev, i cili kryeson Qendrën për Strategjitë Liberale në Sofje dhe është bashkëpunëtor i përhershëm i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja me Francën për avionët Rafale, nuk është një rast që tregon se Serbia “thjesht ka marrë anë njëherë e përgjithmonë”.
Kjo ka qenë e qartë kur Vuçiq ka folur në një konferencë për media me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 29 gusht, dhe ka thënë: “E di që Emmanuel do të donte që unë t’i vendosja sanksione Rusisë. Por, ne nuk e kemi bërë këtë dhe nuk turpërohemi për vendimin tonë”.
Në sipërfaqe, marrëveshjet e fundit për litiumin dhe për avionët mund të duken si një lloj “momenti evropian” për Serbinë, thotë për Radion Evropa e Lirë Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Por, ajo që më bën pak skeptike, është fakti se ne e dimë se përtej marrëdhënies së pastër tregtare dhe dimensionit të pastër të sigurisë, këtu ekziston edhe dimensioni i demokracisë dhe forcave proevropiane. Ku i lë kjo ato?”, pyet Tcherneva.
SHIKONI EDHE: Çka i sjellin Serbisë avionët francezë “Rafale”?Përhapja e pasurisë
Vuçiq nuk e ka prapavijën apo origjinën e një demokrati natyral perëndimor. Në fund të viteve 1990, ai shërbeu si ministër i Informacionit në regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Ai, po ashtu, ishte zyrtar i rangut të lartë në Partinë ultra-nacionaliste Radikale Serbe, ndonëse u distancua prej saj qysh në vitin 2008.
Përderisa Millosheviq është bërë i njohur si “kasapi i Ballkanit” për rolin e tij në luftërat jugosllave, në vitet 1990, Vuçiq ka qenë kryesisht bashkëpunues në skenën botërore. Ai është parë nga BE-ja dhe fuqitë perëndimore si i domosdoshëm për stabilitetin në Ballkan.
Por, një rrugë e tretë ndërkombëtare ka qenë gjithmonë e ngulitur në ADN-në e Jugosllavisë dhe Serbisë. Zyrtarët serbë ende kanë dëshirë të thonë se Serbia është “Lindja e Perëndimit” dhe “Perëndimi i Lindjes”.
Dhe, qasja balancuese e Vuçiqit ka një precedent të fortë në politikën e udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito, i cili ka qenë një prej themeluesve të Lëvizjes së të Paangazhuarve - një aleancë shtetesh që nuk kanë anuar zyrtarisht as kah Shtetet e Bashkuara, as kah Bashkimi Sovjetik.
Serbia, megjithatë, nuk është aq e fortë sa Jugosllavia dikur dhe kjo do të thotë se politika e Vuçiqit kërkon më shumë fleksibilitet dhe ndryshim të vazhdueshëm.
Vuçiq është i zoti në ndarjen e pasurisë mes partnerëve ndërkombëtarë të Serbisë, duke u siguruar që t’u japë të gjitha palëve të interesuara diçka, por duke mos i dhënë askujt gjithçka.
SHIKONI EDHE: Energjia bërthamore vë Serbinë në udhëkryq mes Kinës, Rusisë e PerëndimitNë këtë aspekt, Bashkimi Evropian është investitori më i madh në Serbi. Këtë vit, për shembull, ka ndarë 96 milionë euro për modernizimin e rrugëve dhe të hekurudhave, përveç projekteve të tjera që mbështesin kalimin e Serbisë në energjinë e gjelbër.
Rusia, megjithatë, kontrollon rafinerinë kombëtare të naftës në Serbi, ndërsa Kina, përmes Grupit të saj të Minierave Zijin, zotëron 63 për qind të RTB Bor-it - operacionit më të madh të minimit në këtë vend.
Vuçiq e ka hapur Serbinë edhe ndaj botës arabe. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë investuar miliona dollarë në zhvillimin e një projekti urban, “Beogradi në ujë”, edhe pse ai është përcjellë me akuza për korrupsion.
Duke mos dashur t’i lërë anash Shtetet e Bashkuara, Serbia, në muajin maj, bëri një marrëveshje me Jared Kushnerin, dhëndrin e ish-presidentit të SHBA-së dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump, për të rizhvilluar ndërtesën e ish-Ministrisë jugosllave të Mbrojtjes në qendër të Beogradit. Ndërtesa është shkatërruar në fushatën e bombardimeve të NATO-s - të udhëhequr nga SHBA-ja - në vitin 1999.
Marrë parasysh se zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen në nëntor, shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
SHIKONI EDHE:
Vejvoda: Në Ballkan nuk do të ketë ndryshime, kushdo që të bëhet president i SHBA-sëSi mund të ndryshojë politika e jashtme e SHBA-së nëse fiton Trump?Megjithatë, Vuçiq, në një intervistë për gazetën britanike, Financial Times, tha se marrëveshja është thjesht një “sipërmarrje biznesore”.
“Miku im [kryeministri hungarez] Viktor [Orban] është 100 për qind në anën e Trumpit. Miqtë e mi nga Brukseli janë 100 për qind në anën e [presidentit aktual të SHBA-së, Joe] Biden. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe duke i pritur rezultatet”, tha Vuçiq për Financial Times.
Vuçiq ka një qasje të ngjashme edhe ndaj Ukrainës. Ai ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, por i ka ofruar Ukrainës - përmes palëve të treta - predha me vlerë 800 milionë euro që nga viti 2022. Kjo sasi përbën një të tretën e furnizimit të përgjithshëm evropian.
Shtyj e tërhiq
Marrëdhënia e Serbisë me Rusinë, ndonëse e ndërlikuar dhe e ngarkuar me histori, ndjek qasjen e Vuçiqit: shtyj e tërhiq. Dy kombet kryesisht sllave kanë një afinitet historik dhe shpirtëror dhe Serbia mbështetet vazhdimisht nga Rusia në rrafshin diplomatik.
Pak para vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Beograd, më 19 korrik, për të nënshkruar marrëveshjen për litiumin, zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksander Grushko, ka vizituar Vuçiqin, po ashtu në Beograd.
SHIKONI EDHE:
Serbia do t’i japë leje Rio Tintos për ndërtimin e minierës së litiumit, sipas Financial TimesScholz në Beograd: Litiumi është po aq i rëndësishëm sa nafta dikurPse po protestohet në Serbi kundër litiumit?Një burim i brendshëm ka thënë se takimi ka qenë “i ftohtë”, ka shkruar Financial Times. “Grushko është ulur dhe ka filluar të lexojë një listë me 23 ankesa, përfshirë zemërimin e Kremlinit për vendimin e Beogradit për ta furnizuar Ukrainën me municione”, sipas gazetës. “Kur Grushko ka arritur në gjysmë të listës, Vuçiq është ngritur në këmbë, ka njoftuar se takimi ka përfunduar dhe është larguar”, ka shkruar gazeta.
Ai ka pasur përgjigje të ftohtë edhe ndaj ftesës për t’iu bashkuar samitit të BRICS-it në Rusi në tetor, duke thënë se Serbia do të ketë mysafirë të rëndësishëm në atë kohë dhe se ai do të vendosë më vonë.
SHIKONI EDHE: Vuçiq thotë se do të vendosë për ftesën e Putinit për pjesëmarrje në samitin e BRICS-itDuke folur në forumin Globsec në Pragë, më 31 gusht, Vuçiq ka hedhur poshtë idenë se Beogradi është një ‘kalë troje’ i Kremlinit, duke thënë se ai nuk ka pasur kontakt personal me presidentin rus, Vladimir Putin, për dy vjet e gjysmë.
Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, thotë për Radion Evropa e Lirë se Vuçiq mbështetet shumë te Rusia, por “përpiqet të ruajë edhe njëfarë lirie manovrimi dhe pavarësie”.
SHIKONI EDHE: Volker: Perëndimi forcon Vuçiqin, teksa minon të tjerët në Ballkan“Stabilitokracia”
Një kritikë që i bëhet shpesh Brukselit, është se BE-ja është e gatshme t’i vendosë interesat e saj për ruajtjen e ekuilibrit gjeopolitik dhe etnik në Ballkanin e paqëndrueshëm, përpara shqetësimeve për liritë themelore.
SHIKONI EDHE: Trump apo Harris? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë JosephDisa kritikë e quajnë këtë “qasje stabilitokratike” të BE-së.
BE-ja, fillimisht, i ka kritikuar zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat janë mbajtur në dhjetor të vitit 2023, për shkak të parregullsive të shumta, por këto shqetësime janë fshehur shpejt nën qilim, me nënshkrimin e marrëveshjeve të biznesit për litiumin dhe avionët.
“Nëse Macron arrin të shesë, ai nuk do të angazhohet shumë për çështje të tjera”, thotë Volker.
Vite me radhë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar Serbinë për rezultate të dobëta në lirinë e medias dhe sundimin e ligjit, si dhe për korrupsion të shfrenuar. Në raportin e fundit të Freedom House, Serbia është vendosur në kategorinë e vendeve “pjesërisht të lira”.
Derisa autoritetet serbe e paraqesin vendin e tyre si një fuqi ekonomike rajonale, me një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, Serbia vazhdon të përballet me pengesa të shumta.
Sipas një vlerësimi që ka bërë Administrata e Tregtisë Ndërkombëtare e SHBA-së në korrik, këto sfida përfshijnë sundimin e dobët të ligjit, ndërhyrjen politike në ekonomi, presionin politik mbi gjyqësor e të tjera.
Por, në shumë mënyra, Vuçiq ka qenë lider më i fortë se Millosheviq, i cili ka vdekur në vitin 2006 në burgun e Hagës, ku po gjykohej për krime lufte. Brenda vendit të tij, presidenti serb ka pasur sukses aty ku ka dështuar Millosheviq - për shembull, duke ushtruar kontroll mbi pjesë të Beogradit që kanë qenë bastione tradicionale të opozitës.
“Nën Vuçiqin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur [presidentin e Republikës Sërpska] Millorad Dodik dhe për të minuar Bosnje e Hercegovinën...”, thotë Volker.
Duke pasur parasysh se 70 për qind e tregtisë së Serbisë është me BE-në, shumë në BE pyeten nëse Vuçiq është vërtet i përkushtuar ndaj parimeve të bllokut, apo nëse ambicia e Serbisë për t’u anëtarësuar në të është e motivuar vetëm nga nevojat ekonomike.
SHIKONI EDHE:
Daçiq thotë se Serbia do t’i vazhdojë projektet me KinënVuçiq mohon se ka raporte të ngushta me PutininPolitika gjithëpërfshirëse
Vuçiq e drejton politikën e tij të brendshme dhe ndërkombëtare gati si një fushatë të përhershme elektorale: duke i mbajtur kundërshtarët e tij - madje edhe partnerët - në këmbë dhe të pasigurt për lëvizjet e tij të ardhshme.
Kontradiktat janë, po ashtu, të shumta. Ndërsa ka qenë Vuçiq ai që ka arritur marrëveshjen me vendet perëndimore për të nxjerrë më shumë litium, ai gjithashtu ka akuzuar shërbimet perëndimore të sigurisë për organizimin e protestave popullore kundër minierave dhe për komplotimin e një “revolucioni me ngjyra” kundër tij.
“Vuçiq ka një politikë gjithëpërfshirëse”, tha Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë, për gazetën Financial Times në muajin qershor.
“Në një moment e keni [presidentin kinez] Xi [Jinping] në vizitë. Më pas, ditë më vonë, shkon [zonja e parë e Ukrainës, Olena] Zelenska dhe [ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës] Dmytro Kuleba...”, tha Vejvoda.
Megjithatë, Vuçiq, në fund, mund të perceptohet nga partnerët ndërkombëtarë të Serbisë si i pabesueshëm.
“Të qëndrosh në gardh nuk është e lehtë”, thotë Krastev. “Në një mënyrë të caktuar, ju bëheni shumë të cenueshëm”, shton ai.
Volker, në anën tjetër, nuk mendon se Vuçiq, domosdoshmërisht, ka një pikë përfundimtare në mendje.
“Për dikë në pozicionin e tij, është si të ngasësh një biçikletë. Ai duhet të vazhdojë kështu përgjithmonë”, thotë Volker.