Ndërtimi i minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar në perëndim të Serbisë, mund të bëhet sërish shkak për protesta masive në atë vend, për shkak të bindjes së një pjese të qytetarëve dhe aktivistëve se miniera do të kishte pasoja të mëdha për mjedisin.
Litiumi është një mineral që përdoret për bateritë në telefonat celularë, kompjuterët dhe makinat elektrike.
Ditët e fundit, në të paktën dhjetë qytete të Serbisë veçse janë mbajtur protesta me mesazhin “nuk do të ketë miniera”.
Lëvizjet mjedisore në Serbi, përfshirë “Nuk e japim Jadarin” (Ne damo Jadar), kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Beograd më 10 gusht, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëron mundësinë e referendumit për këtë çështje.
Qeveria e Serbisë, pikërisht nën presionin e protestave për mbrojtjen e mjedisit, dy vjet më parë ndaloi projektin e minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar afër Lloznicës, por autoritetet serbe në fillim të vitit 2024 njoftuan se çështja ishte "në pauzë".
Kështu, më 16 korrik të këtij viti, autoritetet në Serbi e rikthyen rregulloren për krijimin e planit hapësinor për zbatimin e projektit "Jadar", i cili përfshin shfrytëzimin e mineraleve jadarite - litium dhe bor.
Jadaritet u zbuluan në vitin 2004 në perëndim të Serbisë nga kompania ndërkombëtare e minierave Rio Tinto. Ajo kompani, selia e së cilës është në Londër, tani është e interesuar për ndërtimin e një miniere litiumi në luginën e lumit Jadar, që është degë e lumit Drina.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pretendon se minierat e litiumit në Serbi do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe se miniera nëntokësore e litiumit mund të hapet në katër vjetët e ardhshëm, por me garanci nga Bashkimi Evropian (BE) që mjedisi do të ruhet.
A e kërcënon mjedisin miniera e litiumit?
Kompania Rio Tinto njoftoi se zona e luginës së lumit Jadar në perëndim të Serbisë ka një nga rezervat më të mëdha evropiane të xehes për prodhimin e litiumit dhe se projekti i tyre parasheh prodhimin e 58.000 tonelatash litium në vit, të mjaftueshme për 1.1 milion automjete elektrike ose 17 për qind të automjeteve elektrike në Evropë.
Kjo kompani siguron publikun se projekti është i sigurt.
Më 19 korrik, në Beograd u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike.
Me atë rast, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se projekti i kompanisë Rio Tinto, që parasheh nxjerrjen e litiumit, është i mirë për Serbinë.
Scholz dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shevçoviç, nënvizuan se standardet më të larta mjedisore do të respektohen gjatë minierave të litiumit, i cili është i rëndësishëm për tranzicionin e gjelbër.
Bashkimi Evropian po përpiqet të zvogëlojë varësinë e tij nga importet prej Kinës dhe Gjermania është prodhuesi më i madh i makinave elektrike në Evropë që përdorin bateri litiumi.
Scholz tha se në të ardhmen litiumi është po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë sa ka qenë deri tani nafta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, premtoi gjithashtu se do të insistojë në mbrojtjen e mjedisit dhe se uji, toka dhe ajri në luginën e Jadarit do të mbeten të pastër.
Siç tha ai, ka marrë garanci nga BE-ja se projekti “Jadar” do të realizohet sipas standardeve më të larta mjedisore.
Çfarë kontestohet?
Qytetarët serbë dhe aktivistët për mbrojtjen e mjedisit besojnë se minierat e litiumit do të jenë më shumë të dëmshme sesa të dobishme.
Ata kanë frikë se mund të ketë pasoja të mëdha për mjedisin për hir të një përfitimi të vogël ekonomik.
Ajo që kontestohet është se në projektin e minierave të litiumit është përfshirë gjigandi i minierave Rio Tinto, një kompani që po përballet me rezistencën e organizatave mjedisore dhe shkencëtarëve në mbarë botën.
Në tregun botëror, kjo kompani është përballur me disa akuza për shkatërrim të mjedisit apo shkelje të të drejtave të njeriut.
Një nga shembujt më të famshëm është rasti në Papua Guinenë e Re, kur popullsia filloi një rebelim për shkak të presionit të qeverisë për të vazhduar punën në një minierë ari dhe bakri. Rebelimi u shndërrua në një luftë civile për pavarësinë e ishullit Bougainville që u luftua nga viti 1988 deri më 1997.
Cili është qëndrimi i opozitës në Serbi?
Shumica e partive opozitare në Serbi janë kundër minierave të litiumit.
Kërkesat e tyre janë të ndryshme - ato variojnë nga thirrjet për zgjedhje të jashtëzakonshme, thirrjet për protesta dhe "rebelim të përgjithshëm", thirrja e një seance për litiumin, deri te kërkesa që Kuvendi të diskutojë nismën e popullit për ndalimin e kërkimit dhe nxjerrjes së litiumit dhe borit në territorin e gjithë vendin.
Nisma, me 38 mijë nënshkrime të qytetarëve, është dërguar në Kuvend në maj të vitit 2022, por që atëherë nuk është futur në rend dite.
Megjithatë, në seancën e Kuvendit të Serbisë - e cila me 60 pika të rendit të ditës po zgjat që nga 23 korriku - një nga temat kryesore është pikërisht litiumi.
Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së referendumit për këtë çështje deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ai vlerësoi se qytetarët nuk do të zgjidhnin “mes gërmimit dhe shëndetit” në atë deklarim, por mes “shqetësimit të rremë dhe progresit dhe prosperitetit ekonomik”.
Vuçiq tha se fillimisht pret një analizë të ekspertëve vendas në lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe akuzoi opozitën për një "fushatë negative" dhe "përhapje të gënjeshtrave" rreth litiumit.
Cilat vende kanë ende litium?
Litiumi, i cili quhet edhe ari i bardhë, mund të gjendet kryesisht në trekëndëshin e litiumit që përbëhet nga Bolivia, Argjentina dhe Kili.
Lider botëror në prodhimin e litiumit në vitin 2023 ishte Australia, që pasohej nga Kili dhe Kina, sipas Statista-s, një kompani e specializuar për të dhënat e tregut dhe konsumatorit.
Në SHBA - e cila me rreth 9 milionë tonë zë vendin e katërt në botë për sa i përket burimeve të litiumit - ekziston një minierë për shfrytëzimin e tij.
Sipas të dhënave nga Demostat-i me qendër në Beograd - një qendër joqeveritare kërkimore dhe botuese - Bashkimi Evropian është një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të litiumit, por ai nuk e prodhon atë, por e importon atë, kryesisht nga Kina.
Për ta reduktuar këtë varësi nga Kina, të paktën kur bëhet fjalë për lëndën e parë kryesore për prodhimin e baterive, Evropa duhet të shfrytëzojë edhe depozitat e veta të litiumit, të cilat gjenden në disa vende të kontinentit të vjetër.
Sipas Demostat-it, kandidatë janë Gjermania, Çekia, Franca, Portugalia, por edhe BE-ja po mbështet te Serbia.
Ndër vendet e rajonit, depozitat e litiumit janë ende duke u kërkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë në zonën e Loparit dhe Zvornikut. Sipas vlerësimeve të kompanisë zvicerane të minierave Arcore AG, aty mund të ruhen rreth 2.4 milionë tonë karbonat litiumi.