Policia e Shqipërisë ka zbuluar disa serra që shfrytëzoheshin për kultivim të lëndës narkotike kanabis në fshatin Rërëz të bashkisë Dimal në Berat të Shqipërisë.
Pas një muaji hetimesh, policia ndërhyri duke sekuestruar 870 kilogramë kanabis dhe arrestoi 11 persona, mes të cilëve pronarin e tokës, ku ishin ngritur serrat dhe kultivohej lënda narkotike.
Të punësuara në këto serra ishin 95 gra, kryesisht nga zonat periferike të Tiranës.
Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në Shqipëri, Neritan Nallbati bëri publike detaje të këtij operacioni.
Ai tha se u sekuestruan 700 arka dhe 8 thasë me kanabis të përpunuar dhe gati për t’u transportuar dhe trafikuar, me peshë totale 870 kilogram kanabis. Po ashtu u sekuestruan mjetet që përdoreshin për ambalazhimin e drogës, por edhe armë zjarri, 2 pistoleta dhe një automatik kallashnikov dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Prokurorja e prokurorisë së Beratit, Albiona Papajani bëri të ditur se 95 gratë e punësuara qëndronin në kushte tepër të vështira në këto serra dhe nën presion nga organizatorët e trafikimit të drogës.
“Kushtet në të cilat këto gra kanë jetuar, kanë qenë degraduese për to. Shumica e tyre kanë fjetur dhe qëndruar atje në serra për ditë të tëra. Disa me vullnet për shkak të pagesës që përfitonin, disa të tjera kur kanë dashur të largohen nuk janë lejuar", tha prokurorja Papajani.
Pasi janë marrë në pyetje, gratë janë liruar përveç dy prej tyre, ndaj të cilave është marrë masa e arrestit, pasi me 9 personat e tjerë të arrestuar (burra) dyshohen si organizatorë të këtij grupi që kultivonte drogë.
Operacioni i koduar “Stuhia” u ekzekutua më 10 nëntor dhe për realizimin e tij u angazhuan efektivë të policisë së shtetit të mbështetura edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.