Të mbijetuar të aksidentit rrugor në Kroaci arritën të martën mbrëma në Kosovë.
Avioni që u nis nga Osijeku, ateroi në Prishtinë pak pas orës 22:00.
Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se 21 të mbijetuar arritën në Kosovë.
Ata u pritën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa u shoqëruan më pas nga familjarët e tyre.
Nuk është ende e qartë se kur pritet arritja në Kosovë e të mbijetuarve të tjerë.
Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën të dielën, kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë.
Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thanë se viktimat do të sillen në Kosovë përmes transportit rrugor dhe pritet të arrijnë në Kosovë në orët e hershme të ditës së mërkurë.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se transporti i viktimave të këtij aksidenti do të bëhet përmes Malit të Zi dhe jo Serbisë, pasi kjo e fundit nuk po e njeh dokumentacionin për këtë rast. Një kompani private do të bëjë transportimin e dhjetë kufomave nga Kroacia në Kosovë.
Vitia: 15 të lënduar po vazhdojnë trajtimin në Kroaci
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media tha se 15 të lënduar vazhdojnë trajtimin në spitalin e Sllavonski Brodit, ndërsa dy prej tyre - njëri në gjendje të rëndë - janë në njësi të kujdesit intensiv.
Nga të liruarit nga spitali, katër prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani, tha Vitia, ndërsa një pasagjere e lënduar është transferuar në një spital të Zagrebit.
SHIKONI EDHE: Vozitjet e gjata që çojnë në vdekjeShoferi dërgohet në burg
Ndërkaq, shoferit të autobusit që u aksidentua më 25 korrik në Kroaci, të martën iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, thanë autoritetet kroate.
Masa e paraburgimit u shqiptua nën arsyetimin se ka rrezik që shoferi, 52-vjeçar, shtetas i Kosovës, mund të arratiset.
Gjykatësi i rastit, Mille Solldo tha për mediat se Kroacia dhe Kosova kanë marrëveshje bashkëpunimi për çështje penale, por kjo marrëveshje nuk parasheh ekstradimin e shtetasve kosovar dhe kjo është arsyeja pse është caktuar masa e paraburgimit.
“Procedurat do të zhvillohen në Kroaci. Por, sipas marrëveshjes midis Kosovës dhe Kroacisë, ekziston mundësia ligjore që procedura të zhvillohet edhe në Kosovë. Por, për këtë duhet pajtimi i të dyja shteteve. Mbrojtja mund ta kërkojë këtë, por propozimi për këtë çështje duhet të vijë nga shteti”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Katër tragjeditë nga aksidentet me autobusëGjykatësi Solldo shtoi se gjatë ditës po ashtu pritet që të merren në pyetje disa dëshmitarë.
Ndërkaq, zëvendësprokurori i Shtetit për qarkun Sllavonski Brod, Franjo Kopuniq tha se shoferi tani do të dërgohet në burg.
“Ai është deklaruar sot vetëm rreth paraburgimit dhe nuk dha asnjë dëshmi”, tha për gazetarët Kopuniq.
I pyetur se pse shoferi në deklaratën paraprake ka thënë se ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar automjetin dhe pastaj u mbrojt në heshtje gjatë marrjes në pyetje, Kopuniq tha se ky konstatim erdhi nga mënyra në të cilën u krye, nga gjurmët e gomave dhe të gjitha rrethanat e tjera.
Kopuniq konfirmoi se do të kërkohet një ekspertizë e detajuar e autobusit.
Shoferi do të mbrohet nga dy avokatë: Igor Cishper dhe Lubo Pavasoviq Viskoviq.
"Në asnjë moment ai nuk më tha se e ka zënë gjumi”, u tha Cishper gazetarëve.
Shoferi gjatë së hënës, para autoriteteve kroate u mbrojt në heshtje.
Your browser doesn’t support HTML5
Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.
Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.
Për pasojë, autobusi më pas është rrokullisur.
Të hënën, në Kosovë ishte ditë zie për të nderuar viktimat e aksidentit në Kroaci.