Për aksidentin që la dhjetë persona të vdekur dhe dhjetëra të lënduar në Kroaci, u arrestua shoferi i kompanisë kosovare ‘Deva Tours’, i cili tha para policisë kroate, se për një moment e kishte zënë gjumi.
Kishte më pak se një orë që kur ai kishte marrë timonin, për të zëvendësuar kolegun e tij, tashmë të ndjerë, Naser Sylmetaj.
Ishte ora 06:00, kur autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, që ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga rruga në Sllovenski Brod të Kroacisë.
Sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, një prej arsyeve aksidentit, mund të jetë edhe lodhja e shoferëve.
Dedaj tha për Radion Evropa e Lirë se shoferi i autobusit në rrugë të gjata, duhet t’i ketë dhjetë orë pushim para se të fillojë turnin e dytë të vozitjes.
“Rregullat janë shumë të qarta dhe nuk ndryshojnë as në Bashkimin Evropian, për shkak se ato janë të përkufizuara me Konventën e Vjenës, edhe te ne e kemi të përkufizuar me Ligjin e sigurisë që drejtuesi i automjetit nuk mund ta drejtojë automjetin mbi 800 kilometra dhe mbi pesë orë pa ndërprerë”, tha Dedaj.
Dedaj tha se taugrafi digjital, që e kanë të gjithë autobusët që udhëtojnë nëpër vendet e Bashkimit Evropian, mund të tregojë orën e saktë të vozitjes së shoferëve.
Sipas tij, duhet të shikohen edhe shkaktarët e tjerë të mundshëm të këtij aksidenti.
“Pista që duhet të hetohet është edhe elementi i faktorit rrugë, për shkak të elementeve rrugore, pastaj është edhe faktori automjet, pasi duhet të shikohen karakteristikat teknike të automjetit”, tha Dedaj.
Orarin e shoferëve në distanca të gjata e rregullon Ligji për transportin rrugor. Sipas këtij ligji, kohëzgjatja e ngasjes ditore nuk duhet ta tejkalojë nëntorëshin.
Ajo mund të zgjatet në maksimalisht dhjetë orë, por jo më shumë se dy herë gjatë javës.
“Pas ngasjes prej katër orë e gjysmë, ngasësi merr një pauzë të pandërprerë prej së paku 45 minutash, përveç nëse shfrytëzon pushim”, thuhet në këtë ligj.
Nga kompania ‘Deva Tours’ nuk kanë dashur të komentojnë fare lidhur me rastin që ka ndodhur.
Shoferët vozitin pa pushim
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me një shofer, i cili për 18 vjet ka vozitur autobusë nga Kosova për në shtete të ndryshme të Evropës.
Duke dashur të mbetet anonim, ai tha për Radion Evropa e Lirë se për kohën sa ka punuar në destinacione të largëta, shumë herë ka vozitur pa pushim.
“Një pjesë të kohës kur kam punuar, kemi qenë vetëm dy shoferë. Rruga është shumë e mundimshme dhe çfarë e bën edhe më të mundimshme janë pritjet nëpër kufij. Kur pret deri në pesë ose gjashtë orë në një pikë kufitare, atëherë vetvetiu aty e merr atë lodhjen e tepërt”, tha ky shofer.
Sipas tij, ngarkesa më e madhe e shoferëve në këto rrugë, është gjatë sezonit të verës.
“Ky fluksi i mërgimtarëve, në muajt korrik dhe gusht, këta dy muaj janë të stërngarkuar, kështu që edhe shoferët e bëjnë rrugën pa pushim. E kam bërë edhe unë pa pushim. Kemi ardhur në Kosovë, ndoshta kemi fjetur një natë dhe të nesërmen herët jemi nisur prapë për rrugë”, tha ky shofer.
Psikologu Yll Avdiaj, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ata që ngasin automjetet, duhet t’i thirrin mendjes dhe të jenë të kujdesshëm.
“Mospushimi ose mungesa e gjumit, apo lodhja e tepërt, normalisht që ndikon në psikikën e njeriut dhe më këtë gjë e bënë joaktiv dhe e bën të pamundur që ai të kryejë punën e tij, gjë që mund të rezultojë kështu edhe siç ndodhi në këtë aksident”, tha Avdiaj.
Flet djali i shoferit të vdekur
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me djalin e shoferit të autobusit ‘Deva Tours’, i cili ka vdekur në aksidentin në Kroaci.
Adhurim Sylmetaj, djali i Naser Sylmetajt, nga fshati Gërçinë në afërsi të Gjakovës, ka thënë se babai i tij kishte rreth tetë muaj që kishte filluar punën në këtë kompani.
Herën e fundit kur kishte folur me të atin, autobusi ishte duke kaluar kufirin ndërmjet Gjermanisë dhe Austrisë.
“Janë nisur para tre-katër ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë”, tha Sylmetaj.
Nga data 1 korrik deri të dielën më 25 korrik, nga stacioni i autobusëve në Prishtinë, janë realizuar 1 mijë e 357 nisje ndërkombëtare.
Facebook Forum