Rreth 200 afganë janë duke qëndruar në kampin Liya brenda kampit ushtarak amerikan Bondsteel, që gjendet në afërsi të qytetit të Ferizajt në Kosovë.
Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë të personave, të cilët janë duke kaluar nëpër procese shtesë të verifikimit, para se t’iu mundësohet zhvendosja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto informacione i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një burim i Qeverisë amerikane, që ka dijeni për situatën.
Sipas tij, afganët që janë të strehuar në Kosovë, para se të udhëtojnë drejt SHBA-së, duhet të kalojnë disa procedura, si verifikimet e sigurisë, dhe t’i plotësojnë disa kritere shëndetësore, përfshirë imunizimin.
“Deri më sot, afro 400 individë që u strehuan në Kampin Liya për procedura shtesë, kanë vazhduar për në Shtetet e Bashkuara”, tha ky burim.
Mbi 1,300 shtetas afganë kanë gjetur strehim në Kosovë qysh në muajin gusht, kur militantët talibanë kanë marrë pushtetin në Afganistan.
Strehimi në Kosovë është i përkohshëm, derisa ata të kalojnë procesin e verifikimit për riatdhesim në vendet e treta.
Një numër i konsiderueshëm i tyre tashmë e kanë lëshuar Kosovën dhe shumica janë vendosur në SHBA.
SHIKONI EDHE: Prapa dyerve të mbyllura, refugjatët afganë në Kosovë presin vizatAfganët e vendosur në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s, gjatë pranisë së tyre në Afganistan, nga viti 2001 deri më 2021.
Por, disa prej tyre përballen me rrezikun që të mos u lejohet udhëtimi drejt SHBA-së, për shkak të shqetësimeve për të kaluarën e tyre.
Mbi 110 afganë largohen nga Kosova Mbi 110 afganë largohen nga KosovaMegjithëse nuk ofrohet ndonjë shifër e saktë e personave që janë duke kaluar në verifikime shtesë, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë tha për REL-in se SHBA-ja është e përkushtuar t’i kompletojë brenda një viti verifikimet shtesë për këta qytetarë.
“Ne jemi të përkushtuar që t’i përfundojmë të gjitha përpjekjet e shqyrtimit dhe verifikimit dhe - nëse kërkohet – [edhe] zhvendosjen e afganëve individualë, që aktualisht po u nënshtrohen procedurave shtesë në Kosovë brenda kornizës kohore 365-ditore, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur bujarisht”, thuhet në përgjigjën e njërit prej zëdhënësve të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
“Për ata individë që nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara, ne do të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për t’i identifikuar vendet që do t'i pranojnë këta afganë”, shtoi ai.
Zëdhënësi nuk dha detaje se cilat mund të jenë ato vende.
SHIKONI EDHE: Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampeAsnjë afgan i interesuar të qëndrojë në Kosovë
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës thonë se, bazuar në marrëveshjen e saj me SHBA-në dhe NATO-n, çdo afgan që është në Kosovë mund të qëndrojë vetëm një vit.
“Deri më tani, asnjëri nga qytetarët afganë nuk ka aplikuar për qëndrim në Kosovë”, tha MPB-ja në një deklaratë të shkruar për Radion Evropa e Lirë.
Duke cituar burime brenda administratës amerikane, gazeta amerikane The Wall Street Journal raportoi javën e kaluar se “më pak se dhjetë afganë kanë dështuar t’i kalojnë verifikimet shtesë”, duke e pasur të pamundur zhvendosjen në SHBA.
Po sipas këtij mediumi, në kampin Bondsteel rreth 90 persona të tjerë janë duke kaluar nëpër procedura të njëjta të verifikimit.
SHIKONI EDHE: WSJ: Disa afganëve të strehuar në Kosovë mund t'iu ndalohet hyrja në SHBASirrs: Të përshpejtohet verifikimi
Njëri nga afganët që po kalon nëpër procese shtesë të verifikimit, ka asistuar në vitet ‘90 ish-analisten për Lindjen e Mesme, Julia Sirrs, derisa ajo punonte për Agjencinë amerikane të Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) në Afganistan.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sirrs nuk komenton sa i takon personit në fjalë, por thotë se administrata amerikane duhet të përshpejtojë procesin e verifikimit të afganëve, të evakuuar vitin e kaluar.
“Unë e kuptoj që administrata e [presidentit Joe] Biden po merret me një numër të madh individësh, për të cilët duhet proceduar, dhe se Departamentit të Shtetit iu lejua të kishte mungesë të madhe të stafit gjatë administratës së mëparshme. Unë besoj se zyrtarët aktualë të Departamentit po punojnë për përmirësimin e kësaj situate dhe përfshirja e personelit shtesë duhet të ndihmojë në përshpejtimin e përpjekjeve të verifikimit dhe zhvendosjes [së afganëve]”, thotë Sirrs për Radion Evropa e Lirë.
Pas marrjes së pushtetit nga talibanët, nga Afganistani u larguan rreth 135 mijë afganë.
Ata janë vendosur përkohësisht në disa vende të treta derisa t’iu përfundojnë procedurat ligjore për shpërngulje të përhershme në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të Perëndimit.