Disa afganëve, të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se të njëjtit nuk kanë kaluar procesin e verifikimit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Departamentit amerikan i Shtetit (DASH).
“Përderisa shumicës së udhëtarëve afganë në kuadër të grupit OAW [Operacioni për mirëpritjen e aleatëve] u është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara përmes procesit tonë të verifikimit, përfshirë edhe shumicën e afganëve në Kosovë, një numër i vogël i individëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin, shërben si shembull se sistemi po punon siç duhet. Departamenti, në fund të fundit, e vlerëson me prioritet më të lartë sigurinë e popullit amerikan”, tha zyrtari i DASH-it.
Ky zyrtar nuk deshi të flasë për raste individuale apo për refuzime të reja të hyrjes në SHBA, por shtoi se për aq kohë sa sistemi i verifikimit vazhdon të funksionojë “do të ketë individë të tjerë të cilët përfundimisht nuk do të jenë në gjendje të zhvendosen në SHBA”.
SHIKONI EDHE: Prapa dyerve të mbyllura, refugjatët afganë në Kosovë presin vizatDuke folur lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me afganët të cilëve u është refuzuar hyrja në SHBA, zyrtari i DASH-it tha për Radion Evropa e Lirë se “ne presim që afganët në kampin Liya në Bondsteel, ose do të kalojnë procesin e verifikimit që do t’iu mundësojë udhëtimin për në SHBA brenda periudhës 365-ditore, ose do të zhvendosen në ndonjë shtet të tretë”. Ai po ashtu tha se Uashingtoni do të ndihmojë në kthimin e afganëve në Afganistan, nëse ata zgjedhin diçka të tillë.
Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, SHBA-ja nisi përpjekjet për largimin e afganëve të cilët kishin punuar për Uashingtonin dhe shtetet aleate, pasi ata dhe familjet e tyre ishin të rrezikuar nga rikthimi i talibanëve në pushtet.
Kosova ishte zotuar të pranojë deri 2,000 shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.
Më shumë se 1,300 afganë janë strehuar në Kosovë që nga gushti 2021, kur është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe SHBA-së për strehimin e tyre deri në 365 ditë.
SHIKONI EDHE: Verifikimi i së kaluarës mund t’ua zgjasë afganëve qëndrimin në KosovëAfganët e vendosur në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s, gjatë pranisë së tyre në Afganistan, nga viti 2001 deri më 2021.
Ata ishin vendosur në kampin amerikan Bondsteel dhe në një dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka. Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra.
Sipas zyrtarit të DASH-it, deri më tani afër 600 afganë janë larguar nga kampi ushtarak amerikan, Bondsteel, që gjendet në Ferizaj.
SHIKONI EDHE: Largohet grupi i parë i afganëve nga KosovaZyrtari i DASH-it po ashtu tha se SHBA-ja do të punojë me individët të cilëve u është ndaluar hyrja në SHBA për të gjetur alternativa për strehimin e tyre.
“Këtu përfshihet identifikimi i shteteve që janë të gatshme të pranojnë afganët për t’u zhvendosur, ose, kur afganët dëshirojnë që vullnetarisht të kthehen në Afganistan, të ndihmohen në këto situata. Megjithatë, SHBA-ja nuk do të ndërmjetësojë kthimin e asnjë shtetasi afgan në Afganistan, përpos nëse ata duan të kthehen vetë”, tha zyrtari i DASH-it.
Your browser doesn’t support HTML5
Gazeta amerikane The Wall Street Journal, raportoi më 24 maj se të paktën 22 afganë ende janë duke kaluar procesin e verifikimit, prej të cilëve, 16 janë njoftuar se aplikacionet e tyre për hyrje në SHBA u janë refuzuar.
Sipas kësaj gazete, shkak i refuzimit është bërë zbulimi i disa informacioneve diskualifikuese që u gjetën për afganët e strehuar në Kosovë. Ndonëse kjo gazetë nuk tregoi saktësisht se për çfarë informacionesh bëhet fjalë, u raportua se, sipas deklaratave të mëhershme të zyrtarëve amerikanë, informacione të tilla mund të përfshijnë lidhjet në të kaluarën me talibanët apo grupet e tjera që nga Uashingtoni cilësohen si grupe terroriste apo për shkak të kaluarës kriminale në Afganistan.
Ndërkaq, sa i përket mundësisë së zhvendosjes së afganëve në një shtet të tretë, një zyrtar amerikan i tha WSJ-së se "diçka që mund të jetë shqetësuese për SHBA-në mund të mos jetë për ndonjë shtet tjetër”.
Marrëveshja midis Kosovës dhe SHBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve ka hyrë në fuqi më 25 gusht të vitit 2021. Në të thuhet se “SHBA-ja pajtohet të zhvendosë individët e identifikuar në një lokacion tjetër brenda 365 ditëve prej kur individët kanë arritur në Republikën e Kosovës”.
“Kjo marrëveshje mund të ndryshohet përmes një marrëveshjeje të përbashkët të palëve”, thuhet në të, në të cilën shtohet se kjo marrëveshje mbetet në fuqi për dy vjet ose deri në momentin që palët vendosin që ta shfuqizojnë të njëjtën.
SHIKONI EDHE: E ardhme e paqartë për afganët në KosovëAutoritetet në Kosovë ende nuk kanë komentuar nëse janë në bisedime me Qeverinë amerikane për çështjen e afganëve të strehuar në Kosovë, të cilëve u është ndaluar hyrja në SHBA.
Në mars të këtij viti, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për gazetarët se asnjë afgan, i cili mund të mos e kalojë procesin e verifikimit, nuk do të mbetet në Kosovë.