Djemtë që janë regjistruar në shkollat fetare, të udhëhequra prej talibanëve, kanë thënë se abuzimet fizike dhe seksuale, i kanë shtyrë që t’iu japin fund synimeve për edukim në Afganistan.
Këta të rinj, të moshave prej 10 deri në 17 vjeç, kanë folur në kushte anonimiteti - për shkak të frikës për hakmarrje – kur kanë treguar shumë raste kur ata dhe bashkëmoshatarë të tyre janë detyruar të përfshihen në akte seksuale me mësuesit, dhe u janë nënshtruar ndëshkimeve trupore.
Rastet është thënë se kanë ndodhur në perëndim dhe jugperëndim të Afganistanit, në medresetë e udhëhequra prej talibanëve, një rrjet shkollash fetare, të cilat grupi ekstremist i ka zgjeruar në kuadër të përpjekjeve për të nxitur edukimin fetar, në përputhje me pikëpamjet e tyre të ashpra për Islamin.
Një 16-vjeçar, banor i provincës Farah, ka treguar se si i është afruar një mësues në medresenë që ai shkon.
”Një ditë në shkollë, një pjesëtar taliban më ka bërë një kërkesë të papërshtatshme, mirëpo nuk e kam pranuar”, ka thënë djali për Radion Azadi, duke përdorur gjuhë eksplicite për të përshkruar abuzimin seksual, një tabu kulturore në Afganistan.
”Kur është kryer mësimi, ai më ka ngacmuar sërish”.
Djali ka thënë se e ka raportuar incidentin te i ashtuquajturi ”qari” një person që e di përmendsh Kuranin dhe shërben si autoritet fetar në shkollë.
”I kam thënë qarit se mësuesi më ka bërë gjëra të këqija, dhe qari i ka thënë që të mos veprojë ashtu sepse ai është mësues”, ka thënë djali.
”Mësuesi e ka pranuar çfarë ka bërë, mirëpo nuk ka pasur efekt. Ai ka vazhduar të bëjë gjëra të këqija dhe u është afruar seksualisht shumë nxënësve në shkollë”.
Një tjetër nxënës në jugperëndim të Afganistanit, një 17-vjeçar në klasën e 10-të, e ka bërë një rrëfim të ngjashëm për gjashtë muajt sa ka qenë në medresenë e udhëhequr prej talibanëve.
”Një pjesëtar taliban që na mësonte në shkollë ka propozuar që të ketë lidhje me mua dhe më ka thënë disa gjëra që unë nuk i pranoj”, ka thënë djali.
Pasi është refuzuar, mësuesi më ka kërcënuar, ka thënë djali, duke shtuar se edhe djemtë tjerë janë përballur me trajtim të ngjashëm.
”Ai i ka ngacmuar edhe disa djem tjerë në klasë, dhe njëri prej tyre e ka lënë shkollën”, ka thënë ai.
”Vetë djali më ka thënë që unë të mos shkoj më në shkollë, sepse mësuesi i njëjtë e ka ngacmuar”.
Ky djalë i ri ka thënë se përvoja e ka ”dëmtuar” dhe ia ka ulur besimin të njerëzit.
”Nuk mund t’i tregoj familjes sime”, ka thënë ai.
Talibanët janë kritikuar ashpër për kufizimet e rënda që kanë prezantuar në përditshmërinë e afganëve, prej ardhjes në pushtet, në gusht të vitit 2021.
Teksa udhëheqin përmes një interpretimi të ashpër të Islamit, talibanët i kanë rikthyer shumë rregulla drakonike, të cilat i kanë zbatuar edhe kur kanë qenë për herë të parë në pushtet, në periudhën 1996-2001.
Ndalesa për edukim të vajzave pas klasës së gjashtë dhe zhdukja e rolit të grave në shoqëri, janë disa prej masave të ashpra që zbatojnë talibanët.
SHIKONI EDHE: Pas mbylljes së shkollave, vajzat afgane u kthehen medreseveMirëpo hapa tjerë – përfshirë ndalesën në muzikë dhe vepra arti, si dhe presioni ndaj nxënësve dhe mësuesve – kanë ndikuar në të gjitha drejtimet dhe te të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie.
Prej kur talibanët janë kthyer në pushtet, shumë edukatorë kanë ikur prej shtetit, derisa mësueset janë mbyllur në shtëpi, për shkak të ndalesave në lëvizjen e grave në ambiente publike.
Gjatë gjithë kohës, talibanët kanë punuar për t’i zëvendësuar shkollat shtetërore sekulare me sistemin e medreseve.
Sistemi lejon edhe pjesëmarrjen e vajzave në to, përfshirë ato që janë në moshë për universitet, mirëpo kritikët kanë thënë se këto shkolla shpesh promovojnë ekstremizëm.
Sipas një raporti të përgatitur prej Kombeve të Bashkuara për shtetin e Afganistanit, në shkurt të këtij viti, talibanët i kanë krijuar 6.836 medrese për burrat dhe 380 për gratë, dhe pritet që të finalizohet një kurrikulë fetare për vitin e ri shkollor, që nis këtë mars.
Rekrutimi i mësuesve për medrese është duke u zhvilluar me ritëm të shpejtë, sipas raportit, pas miratimit të një dekreti prej liderit shpirtëror të talibanëve Mullah Haibatullah Akhundzada, që të punësohen 100.000 mësues për medrese.
Në dhjetor të vitit të kaluar, organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW) e ka bërë një vlerësim thumbues për gjendjen e arsimit në përgjithësi, duke thënë se përveç pengesave në edukim të vajzave dhe grave, talibanët kanë shkaktuar dëm të madh edhe në edukim të djemve.
”Shumë djem kanë marrë mësime në të kaluarën prej grave mësuese; talibanët ua kanë ndaluar grave që t’i mësojnë djemtë, duke i lënë gratë pa punë dhe duke i lënë djemtë pa një zëvendësim të duhur, ose edhe tërësisht pa një ligjërues”, ka thënë HRW.
”Prindërit dhe nxënësit kanë thënë se ndëshkimi trupor, që ka qenë problem për një kohë të gjatë në shkollat afgane, është problem gjithnjë e në rritje. Kurrikula në shumë shkolla duket se është duke u ndryshuar, duke i larguar disa lëndë të rëndësishme, dhe duke shtuar materiale që promovojnë diskriminimin”.
SHIKONI EDHE: OKB: Regjimi taliban për gratë afgane, më represivi në botëOrganizata ka thënë se këto kushte ”i kanë shtyrë shumë djem që të braktisin shkollën” dhe i kanë lënë shumë djem me probleme si ankthi dhe depresioni.
Pak pas rikthimit të talibanëve në pushtet, Kombet e Bashkuara kanë raportuar për situatën e rëndë të fëmijëve në Afganistan, duke përfshirë ekspozimin ndaj dhunës seksuale dhe rritjes së rrezikut të nxënësve për të lënë shkollën.
Garantimi i një mbrojtjeje për fëmijët është bërë çdo herë e më i vështirë, sipas Kombeve të Bashkuara, duke marrë shkas refuzimin e talibanëve për t’i konsideruar si fëmijë personat nën 18-vjeç, siç është standardi ndërkombëtar.
Talibanët e konsiderojnë moshën e pubertetit si fazë të maturisë dhe rritjes së një individi.
Nxënësit më të rinj në medresetë në perëndim dhe jugperëndim të Afganistanit, që janë nën ose në moshën e pubertetit, kanë thënë se nuk janë kursyer prej abuzimeve fizike apo ngacmimeve seksuale prej mësuesve.
Një burrë i ri, që ka folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se së fundi e ka mësuar që vëllai i tij më i vogël ka qenë subjekt i abuzimit seksual në një medrese në perëndim të Afganistanit.
Ai ka thënë se vëllai i është ngacmuar nga mësuesi, i cili ”i ka kërkuar të kryejnë marrëdhënie seksuale, ia ka lidhur duart dhe e ka puthur”.
Si rezultat, vëllai nuk i ka shkuar më kurrë në shkollë.
Frika prej ngacmimeve seksuale dhe abuzimeve fizike janë cituar si faktorë të shpeshtë që detyrojnë djemtë të braktisin shkollimin.
”Disa mësues ngacmojnë nxënësit dhe bëjnë kërkesa të pamoralshme”, ka thënë një djalë 14-vjeçar, që gjithashtu e ka përmendur ndëshkimin trupor si masë të zbatuar në medrese.
”Ata na godasin në fytyrë ose na i rrahin duart dhe këmbët, me arsyetimin që të mësojmë më mirë”.
Ai ka thënë se shumë nxënës janë duke mësuar shumë, nga frika se mos dërgohen në dhoma të ndara për t’u ndëshkuar, ndërsa disa tjerë edhe e braktisin tërësisht shkollën.
Një tjetër nxënës, 10-vjeçar, ka thënë se mësuesi i tij e ka ndarë atë dhe disa djem tjerë prej pjesës tjetër të nxënësve për ta goditur në fytyrë.
Për pasojë, ai ka thënë se nuk ka shkuar më në shkollë sepse është frikësuar.
Kur kanë dëgjuar për incidentet, ai ka thënë se edhe prindërit nuk i kanë lejuar më djemtë që të shkojnë në shkollë.
Talibanët nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar këto supozime për abuzime në medresetë që ata i kanë themeluar.
Një grua aktiviste, e cila ka kërkuar të mos i publikohet emri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se familjet nuk kanë ku të ankohen për abuzimet që u janë bërë fëmijëve të tyre, sepse edhe ato më pas mund të kërcënohen.
Kjo aktiviste ka thënë se i është bërë me dije se ka ngacmime seksuale ndaj vajzave dhe djemve nëpër medrese, dhe që në kurrikulë përfshihet edhe ”një rritje e nivelit të ekstremizmit në këtë shtet”.
Ulja e rrezikut të këtyre kërcënimeve, sipas saj, kërkon një mbikëqyrje më të madhe prej autoriteteve talibane, si dhe zvogëlim të numrit të medreseve.
Najib Amini, aktivist i shoqërisë civile në perëndim të Afganistanit, ka thënë se tani familjet kanë detyrë që të ndërgjegjësohen.
”Fëmijët janë subjekte të abuzimeve seksuale në medresetë e krijuara prej regjimit taliban”, ka thënë Amini.
”Familjet kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Nëse nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të abuzohen në shkolla, nëse dëshirojnë që fëmijët e tyre të kenë edukim bazik... atëherë ata nuk duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre në medresetë që kontrollohen prej talibanëve”.