Ish-pronari i klubit të futbollit anglez Chelsea, miliarderi rus Roman Abramovich, e humbi të mërkurën sfidën ligjore kundër sanksioneve që Bashkimi Evropian (BE) i kishte vendosur ndaj tij pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i urdhëroi trupat ruse ta nisnin pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, BE-ja i sanksionoi zyrtarët rusë, përfshirë dhe një numër biznesmenësh rusë, ndër ta edhe Abramovichin.
Abramovich kishte bërë ankesë ligjore kundër sanksioneve ndaj tij.
SHIKONI EDHE: Britania vë sanksione për 7 oligarkë të tjerë rusë, përfshirë Abramovichin e DeripaskanPor, Gjykata e BE-së në Bruksel e hodhi poshtë ankesën dhe pretendimet e tij për kompensim, duke theksuar rolin e tij në kompaninë ruse të çelikut, Evraz, dhe faktin se çeliku ishte burim i madh i të ardhurave për qeverinë ruse.
“Gjykata e Përgjithshme e hedh poshtë ankesën e ngritur nga Abramovich, duke e mbajtur në këtë mënyrë në fuqi masën kufizuese ndaj tij”, thuhet në vendim të gjykatës.
Kur e sanksionoi Abramovichin, BE-ja pati thënë se ai “kishte qasje të privilegjuar” ndaj Putinit dhe se “mbante lidhje shumë të mira me të”.
Abramovich, i cili mban nënshtetësi edhe të Izraelit, u bë njëri prej biznesmenëve më të fuqishëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991. Forbes vlerëson se ai ka pasuri në vlerë 9.2 miliardë dollarë.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja akuzon Abramovichin për shkelje të sanksioneveAbramovich ka thënë në një komunikatë për media se ndihet i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.
Ai është ndëshkuar edhe në Britani të Madhe dhe asetet e tij janë ngrirë si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Abramovichi i shiti Chelsean pasi u sanksionua nga Qeveria britanike. Klubin e Premierligës e bleu Todd Boehly për një shumë rekorde prej 2.5 miliardë funtesh.
Shitja e tij shënoi fundin e një epoke 19-vjeçare të Abramovichit të mbushur me trofe në klubin nga Londra.