Abdolkarim Hosseinzadeh bëhet anëtari i parë sunit në kabinetin qeveritar të Iranit

Abdolkarim Hosseinzadeh.

Presidenti iranian pro-reformave, Masud Pezeshkian, e ka emëruar ligjvënësin, Abdolkarim Hosseinzadeh, si zëvendësin e tij për zhvillim rural dhe zonat e paprivilegjuara.

Emërimi i tij, i konfirmuar në orët e vona të 26 gushtit, e bën Hosseinzadehun anëtarin e parë ndonjëherë me përkatësi sunite në kabinet qeveritar në Iran, prej ardhjes në pushtet të Republikës Islamike më 1979.

Në dekretin e tij, Pezeshkian ka thënë se e ka zgjedhur Hosseinzadehun për atë pozitë, për shkak të “përkushtimit dhe përvojave të vlefshme”.

Pezeshkian ka thënë se Hosseinzadeh do të merret me përmirësim të kushteve të jetesës në fshatra dhe do t’i krijojë kushtet për zhvillim rural.

Hosseinzadeh, 44-vjeçar, i ka përfaqësuar qytetet veriperëndimore, Naqadeh dhe Oshnavieh në Parlament, prej vitit 2012.

Myslimanët sunitë përbëjnë rreth 5-10 për qind të popullsisë në Iranin me shumicë shiite, sipas të dhënave qeveritare.

Ata kanë mbajtur rrallë ndonjë pozitë publike prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

SHIKONI EDHE: Presidenti i ri i Iranit, i gatshëm për “dialog konstruktiv” me Evropën

Pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 5 korrikut, Pezeshkian ka thënë se synon të formojë një Qeveri të “unitetit kombëtar”.

Kabineti i tij përbëhet kryesisht prej personave të rinj në moshë, çka shihet si përpjekje për të përfaqësuar diversitetin etnik dhe fetar të Iranit.

Megjithatë, Pezeshkian është kritikuar ashpër muajin e kaluar, pasi në listën e ministrave nuk e ka përfshirë asnjë anëtar të grupeve minoritare, përfshirë myslimanët sunitë.

Të 19 ministrat e nominuar janë miratuar prej Parlamentit të dominuar prej konservatorëve javën e kaluar, diçka që nuk ka ndodhur prej vitit 2001.

Para votëbesimit të kabinetit të tij, Pezeshkian u ka thënë ligjvënësve se ai i ka përzgjedhur anëtarët e kabinetit në “koordinim” me liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Kjo deklaratë i ka bërë shumë të deklarojnë se presidenti ka fuqi të kufizuara në Iran dhe që emrat janë përzgjedhur prej liderit suprem.

Në kabinetin e Pezeshkianit përfshihen tri gra, përfshirë ministren për Rrugët, Farzaneh Sadeq, e cila është vetëm gruaja e dytë në historinë e Republikës Islamike që është emëruar ministre.

Dy gratë tjera janë: Zahra Behruz-Azar, zëvendëse e Pezeshkianit për fushën e grave dhe çështjeve familjare dhe Shina Ansari, zëvendëse e presidentit dhe udhëheqëse e Departamentit për Ambient.