Ndërlidhjet

Presidenti i ri i Iranit, i gatshëm për “dialog konstruktiv” me Evropën


Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i zgjedhur i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se dëshiron të përmirësojë raportet me shtetet evropiane, edhe pse ai i akuzoi këto shtete se po refuzojnë të angazhohen në zbutjen e ndikimit të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Më 6 korrik, Pezekishan mposhti në rundin e balotazhit ultrakonservatorin, Saeed Jalili.

Pezekishan ka bërë thirrje për “raporte konstruktive” me shtetet perëndimore që “ta nxjerrin Iranin nga izolimi”. Ai po ashtu është në favor të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore që u arrit më 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione, ndërkaq Irani gradualisht shkeli marrëveshjen. Marrëveshja synonte uljen e aktivitetit bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të vendosura ndaj Republikës Islamike. Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Në një shkrim të publikuar të premten mbrëma në Teheran Times, Pezeshkian tha se pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, shtetet evropiane u zotuan se do ta ringjallnin marrëveshjen dhe do të ndihmonin në zbutjen e ndikimit të sanksioneve amerikane.

“Shtetet evropiane kanë refuzuar këto zotime”, shkroi ai.

“Pavarësisht këtyre gabimeve, unë mirëpres angazhimin në një dialog konstruktiv me shtetet evropiane që raportet tona të vendosen në rrugën e duhur, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë dhe të trajtimit të barabartë”.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, më herët ka uruar Pezeshkianin për fitore në zgjedhje, duke shtuar se blloku prej 27 anëtarësh “është i gatshëm të angazhohet me Qeverinë e re në linjë me politikën e BE-së për angazhim kritik”.

Zgjedhjet në Iran u mbajtën pasi presidenti ultrakonservator, Ebrahim Raisi, vdiq gjatë rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonte.

Pezeshkian në Iran konsiderohet “reformist”. Por, në këtë shtet, fjalën e fundit për politikat kryesore e ka lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG