A po shtohen kriteret për liberalizimin e vizave?

Një protestë në Prishtinë për liberalizimin e vizave. Fotografi nga arkivi.

Kosova po largohet edhe më shumë nga procesi i liberalizimit të vizave, pas hezitimit të disa shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës lidhur me këtë çështje, e të cilat po thirren në mungesë të luftës kundër korrupsionit në nivel të lartë, tha për Radion Evropa e Lirë, Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.

“Problemi kryesor qëndron në plotësimin e kritereve, që formalisht janë plotësuar. Por, me gjasë shtetet e caktuara kanë informacione më të sakta dhe më të thukëta për plotësimin e këtyre kritereve. Përtej kësaj, mendoj se kjo ka edhe pak konotacion politik dhe me gjasë po shikohet që të ndërlidhet edhe me proceset tjera të integrimit dhe dialogut me Serbinë”, vlerëson Lushaku- Sadriu.

Bislimi: Përveç Francës, Holandës edhe Belgjika ka dyshime për liberalizimin

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën, nuk pengohet shumë nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, por nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pasi sipas tij, ato nuk janë të kënaqura me luftën që ka bërë Kosova kundër krimit dhe korrupsionit.

“Problem pak më të madh duket se ka Ministria e Punëve të Brendshme e Francës dhe ministri i Punëve të Brendshme [i Kosovës], Xhelal Sveçla, i ka nisur kontaktet me MPB-në në Francë për të dëshmuar që ka seriozitet në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Bislimi.

“Një nga vendet që është thënë se ka vërejtje, është edhe Holanda. Po ashtu, MPJ e Kosovës është në kontakt me ta, që t’i bindë se Kosova i ka realizuar obligimet e marra. Jozyrtarisht është thënë se brenga të tilla ka edhe Belgjika, ndonëse kryeministri i Belgjikës zyrtarisht ka deklaruar se do ta përkrahë Kosovën në liberalizimin e vizave”, ka shtuar ai.

SHIKONI EDHE: Pandemia shtrenjton vizat

Lushaku-Sadriu: Ky proces është duke hyrë në fazë kritike

Për aq kohë sa shtyhet dhe prolongohet procesi i liberalizimit dhe nuk vihet në agjendën e Këshillit të ministrave, ky proces po hynë në fazë kritike të shtyrjes për një kohë të pacaktuar, tha Lushaku-Sadriu. Ajo shtoi se Kosova duhet të angazhohet që ky proces të mos ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Kjo është një nga karotat që Bashkimi Evropian edhe mund të përdorë politikisht për të kushtëzuar Kosovën në faza të tjera”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Melodia e vjetër e BE-së për Ballkanin

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga blloku evropian.

Në Këshillin e Bashkimit Evropian kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në një letër dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për të uruar për detyrën, ka thënë se do të avokohet për një vendim pozitiv të BE-së rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

Qytetarët, skeptikë në realizimin e procesit të liberalizimit të vizave

Qytetarë të anketuar në Prishtinë, shprehen skeptikë rreth mundësisë së liberalizimit të vizave. Naser Pllana, ekonomist me profesion, përmend disa nga arsyet, që sipas tij, kanë penguar këtë proces. Disa nga arsyet që ai përmend janë situata politike me Serbinë dhe mospërmbushja e kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian, siç është lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kosova nuk e ka plotësuar plotësisht atë kriter, si element kryesor për ne. Atëherë, kur plotësohet ky kriter, nuk na duhen shumë vizat sepse do ta kemi Kosovën më mirë se gjithkund”, thekson ai.

Por, Altin Azizi absolvent në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, konsideron se pa përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, që realizohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do ketë liberalizim të vizave.

“Mandej ka të bëjë edhe me pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën. Dhe normalisht që çdo shtet në BE duhet të kalojë në kuvend procesin e liberalizimit të vizave për një shtet të ri”, shprehet ai.

SHIKONI EDHE: Premtimet e vonuara të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor

Blerina Selimin, studente në një kolegj privat, shprehet skeptike për pritjet që së shpejti qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen. Ajo thotë se angazhim për këtë çështje nuk po vëren as nga Qeveria e re e Kosovës.

“Që shumë vite është përmendur se ky proces po realizohet dhe nuk ka ndodhur. Kështu që nuk shpresoj më. Mosliberalizimi ka ndihmuar shumë te të rinjtë, të cilët kanë pasur dëshirë që të studiojnë në shtetet e BE-së”, tha ajo.

seancën plenare të Parlamentit Evropian, që është mbajtur në mars, janë miratuar raportet për katër shtete të Ballkanit Perëndimor. Raporti për Kosovën në pjesën më të madhe flet për problemet me të cilat përballet Kosova, nga nevoja për një reformë të sistemit zgjedhor, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave, sfidat në ruajtjen e mjedisit, nevojën për depolitizimin e administratës publike dhe reformën e gjyqësorit.

Nga Kosova po ashtu kërkohet që të bëjë më shumë edhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu bëhet ftesë për një angazhim më të madh të autoriteteve të Kosovës edhe në komunikim me shoqërinë civile. Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia, kërkohet përkushtim dhe qasje konstruktive edhe në dialog.