Ndërlidhjet

Premtimet e vonuara të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor


Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi, ka thënë të premten se Bashkimi Evropian do të dëshironte të shihte më shumë dinamikë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga blloku evropian në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata në Forumin e Tretë Ekonomik, që është mbajtur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ky forum është organizuar përmes video-lidhjes , për shkak të krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Ai ka thënë se, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, është thelbësore që të shfrytëzohet mundësia aktuale për të bërë përparim në dialog.

"Ky proces duhet të vazhdojë sapo të formohen institucionet në Kosovë," ka deklaruar ai.

Sipas Varhelyit, BE-ja pret bashkëpunimin me Qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, të cilat i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

"Shpresojmë të shohim një stabilitet më të madh politik në periudhën e ardhshme, në mënyrë që Kosova të përshpejtojë procesin e reformës, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio-ekonomik," ka thënë mes tjerash ai.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Varhelyi ka thënë se beson që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për heqje të vizave.

"Sidoqoftë, jo të gjitha vendet anëtare janë të bindura për këtë. Prandaj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të kontaktojnë ato vende për ta rregulluar këtë gjë".

Në nivel të Ballkanit Perëndimor, Varhely ka thënë në një panel të quajtur "Premtime të Vonuara" se Bashkimi Evropian është zotuar se gjithë ky rajon do të jetë pjesë e bllokut evropian dhe se po punohet për ta përmbushur këtë gjë.

Pjesë e panelit kanë qenë edhe zyrtarë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina.

"Reformat shpesh kanë qenë të ngadalshme, kjo është arsyeja pse disa vende të BE-së kanë vënë në dyshim thelbin e të gjithë procesit, dhe për këtë arsye nuk kanë rënë dakord ta shpejtojnë atë. Nga ana tjetër, shumë shpesh Bashkimi Evropian nuk ka arritur të japë përgjigje unanime pozitive kur partnerët tanë të kenë sukses, të zbatojnë reformat e premtuara", ka deklaruar ai.

“Sigurimi i vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur"

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, ka thënë se prioritet aktual i Brukselit është që të sigurojë vaksina për rajonin e Ballkanit Perëndimor sa më shpejt që është e mundur.

"Ne po shqyrtojmë të gjitha opsionet e ndihmës. Po përdorim 70 milionë euro ndihmë, një masë që kemi miratuar në dhjetor për këto qëllime. Rajoni do të marrë një sasi të madhe të vaksinave përmes iniciativës COVAX, në të cilën BE është një nga më të mëdhatë, ndërkohë ne mbështesim rajonin për t'u përgatitur për procesin e vaksinimit, ka deklaruar ai.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Doza humori për vaksinat
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG