Trupat ukrainase, të pakësuara në numër ushtarësh e armësh dhe të dërrmuara, janë buzë kolapsit përballë një ushtrie ruse, e cila është e gatshme të sjellë më shumë ushtarë dhe armatim në fushëbetejë për ta thyer mbrojtjen e Kievit.
Shto këtu edhe trupat koreanoveriore: më shumë se 11.000 ushtarë janë dërguar në Rusi, gjë që përbën rrezik shumë të madh për vijat e frontit të Ukrainës, pasi gjasat janë që ushtria ruse të depërtojë në një lokacion, apo të shkaktojë një mal humbjesh.
Pas vlerësimeve se humbjet e Rusisë në këtë luftë kanë kaluar shifrën prej 600.000, dhe këmbëngulësisë së Kremlinit për ta shmangur një thirrje tjetër të padëshirueshme në ushtri, sjellja e trupave koreanoveriore mund të jetë tamam gjëja për të cilën Moska ka nevojë, pra, mes tjerash, t’i japë fund turpërimit që e pësoi kur Ukraina fitoi territor rus në rajonin e Kurskit.
SHIKONI EDHE: Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë UkrainaZyrtar i Qeverisë ukrainase, Andriy Kovalenko, tha se forcat ukrainase janë përleshur tashmë me njësitet koreanoveriore në rajonin e Kurskit. Por, ai nuk dha hollësi se kur ndodhen ato luftime.
“Shtimi i [trupave koreanoveriore] në këtë përzierje kaotike në zonat sikurse Kursi, do ta shtojë trysninë ndaj operacioneve [të Ukrainës]”, tha Dara Massicot, eksperte për ushtrinë ruse në Carnegie Endowment for the International Peace.
Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut dhe më pas autoritetet amerikane thanë se 3.000 trupa koreanoveriore kishin mbërritur në bazat stërvitore ruse në fillim të tetorit, dhe deri në 12.000 ushtarë – afërsisht sa katër brigada – mund të dërgohen përfundimisht në konfliktin në Ukrainë.
Një diplomat i lartë ukrainas tha se zhvendosja e tyre po udhëhiqet nga tre gjeneralë dhe rreth 500 oficerë.
Megjithatë, ende ka dyshime rreth aftësive luftarake të koreanoveriorëve dhe se çfarë ndikimi do të ketë prania e tyre në fushën e betejës.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditëshUshtria e Koresë së Veriut "ka pajisje të dobëta, i mungojnë burimet e nevojshme për stërvitje, është e kequshqyer dhe shpesh përdoret për punë fizike në projekte ndërtimi dhe për të mbledhur të korrat e vjeshtës", tha Terence Roehrig, ekspert në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së në Rhode Island.
“Shumica e koreanoveriorëve mbase nuk flasin rusisht dhe ende nuk kanë përvojë të vërtetë në fushëbetejë”, tha Benjamin Young, i cili bën kërkime në lidhje me Korenë e Veriut në Rand Corporation.
“Ata, gjithashtu, po veprojnë brenda një sistemi ushtarak rus që është shumë i korruptuar dhe pa disiplinë. Koreanoveriorët nuk do të përshtaten me mungesën e disiplinës dhe rregullit mes rekrutëve rusë”, shtoi ai.
Të gjunjëzuara, por [ende] të pathyeshme
Në vijat e frontit, linjat ukrainase janë duke u zmbrapsur përballë ofensivave ruse. Pasi e tronditën Moskën duke e pushtuar dhe duke kapur pjesë të rajonit të Kurskit, njësitet ukrainase po zmbrapsen tani, dhe e kanë humbur gati gjysmën e territorit të përgjithshëm që e kishin marrë nën kontroll fillimisht.
Më tej në juglindje, qyteti Kupiansk, në rajonin Harkiv të Ukrainës, përballet me kërcënime serioze, pasi forcat ruse e kanë thyer në dysh mbrojtjen ukrainase në Lumin Oskil. Forcat ruse janë duke carë përpara edhe në qendër të qytetit rrafshnaltë, Çasiv Jar, pasi e kaluan kanalin Siverski Donets-Donbas në gusht.
SHIKONI EDHE: Ukrainës po i shtohet trysnia në fushëbetejë e përtejMë thellë në jug, trupat ruse janë rrugës drejt Pokrovskit, një qendër e madhe logjistike për forcat ukrainase në Donbas, pasi e morën nën kontroll qytezën Vuhledar muajin e kaluar dhe po ecin me hapa të ngadaltë drejt një autostrade të madhe.
Vështirësitë e Ukrainës kohëve të fundit burojnë nga furnizimi i ngadalshëm me armë vendimtare perëndimore, si për shembull, tanket Abrama M-1 dhe raketat precize ATACMS. Po aq vendimtar ka qenë edhe paaftësia e Kievit për t’i rritur përpjekjet për stërvitje dhe shtim të ushtarëve të rinj, për t’i rifreskuar njësitet e dërrmuara në vijat e para.
Në anën tjetër, Rusia – me gjithë humbjet e mëdha – i ka dalë t’i furnizojë vijat e frontit me vullnetarë të joshuar nga pagat shumë të larta dhe benefitet.
Inteligjenca e Koresë së Jugut raporton se Rusia do të paguajë rreth 2.000 dollarë në muaj për një ushtar, megjithëse shumica e pagës me gjasë do t’i shkojë Qeverisë së Koresë së Veriut.
“Ky është një përkushtim i madh nga Koreja e Veriut dhe përshkallëzim serioz në luftë”, tha Roehring, duke shtuar se “megjithatë, këta ushtarë nuk do të jenë vendimtarë në fushëbetejë”.
SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut do ta mbështesë Rusinë derisa të triumfojë në Ukrainë, thotë ministrja e Jashtme“Duke e marrë parasysh shkallën e viktimave ditore, ushtria ruse do t’i harxhojë trupat koreanoveriore brenda 1-2 javëve”, beson ai.
Shqetësim më i madh për Ukrainën është, megjithatë, pohimi i inteligjencës së Koresë së Jugut se në mesin e trupave ka edhe ushtarë nga forcat speciale të Korpusit XI të Koresë së Veriut, i cili njihet si Korpusi Stuhia.
“Këto njësite elitare besohet se janë të stërvitura mirë dhe të pajisur më mirë, gjë që do t’i bënte ato forcë më të frikshme se shumë elemente të tjera të ushtrisë koreanoveriore”, tha Roehrig.
Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës tha se trupat koreanoveriore janë quajtur “Buryatët specialë” – një referencë për një minoritet etnik nga pjesa aziatike e Rusisë – dhe janë pajisur me mortaja, pushkë snajperë, raketa antitanke, dylbi nate dhe pajisje të tjera.
Raportet e inteligjencës treguan se trupat koreanoveriore janë të afta fizikisht, por kanë nevojë të trajnohen për taktikat më të fundit, tha deputeti koreanojugor, Park Sun-won, më 23 tetor.
"Instruktorët rusë besojnë se ushtarët koreanoveriorë janë të aftë fizikisht dhe mendërisht, por u mungon të kuptuarit e luftës moderne, si për shembull, sulmet me dronë”, tha Park, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.
Disa vëzhgues thanë se koreanoveriorët mund të mos urdhërohen të marrin pjesë në luftime, por të veprojnë në role mbështetëse.
“Logjistika ruse është shumë e keqe, prandaj personeli shtesë mund ta ndihmojë. Role mbështetëse në luftime, si operacionet me dronë, janë të mundshme. Forcat speciale koreanoveriore mund t’i trajnojnë forcat speciale ruse dhe zëvendësuesit e tyre”, thanë Mark Cancian dhe Chris Park, ekspertë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
SHIKONI EDHE: Ukraina e pret me nervozizëm presidencën e Trumpit“Në cilëndo rol, përdorimi i koreanoveriorëve do të lironte personelin rus nga shërbimi në vijën e frontit”, sipas tyre.
“Ka ndikim”
Edhe sikur të ketë dyshime mbi cilësitë e luftimit të trupave koreanoveriore, sasia e madhe do të përbëjë sfidë.
“Të themi se Ukraina i ka 25.000 trupa në Kursk. Nëse i vendosni atje 10.000 trupa koreanoveriore, plus 30-40.000 trupat ruse, atëherë, po, ka ndikim”, tha një oficer rezervë i ushtrisë ukrainase, i cili përdor nofkën ushtarake, Tatarigami.
“Mund t’i përdorin ata për t’i dërrmuar trupat tona”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë e kanë kërcënuar Korenë e Veriut pothuajse drejtpërdrejt.
“Mos gaboni: Nëse trupat koreanoveriore përfshihen në luftime, apo i mbështesin operacionet ushtarake kundër Ukrainës, atëherë do të bëhen shënjestër e ligjshme ushtarake”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, javën e kaluar gjatë një konferencë të përbashkët në Uashington me zyrtarë të lartë koreanojugorë.
SHIKONI EDHE: Trupat koreanoveriore mund të jenë "shënjestër" në luftën e Rusisë kundër UkrainësKjo ka ndodhur tashmë, tha Kovalenko për Current Time.
“Koreanoveriorët po u bashkohen dalëngadalë njësiteve ruse”, tha ai më 6 nëntor.
“Ata po stërviten se si t’i përdorin dronët. Oficerët koreanoveriorë po mësojnë se si të ndërveprojnë me ushtrinë në kushtet e luftës moderne, si dhe thjesht me realitetet e luftës moderne”, shtoi ai.
Jonas Ohman, filmbërës suedez, i cili udhëheq OJQ-në Blue/Yellow me bazë në Lituani, e cila punon ngushtë me njësitet ukrainase të vijës së frontit, tha se kontaktet e tij raportuan për përleshje rreth datës 25 tetor në rajonin e Kurskut, ku kishte një numër viktimash koreanoveriore.
Ai e shpërndau një fotografi nga një video e një droni ukrainas, e cila shfaqi një ushtar të vdekur me një flamur koreanoverior në helmetën e tij.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përdori praninë e trupave koreanoveriore për ta shfryer zemërimin për kufizimet ndaj Ukrainës kundër përdorimit të armëve perëndimore për sulme thellë brenda Rusisë.
“Ne e shohim një rritje në forcat koreanoveriore, por, fatkeqësisht, ne nuk po e shohim një rritje në përgjigjen nga partnerët tanë”, tha ai.