Ndërlidhjet

Ukraina e pret me nervozizëm presidencën e Trumpit


Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, shtator 2024.
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, shtator 2024.

Gjatë presidencës së parë, Donald Trump kishte marrëdhënie të trazuara me Ukrainën dhe me presidentin e saj, Volodymyr Zelensky, në veçanti.

Marrja në pyetje e Trumpit për herë të parë u shkaktua nga një telefonatë në korrik të vitit 2019, gjatë së cilës Trump duket se kushtëzoi ndihmën ushtarake për Ukrainën me një hetim penal të djalit të Joe Bidenit, atëkohë nënpresident, dhe të vetë Bidenit, që do të shtyhej përpara nga Zelensky.

Pesë vjet më vonë, Trump po kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe dyshimet e tij për Ukrainën dhe mbrojtjen e saj kundër pushtimit të gjithanshëm rus, mund të shndërrohen në politikë formale të presidencës së tij.

Në takimin me Zelenskyn në Nju Jork, dy muaj para zgjedhjeve të 5 nëntorit, Trump e përshkroi përballjen e tij me procesin e shkarkimit si një “mashtrim nga demokratët”.

Më problematike për mbrojtjen e Ukrainës ishte këmbëngulja e tij se do t’i jepte fund luftës - tani në muajin e 33-të të saj - “shumë shpejt”.

Kjo, sipas Trumpit, do të ndodhte pjesërisht për faktin se ai ka “marrëdhënie të mirë” me udhëheqësin rus, Vladimir Putin.

“Unë mendoj se nëse i fitojmë [zgjedhjet], do ta zgjidhim shumë shpejt”, tha Trump.

Putin, ndërkohë, nuk tregoi ndonjë interes të vërtetë për t’iu dhënë fund luftimeve me ndonjë gjë tjetër, përveç me kushtet maksimaliste të Rusisë, për të cilat disa ukrainas frikësohen se janë kapitullim apo edhe nënshtrim.

Gjatë fushatës, Trump edhe u tall me Zelenskyn, duke e cilësuar atë si “shitësin më të madh” dhe duke i kritikuar furnizimet e konsiderueshme të armëve dhe pajisjeve ushtarake të SHBA-së - me vlerë 56 miliardë dollarë deri më sot - për ta ndihmuar Kievin kundër pushtimit rus.

“Sa herë që vjen në vendin tonë, ai largohet me 60 miliardë dollarë”, tha Trump në korrik.

Nga ana e tij, Zelensky, i cili gëzon mbështetje të konsiderueshme dypartiake në Kongres, u përpoq të ndërtonte ura me udhëheqësin republikan dhe e uroi shpejt atë për fitoren e tij.

“Unë e vlerësoj angazhimin e presidentit Trump ndaj qasjes ‘paqe përmes forcës’ në çështjet globale. Ky është pikërisht parimi që mund ta sjellë paqen në Ukrainë më afër”, shkroi Zelensky në X.

Pra, Kievi ka arsye për të qenë nervoz.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG