Ndërlidhjet

Zelensky uron Trumpin, shpreson se ai do të sjellë “paqe të drejtë” në Ukrainë


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe republikani Donald Trump, në nju Jork të SHBA-së, më 27 shtator 2024.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe republikani Donald Trump, në nju Jork të SHBA-së, më 27 shtator 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përgëzuar republikanin Donald Trump për fitoren e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, duke thënë se qasja e Trumpit në çështjet globale mund ta sjellë më afër një “paqe të drejtë” në Ukrainë.

Zelensky, në një mesazh të publikuar menjëherë pas shpalljes së fitores nga Trump - që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht - e quajti atë fitore “mbresëlënëse” dhe tha se mezi priste të niste një periudhë të re të një “SHBA-je të fortë nën udhëheqjen vendimtare të presidentit Trump”.

Ky mesazh shihet si përpjekje për të ndihmuar në krijimin e lidhjeve të reja me administratën e ardhshme në Uashington, ndërsa Ukraina mbetet e pasigurt mbi ndikimin që mund ta ketë një presidencë e Trumpit për luftën në Ukrainë.

Më herët, Trumpi kishte thënë se do të përfundonte luftën thjesht duke folur me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.

Gjatë debatit, Trump kritikoi shpenzimin e miliarda dollarëve për mbrojtjen e Ukrainës, duke thënë se Kievi “nuk do ta fitojë luftën.”

Ai gjithashtu deklaroi se kushtet e Putinit për bisedime paqeje ishin “të papranueshme” dhe shprehu bindjen se Putini nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën nëse ai, Trump, do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2017, Trump i dha dritën e gjelbër SHBA-së për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse për Ukrainën.

Në mandatin e presidentit demokrat Joe Biden, Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar dhjetëra miliarda dollarë për ndihmë ushtarake dhe financiare, që nga nisja e pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022.

Trump ka kritikuar nivelin e mbështetjes amerikane, dhe gjithashtu ka hezituar të shprehë mbështetje të qartë për fitoren e Ukrainës në luftë, duke premtuar se do të përpiqet të mbyllë konfliktin para se të marrë detyrën në janar, pa dhënë detaje se si do ta realizonte këtë.

“E vlerësoj angazhimin e presidentit Trump për qasjen 'paqja përmes forcës' në çështjet globale", shkroi Zelensky në deklaratën e tij.

“Ky është pikërisht principi që mund të sjellë një paqe të drejtë për Ukrainën. Kam shpresë se do ta realizojmë atë së bashku”, shtoi ai.

Yaroslav Zheleznyak, një deputet nga partia Holos, tha se periudha deri kur Trump të marrë detyrën në janar mund të jetë e rëndësishme.

"Ka një mundësi për Biden dhe demokratët të ndërmarrin hapa të guximshëm që nuk i kanë marrë më parë," shkroi ai në Telegram.

Ai shtoi se pritshmëritë për presidencën e Trumpit do të varen nga emërimet e tij.

Ndërkohë, përderisa rezultatet e zgjedhjeve filluan të vijnë të mërkurën në mëngjes, banorët e Kievit thanë se ishin të etur të dëgjonin se si Trump mund ta ndalonte luftën.

“Mendoj se të gjithë po presim për vetëm një gjë — thjesht për ta ndaluar luftën dhe ashtu siç premtoi Trump, ta ndalojë luftën në vetëm një ditë, ne të gjithë po presim për këtë”, tha Oleksii Iarokha, 41 vjeç.

“Po presim këtë lëvizje të drejtpërdrejtë: ndaloni luftën në vetëm një ditë. Mund të jetë sot, nesër, mund të presim deri të premten. Ju jeni president, ju lutem bëjeni, zoti Trump”.

Trumpi - që kishte udhëhequr administratën amerikane si president nga viti 2017 deri më 2021 - i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG