Tri ditë pas nisjes së pushtimit më të madh të një shteti tjetër evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, presidenti rus Vladimir Putin çuditi botën me një njoftim.
Ai urdhëroi forcat bërthamore të Rusisë për "gatishmëri të veçantë".
Në rast se dikush nuk do të merrte mesazhin e parë, Dmitry Kisleyov, një prezantues bombastik në televizionin shtetëror, përsëriti disa orë më vonë: "Tani e gjithë treshja bërthamore e Rusisë është vënë në gatishmëri speciale. Putini e ka paralajmëruar [botën]. Mos u përpiqni ta frikësoni Rusinë”.
Zyrtarët perëndimorë ia vunë veshin, megjithëse privatisht ata thanë se ishin më pak të shqetësuar me fjalët sesa me veprimet.
Deri në javën e katërt pas pushtimit, zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishte asnjë indikacion që kishte ndryshuar ndonjë gjë për armët bërthamore të Rusisë.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg: Lufta në Ukrainë, “kriza më e madhe e sigurisë në gjeneratë”Prapëseprapë, kërcënimi bërthamor i Putinit në mes të një lufte të nxehtë në Evropë ka ripërtërirë fokusin në mënyrën se si Rusia planifikon për "të pamendueshmen" - përdorimin e arsenalit bërthamor më të madh në botë - dhe se si politikat bërthamore të vendeve të tjera, kryesisht SHBA-së, mund të luajnë rol në këtë.
"Pak ose fare luftëra janë nisur me aq pozicione bërthamore sa pushtimi i Ukrainës nga Rusia", tha Olga Oliker, drejtoreshë e Programit të Evropës dhe Azisë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, në një artikull të botuar nga revista Foreign Affairs disa ditë pas sulmit të Putinit.
"Unë mendoj se në fund të fundit është doktrina e Rusisë që lejon përdorimin bërthamor në rast të kërcënimit ekzistencial për shtetin", tha ajo në një mesazh pasues për Radion Evropa e Lirë.
"Ndryshimi i regjimit është ndoshta një kërcënim ekzistencial për shtetin. Por, sa të dobishme janë armët bërthamore për këtë nuk është plotësisht e qartë. Por, ka një rrezik real atje", tha ajo.
"Kërcënimi i Putinit është i paprecedent në epokën e pas Luftës së Ftohtë - dhe i papranueshëm", tha kreu i Shoqatës së Kontrollit të Armëve me bazë në Uashington, Daryl Kimball, në një deklaratë një ditë pas urdhrit televiziv të Putinit.
"Nuk ka pasur asnjë rast, në të cilin një udhëheqës i SHBA-së ose një rus të ketë ngritur nivelin e gatishmërisë së forcave të tyre bërthamore në mes të një krize, në mënyrë që të përpiqet të ndikojë sjelljen e palës tjetër".
SHIKONI EDHE: Shtëpia e Bardhë: Putin ndihet i mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakëRreziku ekzistencial
Në vitin 2020, planifikuesit ushtarakë të Rusisë publikuan një dokument të ri strategjik që ofronte më shumë qartësi se kur Moska mund të përdorë armë bërthamore dhe çfarë mund ta justifikonte atë.
Dokumenti, i titulluar "Themelet e politikës shtetërore të Federatës Ruse në fushën e parandalimit bërthamor", thoshte se përdorimi i armëve bërthamore ishte një opsion vetëm si një masë hakmarrëse kundër përdorimit të armëve bërthamore ose armëve të tjera të shkatërrimit në masë - ose nëse “vetë ekzistenca e shtetit është në rrezik”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti këtë udhëzim në komentet për CNN më 22 mars.
Duke refuzuar të përjashtojë përdorimin e armëve bërthamore, ai theksoi se politika ruse e lejon atë në rastin e një "një kërcënimi ekzistencial për vendin tonë".
Në një nivel, kjo është shumë e pamundur: Moska është në ofensivë në Ukrainë, në fund të fundit dhe as Kievi dhe as NATO nuk po kërcënojnë me ndonjë sulm ndaj Rusisë, e lëre më një sulm kaq shkatërrues.
Për shumë analistë, megjithatë, një problem lind nëse Kremlini dhe komandantët ushtarakë e barazojnë ekzistencën e shtetit rus me sundimin e Putinit.
Dhe, në Rusinë e Putinit – ku kryetari i Parlamentit ka thënë se nuk ka Rusi pa Putin dhe zyrtarë të lartë akuzojnë Perëndimin se po komploton shkatërrimin e vendit – kjo nuk është aq e largët.
Më 23 mars, Dmitry Medvedev, aleati i vjetër i Putinit, ish-presidenti dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, sugjeroi se përshkallëzimi i tensioneve mund të rezultojë në një katastrofë bërthamore dhe pretendoi se Uashingtoni ishte përfshirë në një komplot afatgjatë për të shkatërruar Rusinë.
"Logjika këtu është e thjeshtë: nëse ndryshimi i qeverisë detyrohet nga jashtë, shteti nuk është më sovran", tha Nikolai Sokov, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Vjenës për Çarmatimin dhe ish-diplomat sovjetik rus që mori pjesë në negociatat kryesore për kontrollin e armëve.
SHIKONI EDHE: Peskov: Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm në rast të një kërcënimi ekzistencial"Kjo është arsyeja pse unë besoj se periudha më e rrezikshme do të jetë pasi të mbarojnë luftimet dhe Perëndimi do të duhet të vendosë se çfarë të bëjë me Rusinë. Nëse shkon shumë larg - skenari i Irakut - atëherë nuk e përjashtoj mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore”, tha ai.
"Në fund, përdorimi bërthamor nuk duhet të kufizohet në kontingjente ushtarake. Është e mundur të mposhtet një shtet duke përdorur mjete joushtarake, kështu që (1) përdorimi bërthamor është i mundur në kohë paqeje dhe (2) politika duhet të jetë me shumë kujdes të kalibruar”, tha ai në një e-mail.
Doktrinat bërthamore
Në vitin 2018, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, publikoi një dokument doktrine që përshkruante atë se si SHBA-ja, ashtu edhe Rusia, e mendojnë përdorimin e armëve bërthamore.
"Strategjia dhe doktrina ruse thekson përdorimet e mundshme të nevojshme dhe ushtarake të armëve bërthamore," tha gazeta.
Moska "gabimisht vlerëson se kërcënimi i përshkallëzimit bërthamor ose përdorimi i parë aktual i armëve bërthamore do të shërbente për 'de-përshkallëzimin' e një konflikti me kushte të favorshme për Rusinë. Këto perceptime të gabuara rrisin mundësinë për llogaritje dhe përshkallëzim të rrezikshëm", thuhet tutje në dokument.
Për sa i përket Ukrainës, tha një ekspert i shquar rus për çështjet bërthamore, konflikti mbetet "rreptësisht lokal". Kjo do të thotë, përtej furnizimit me armë dhe inteligjencë, NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë të pamundurën për të qëndruar jashtë.
SHIKONI EDHE: Kush është kriminel i luftës dhe kush e vendos këtë gjë?Ata "po marrin masat e nevojshme për ta mbajtur atë në atë mënyrë dhe Rusia, megjithëse me sinjalizim bërthamor mjaft të qartë, e pranon këtë", tha eksperti, i cili kërkoi të flasë në mënyrë anonime për shkak të shqetësimeve në rritje për presionin e Qeverisë ruse ndaj analistëve dhe mediave të pavarura.
Për më tepër, Rusia nuk e ka lëshuar arsenalin e saj të plotë konvencional: "Pamjet e Mariupolit janë jashtëzakonisht dëshpëruese, por japin një ide të asaj që është e mundur dhe në një shkallë shumë më të madhe."
"Kështu, nuk ka kushte për përdorim të armëve bërthamore", tha ai.
Një sulm bërthamor rus do të thotë "ne arrijmë në ujërat e paeksploruara të luftimeve bërthamore. Dhe një luftë bërthamore nuk mund të fitohet kurrë", tha ai.
Fillimi i ri, fillim i vjetër
Deri në pushtimin rus, kontrolli i armëve ishte një nga fushat e pakta ku Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të bisedonin ende me njëra-tjetrën.
Edhe pse marrëdhëniet u tkurrën - mbi Krimenë, ndërhyrjen në zgjedhje, Sirinë, helmimin e disidentëve nga Kremlini dhe çështje të tjera – Moska dhe Uashingtoni mbajtën kufijtë e arsenalit të tyre bërthamor.
Administrata e Donald Trumpit u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Por, Trump nuk u tërhoq nga New START (Fillimi i ri) , e vetmja marrëveshje e mbetur që kufizon forcat bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë.
Pasardhësi i Trumpit, presidenti Joe Biden, e bëri prioritetin e parë të administratës së tij që të binte dakord me Rusinë për të zgjatur traktatin për pesë vjet dhe ish-armiqtë e Luftës së Ftohtë e bënë këtë vetëm disa ditë pasi ai mori detyrën më 2021.
Për shumë ekspertë perëndimorë, gatishmëria e Kremlinit për të zgjatur marrëveshjen ishte një tregues se Moska ishte racionale - dhe pragmatike - për arsenalin e saj bërthamor.
Por,ai traktat nuk përfshin armë bërthamore taktike ose jostrategjike – armë më pak të fuqishme që janë krijuar jo për t’u hedhur në qytete të largëta mbi raketa në distanca të gjata, por për përdorim lokal në fushën e betejës. Inteligjenca amerikane vlerëson se Rusia ka më shumë se 1500 të tilla.
Sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit të publikuar këtë muaj, Shtetet e Bashkuara kanë shumë më pak, rreth 230 në total. Rreth 100 prej tyre janë vendosur në Evropë - kryesisht bomba graviteti që janë projektuar për t'u hedhur nga avionët - diçka për të cilën Moska është ankuar prej vitesh.
“Deklaratat ruse, kur kombinohen me stërvitjet ushtarake që dukej se simulonin përdorimin e armëve bërthamore kundër anëtarëve të NATO-s, bënë që shumë njerëz të besonin se Rusia mund të kërcënonte të përdorte armët e saj bërthamore jostrategjike për të detyruar ose frikësuar fqinjët e saj”, thuhet në raportin e CRS.
SHIKONI EDHE: Rusia sanksionon BideninAktualisht, frika e paqëndrueshmërisë ose konfuzionit brenda Kremlinit ose në strukturën e komandës strategjike që mbikëqyrë operacionet e armëve bërthamore të Rusisë ka qenë inekzistente, sipas zyrtarëve perëndimorë, të cilët thonë se procedurat e komandës dhe kontrollit dhe zinxhiri i autoritetit mbikëqyrës për vendimmarrje janë të fuqishme, kompetente dhe profesionale.
Zyrtarët amerikanë dhe britanikë ditët e fundit kanë sugjeruar publikisht dhe privatisht se Putini po mashtrohej nga këshilltarët e tij më të afërt - si për aftësitë e Rusisë në prag të luftës ashtu edhe për operacionet në vazhdim.
Kjo e bën edhe më të pamundur përdorimin e armëve bërthamore, tha Kimberly Marten, një eksperte për politikën e jashtme dhe të sigurisë ruse në Kolegjin Barnard, Universiteti i Kolumbisë në Nju Jork.
"Kjo nënkupton se ekziston një ekran oficerësh me sa duket racionalë, të cilët vetë nuk duan të përjetojnë luftë bërthamore, të cilët po shërbejnë si një filtër midis çfarëdo reagimi emocional që mund të ketë Putini dhe fushëbetejës", i tha ajo Radios Evropa e Lirë nëpërmjet një e-maili.
"Unë nuk do të shkoja aq larg sa të thosha se përdorimi i armëve bërthamore nuk do të ndodhë, megjithatë", tha ajo.
“Unë mbetem e shqetësuar për një llogaritje të gabuar ose gabim që vjen nga një konfrontim dhe përshkallëzim i paqëllimtë midis forcave ruse dhe NATO-s në një zonë kufitare, për shembull”, shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: Strategjia e Putinit në Ukrainë: E çmendur apo mendjemprehtë?Llogaritja tjetër për Kremlinin, thonë ekspertët, është nëse përdorimi i kufizuar i një arme bërthamore ose të armëve kimike në Ukrainë do të rezultonte pikërisht në atë që ai ka paralajmëruar me vendosmëri: ndërhyrjen e NATO-s në konflikt, e nxitur, për shembull, nga një rrjedhje radioaktive në shtetet anëtare të aleancës.
"Unë mendoj se Rusia do të përdorë armë bërthamore për të parandaluar që lufta të bëhet ekzistenciale për të dhe çdo luftë me NATO-n është ekzistenciale. Pra, ka një rrezik real nëse shtetet e NATO-s përfshihen drejtpërdrejt", tha ajo .