Ndërlidhjet

Strategjia e Putinit në Ukrainë: E çmendur apo mendjemprehtë?


A është presidenti rus, Vladimir Putin, i çmendur apo i çmendur si një dhelpër?

Në deklaratën e cituar nga gazeta “The New York Times”, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pyetur nëse udhëheqësi i Kremlinit është “duke jetuar në një botë tjetër”.

Pavarësisht nga fakti se Qeveria gjermane ka mohuar më vonë komentet e Merkelit, një numër në rritje i analistëve thonë se Putini, me ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, është bërë vërtet irracional.

Stanislav Belkovsky është komentator politik në Moskë.

“Truri i këtij njeriu të mjerë nuk është duke funksionuar. Është rast tipik i skizofrenisë ajo çfarë po ndodh tani. Është rast mjekësor dhe kur kjo ndodh, është e pamundur të thuhet se çfarë do të bëjë personi pesë minuta më vonë. Është thjesht e paparashikueshme. Një person i tillë ka nevojë për qetësues të fortë dhe për izolim nga shoqëria”, thotë Belkovsky.

Andrei Zubov është profesor në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

“Ne gjithmonë bëjmë parashikime bazuar në supozimin se politikani, qoftë egoist dhe mizor, është inteligjent dhe racional. Por, ajo që shohim tani është sjellje e një politikani që ka humbur mendjen”, thotë Zubov.

Thashethemt se Putini është çmendur janë përhapur aq shumë ditët e fudit, saqë kujtojnë “teorinë e çmendur” të ish-presidentit amerikan, Richard Nixon, administrata e të cilit ka bërë përpjekje të mbjellë dyshimin se ai është i pabalancuar, në mënyrë që të trembë kundërshtarët gjeopolitikë.

Por, Putin ka qenë lojtar mendjemprehtë politik për më shumë se një dekadë e gjysmë dhe shumë vëzhgues shohin kalkulime të ftohta të tij dhe jo çmenduri, me ndërhyrjen e fundit në Ukrainë.

Jan Techau, drejtor në qendrën Carnegie Europe në Bruksel, thotë se Putin është duke bërë disa llogaritje që janë krejt ndryshe nga ato që bëjnë politikanët perëndimorë.

Putin, sipas tij, e sheh si kërcënim ekzistencial për Rusinë drejtimin perëndimor të Ukrainës, andaj është i gatshëm për një kosto të lartë ekonomike dhe politike, vetëm për ta parandaluar atë. Techau thotë se Putini ka përgatitur terrenin për një kohë të gjatë.

Disa dokumente diplomatike amerikane, që janë publikuar nga WikiLeaks, kanë akuzuar Rusinë për financimin e “përpjekjeve të qëllimshme për të destabilizuar Krimenë, për të dobësuar Ukrainën dhe për të parandaluar lëvizjet e saj kah NATO-ja dhe Bashkimi Evropian”.

Është thënë se plani ka qenë në veprim së paku prej Revolucionit të Portokalltë më 2004.

Ben Judah është autor i librit: “Perandoria e brishtë: Si Rusia ka rënë në dashuri dhe urrejtje me Vladimir Putinin”.

“Putin ka bërë përpjekje të arrijë Ukrainën gjatë javëve të fundit për të vazhduar vendosjen e vetos ruse mbi të ardhmen e Ukrainës. Prej nga momenti kur Rusia ka kërcënuar me luftë tregtare, duke e bllokuar presidentin e përmbysur ukrainas, Viktor Yanukovych, për të nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Evropian, deri te vendimi për të ndërhyrë në Krime, bëhet fjalë për këtë: Ukraina nuk mund të ketë kontroll të plotë autonom mbi drejtimin e saj”, thotë Judah.

Përveç gjeopolitikës, konsiderimet e brendshme janë po ashtu një motiv i fortë për Putinin, thonë analistët.

Figura opozitare ruse, Leonid Gozman, thotë se arsyeja përse Putini kërkon “armiq” të jashtëm është për të forcuar legjitimitetin e tij politik në vend, i cili ka rënë te një pjesë e madhe e popullsisë.

“Cila është situata e Vladimir Putinit? Ai ka probleme serioze me legjitimitetin e tij. Ai është një person i zgjuar dhe e kupton se karizma e tij është dobësuar. Kjo ndodh, e kanë dashur dhe tani nuk e duan”, thotë Gozman.

Po kështu, analistët thonë se rrëzimi i suksesshëm i Qeverisë autoritare të Ukrainës nga opozita është një precedent i rrezikshëm për Putinin.

Kolumnisti rus, Yevgeny Ikholov, thotë:

“Përse Putini e ka bërë këtë? Për shkak të shembullit të një revolucioni demokratik në Ukrainën fqinje, ku do të ketë lustrim, ekspozim të korrupsionit dhe zgjedhje të lira. Një shembull i tillë do t’i tregojë popullsisë së Federatës Ruse se si të gjitha këto mund të jenë normale”.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG