Ndërlidhjet

Trysni diplomatike mbi Moskën


Trupat ruse në Krime
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Trupat ruse në Krime

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës ka thënë se do të pezullojë pjesëmarrjen në një samit ndërkombëtar në Rusi.

Shtëpia e Bardhë ka lëshuar deklaratën në emër të udhëheqësve të G7-ës, presidentit të Këshillit Evropian dhe presidentit të Komisionit Evropian.

Në deklaratë thuhet se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë shkel parimet dhe vlerat me të cilat operon G7-ta dhe G8-ta.

Deklarata po ashtu shpreh mbështetje për përpjekjet e Ukrainës për të negociuar një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila do t’i ndihmonte për të përballuar krizën ekonomike.

Rusia ka zbarkuar trupat e saj në Krime, në gadishullin e Ukrainës, të banuar me shumicë ruse, nën arsyetimin e "mbrojtjes së qytetarëve rus në këtë pjesë".

G7-ta përfshin Britaninë, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara.

Vendet po ashtu bëjnë pjesë në grupin ekonomik G8 që përfshin edhe Rusinë.

Rusia do të jetë nikoqir i samitit të G8-ës në Soçi, në muajin qershor.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka dënuar “aktin e agresionit të pabesueshëm” në Ukrainë. Ai pritet ta vizitojë Kievin të martën.

John Kerry
John Kerry
Duke folur në rrjetin televiziv amerikan NBC, ai është kërcënuar me “pasoja shumë serioze” nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, ndërsa i ka veçuar sanksionet e mundshme për izolimin ekonomik të Rusisë.

Zoti Kerry tha se “ky është një gabim i madh i Rusisë” dhe se “kjo nuk do të jetë një betejë ndërmjet Lindjes e Perëndimit”.

Ai ka theksuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “nuk do të fitojë nga kjo” dhe shtoi se “ndoshta ai do të jetë në gjendje t’i ketë trupat për një kohë në Krime, derisa ai ta zgjidhë këtë, por është fakt se ai do të humbë në skenën ndërkombëtare; Rusia do të humbë, populli rus do të humbë”.

Ndërkohë, Gjermania ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është pajtuar me propozimin që të ngrihet një grup i kontaktit për Ukrainën.

Në deklaratën e Qeverisë gjermane thuhet se Putin ka pranuar propozimin e kancelares Angela Merkel që “menjëherë të themelohet një mision i hetimeve, si dhe një grup kontakti, për hapjen e një dialogu politik”.

Gjatë bisedës telefonike me Putinin, Merkel po ashtu ka thënë se ndërhyrja e Rusisë në Krime të Ukrainës është shkelje e papranueshme e ligjit ndërkombëtar.

NATO-ja ka bërë thirrje për dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në Ukrainë, ndërsa nga Rusia ka kërkuar që të tërheqë forcat e saj.

Të gjitha zhvillimet e fundit mbi krizën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë mund t'i ndiqni edhe në bllokun e lajmeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG