Opozita shqiptare, Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Social-Demokrate maqedonase (LSDM) janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale.
Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë ndarë opinione të ndryshme lidhur me paralajmërimet për zgjedhje. Disa e konsiderojnë të “pashmangshme” punën e zgjedhjeve, ndërsa të tjerët e vlerësojnë si një “mundësi minimale”.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme u bë temë e diskutimit pas pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës në Kuvend të enjten e kaluar. Ata i bënë thirrje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski të tërhiqet, duke theksuar se ai "i ka shkelur të gjitha premtimet".
SHIKONI EDHE: Mickoski thotë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BEKurse, Mickoski, nga Kuvendi tha: “Nëse dëshironi të shkojmë në zgjedhje, të vërtetohet që së bashku me zgjedhjet lokale të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse dëshironi, menjëherë tani ta dakordojmë punën. Por, do të ngulfateni në thellësinë, ku ju dërgojnë”.
Sefer Tahiri, profesor në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore, konsideron se pas deklaratës së kreut të Qeverisë, zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Në demokracitë parlamentare, është rregull që opozita kërkon zgjedhje. Por, kësaj radhe, ishte pushteti, përkatësisht kryeministri Hristijan Mickoski, pavarësisht nëse e ka bërë me apo pa konsultim me partnerët e koalicionit qeveritar. Pas pranimit të konceptit të zgjedhjeve të parakohshme nga opozita maqedonase dhe opozita shqiptare, (Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët - krahu i Zijadin Selës), zgjedhjet janë të pashmangshme. Ato konsideroj se do të mbahen. Këtë e thotë çdo logjikë normale demokratike e shteteve të civilizuara", shprehet Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Por, ndryshe mendon Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut. Ai beson se gjasat për zgjedhje të dyfishta, parlamentare të parakohshme, së bashku me ato lokale, janë minimale, pasi nuk ka ndryshime të mëdha në sondazhe.
“Mendoj se tani për tani e gjithë kjo mbetet një folklor politik, por nuk e përjashtoj mundësinë, nëse ka ndonjë tronditje më serioze në skenën politike, për shembull, zgjidhja e çështjes së negociatave me BE-në me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, e të tjera, që kjo të riafirmohet edhe përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, tani për tani për këtë nuk ka kurrfarë paralajmërimi", shprehet Arsovski për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: KE: Shkupi të përshpejtojë reformat dhe të finalizojë ndryshimet kushtetuese
Pse pikërisht tani?
Sipas Tahirit, kalkulimi i parë ishte i pushtetit, konkretisht VMRO DPMNE-së, që opozita maqedonase (LSDM) nuk do të pranonte zgjedhjet për shkak të pozicionit të saj të dobët.
“Deklarimi befasues i liderit të opozitës maqedonase, Venko Filipçe, e ka vënë në një pozicion të palakmueshëm pushtetin, sepse kemi pasur dy deklarata që nuk i përshtaten konceptit të kryeministrit. Njëra është deklarata e zëdhënëses së Qeverisë, Marija Miteva, dhe tjetra e liderit të Lëvizjes Demokratike (pjesë e koalicionit VLEN në Qeveri), Izet Mexhiti, të cilët nuk pajtohen me zgjedhjet e parakohshme", thotë Tahiri.
Ai shton se nëse pushteti tenton t’u shmanget zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përkatësisht shpërbërjes së Parlamentit, atëherë siç thotë “do të manifestojë frikë dhe pasiguri për arritjen ose përsëritjen e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara".
Kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe, u shpreh i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit parlamentare të 8 majit, partia e tij pësoi disfatë të thellë duke arritur të marrë vetëm 18 mandate të deputetëve, kundrejt 58 sa fitoi VMRO-ja. Filipçe argumenton se kërkesa e Mickoskit për zgjedhje të reja vetëm pesë muaj pas zgjedhjeve të fundit, dëshmon se qeverisja nuk po funksionon si duhet.
“Matjet tona tregojnë se 65% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë. Kjo nënkupton se dy nga tre qytetarë nuk janë të kënaqur nga politikat ekonomike, nga rënia e standardit jetësor po edhe nga ajo që Shqipëria na parakaloi në rrugën e euro-integrimeve”, tha të hënën Filipçe.
Për zgjedhje të parakohshme parlamentare është shprehur edhe partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, që drejton koalicionin Fronti Evropian. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i bëri thirrje kryeministrit Mickoski që ta mbajë fjalën për organizimin e zgjedhjeve të tilla.
Fronti Evropian i fitoi 18 ulëse, katër më shumë se koalicioni VLEN. Por, nuk arriti të bëhet pjesë e Qeverisë.
SHIKONI EDHE: Ahmeti: E pranojmë sfidën, Mickoski ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshmeVLEN kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, thanë se Maqedonia e Veriut kurrë nuk ka pasur qeveri më stabile.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se deklarata e Mickoskit është nxjerrë jashtë kontekstit.
“Është nxjerrë nga konteksti. Kur të kesh shumicë prej 80 deputetëve nuk ka nevojë për të menduar për zgjedhje të parakohshme, sepse ky është vetëm shpenzim për shtetin dhe humbje kohe”, u shpreh Mexhiti.
Kujt i leverdis më shumë?
Arsovski thekson se sipas shifrave aktuale, përbërja e re e Kuvendit nuk do të dallojë shumë nga kjo përbërje që kemi tani. Madje, siç thotë ai, “pushtetit mund t’i sjellë edhe ndonjë deputet më shumë”.
“Në thelb, nuk di se çfarë do të ndryshonin zgjedhjet e parakohshme?! Duhet të keni arsye përse po i organizoni ato. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk i sjellin ndonjë ndryshim të madh as pushtetit e as opozitës", vlerëson Arsovski.
Por, profesori Tahiri mendon se zgjedhjet, para së gjithash, do t’i shkonin për shtati opozitës, edhe pse siç thotë “u iniciuan dhe, dhe në një mënyrë, u provokuan nga pushteti".
“Ajo që dihet është se ndoshta parlamenti i ardhshëm, pas këtyre zgjedhjeve, do të jetë më laraman. Do të ketë shpërndarje të fuqisë politike në kuptimin e fitimit të numrave të deputetëve nga partitë parlamentare", thekson Tahiri.
Aktualisht, shumica parlamentare numëron 78 deputetë nga 120 gjithsej sa ka Kuvendi. Qeveria aktuale përbëhet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe partia ZNAM.