A do ta unifikojë spektrin politik në Kosovë letra e presidentit Trump?

Fotografi nga arkivi.

Arritja e një uniteti politik në Kosovë për të finalizuar dialogun politik me Serbinë me një marrëveshje historike, veçohet si një prej pikave kyçe në letrën që presidenti amerikan, Donald Trump ia dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Aktualisht spektri politik në Kosovë vazhdon të mos jetë i unifikuar në këtë proces. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbetet ai që i prin dialogut. Kurse Qeveria bashkë me partinë subjektin opozitar, Partinë Socialdemokrate kanë formuar një ekip negociator që po ashtu synon të marrë rol në procesin final të bisedimeve. Aktualisht, jashtë procesit, kanë mbetur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që përbëjnë edhe partitë më të mëdha opozitare.

SHIKONI EDHE: Trump i shkruan Thaçit: Shfrytëzojeni momentin për marrëveshje historike me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se, presidenti Trump e ka bërë të qartë se kërkon nga liderët e Kosovës, “që ta shfrytëzojmë këtë moment unik që të flasim me një zë”, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, është shprehur Thaçi.

SHIKONI EDHE: Thaçi: Muajt në vazhdim do të gjendet zgjidhja për marrëveshjen me Serbinë

Ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ai e mbështet fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative dhe me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se letra që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e dërguar në adresë të presidentit Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Andaj, ai ka ftuar gjithë spektrin politike në Kosovës që ta kuptojnë drejt letrën e presidenti Trump.

Veseli ftoi sidomos dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Ekipit Shtetëror për dialogun me Serbinë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Ejani të bëhemi bashkë. Kemi qenë ne vitet e 90-ta bashkë, kemi qenë në vitet e 2000-ta bashkë në ketë formë e kemi arritur lirinë, në këtë formë e kemi arritur shtetin. Pse në këtë formë nuk e vazhduam tash. Kjo është përgjegjësi e atyre partive që me shumë po mendojnë vetëm për luftë për pushtet. Çdo ditë thërrasin zgjedhje e nuk janë të gatshme ndoshta për zgjedhje se sa për shtet”, tha Veseli.

Veseli në një konferencë për media tha se për vendimmarrjen për vendin përgjegjësi kanë të gjithë dhe se sipas tij, nuk ka dialog që mund ta nxjerrë Kosovën nga binarët e shtetësisë së vet, sovranitetit dhe integritetit territoriale.

“Republika e Serbisë do ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës për vetë faktin se ky është vullnet i qytetarëve dhe proces i pakthyeshme. Shteti i Kosovës do të forcohet edhe më shumë si sovran edhe me përkrahjen ndërkombëtare, pavarësisht se po lodhet”, tha Veseli.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një konferencë për media, tha se e mirëpret përkrahjen që i ka dhënë procesit të dialogut presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Ne jemi të gëzuar për përkrahjen që ja kanë dhënë këtij procesi edhe përpara edhe tash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend me të cilin, presidenti ynë Ibrahim Rugova gjithmonë ka theksuar se duhet të kultivojmë miqësi të përhershme. Ne e vlerësojmë këtë miqësi, e vlerësojmë edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump që procesi i dialogut të shkojë përpara dhe të jetë në interes të Kosovës, përkatësisht të vendeve të cilat bëjnë dialog", tha Mustafa.

Por, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri tani nuk kanë komentuar dhe nuk janë përgjigjur për Radion Evropa e Lirë në lidhje me letrën dhe mesazhin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Kurse nga Vetëvendosje, deputetja e këtij subjekti politik, Arbërie Nagavci, duke iu referuar letrës së presidentit Trump, tha se nuk beson që SHBA-ja do të kërkojë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që e cenon sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Presidenti Trump - ky është mendimi im personal - thirret në atë që duhet të kemi një marrëveshje e cila është e pranueshme për shtetet. Dhe marrëveshja se si ka vazhduar deri tani nga presidenti Thaçi, është e papranueshme për Republikën e Kosovës. Pra, ne besojmë se SHBA-ja si një vend mike e Kosovës, si një shtet i cili ka përkrahur dhe ndihmuar procesin tonë shtet formues, në asnjë mënyre nuk do të insiston dhe nuk do të kërkon një marrëveshje e cila do të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, tha ajo.

SHIKONI EDHE: Dialogu sfidoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Në letrën e presidentit Trump kërkohet uniteti politik në Kosovë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, duke tërhequr vërejtjen se “dështimi për të kapitalizuar këtë mundësi unike do të ishte ngecje tragjike, sepse një mundësi tjetër për paqe gjithëpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodhë shpejt”.

“Ju bëj thirrje juve dhe liderëve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të unifikuar gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbaheni nga veprimet që do ta bënin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

Në letër, po ashtu thuhet se Trump do të jetë nikoqir i presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar atë që do të jetë një "marrëveshje historike".