Lehtësim apo ngatërrim?

Kuvendi i Kosovës - foto arkiv

Pas diku nëntë muajve, Kosova pritet t’i ketë zbatuar ndryshimet kushtetuese, të cilat prekin edhe Ligjin për presidentin e vendit. Njohësit e çështjeve ligjore dhe ata të rrethanave politike në Prishtinë flasin për mundësitë e ndryshimit të funksionit të presidentit, të legjislacionit dhe sistemit zgjedhor, por edhe për synimin që përmes ndryshimeve kushtetuese t’i jepet fund mbikëqyrjes ndërkombëtare në Kosovë.


Edhe pse është përjashtuar mundësia që Kosova pas amendamentimit të Kushtetutës të kalojë në sistem tërësisht presidencial, ekspertët për çështje ligjore dhe analistët politikë kanë mendime të ndryshme lidhur me funksionet që do të kenë pushtetet në vend, pas ndryshimeve në fjalë.

Diferencat e qëndrimeve të tyre vijnë në pah sidomos kur bëhet fjalë për kompetencat ekzekutive, të cilat për fusha të caktuara u takojnë ende misioneve ndërkombëtare në fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Tahir Rrecaj, tha se këto fuqi ekzekutive do të duhej të shndërroheshin në përgjegjësi të presidentit të Kosovës paralelisht me ndryshimet kushtetuese.

Përmes këtij veprimi, sipas tij, do të zvogëlohej rëndësia e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa do të rritej roli i presidentit të vendit.

“Kompetencat ekzekutive në pjesën më të madhe do të duhej të kalonin te presidenti, në mënyrë që çështja të funksionojë më mirë, më lehtë dhe shtetësia të jetë më funksionale”, u shpreh Rrecaj.

Përfaqësues të komisionit amendamentues të Kushtetutës së Kosovës i thanë, ditë më parë, Radios Evropa e Lirë se pas ndryshimit të ligjit aktual për presidentin, Kosova do të vazhdojë të qeveriset me një sistem parlamentar, por me një president plotësisht të ndarë nga Parlamenti.

Analisti Leon Malazogu vlerësoi se përpjekjet për t’i balancuar përgjegjësitë në mes të presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit mund të hasin në bllokadë, po qe se synohet të rritet roli i presidentit.

Duke e marrë si shembull Francën, Malazogu tha se Kosova nuk është e përshtatshme për të qeverisur me një sistem presidencial.

“Ne, qysh tash, mund të vërejmë një përzierje të kompetencave. Për shembull, presidentja ka kompetenca për punë të jashtme, përderisa në të njëjtën kohë, edhe brenda Qeverisë kemi së paku tri poste që kanë kompetenca në punët e jashtme dhe këto fare nuk janë të koordinuara në mes vete. Ky është çmimi që ne paguajmë për një president pak më të fuqishëm”.

“Por, nëse do të kishim një president që zgjidhet drejtpërdrejt, ky konflikt do të ishte shumëfish më i madh”,
tha Malazogu, duke i quajtur të dëmshme tendencat e politikanëve kosovarë për të hyrë në, siç u shpreh ai, konfrontime me bashkësinë ndërkombëtare sa i përket pavarësisë së mbikëqyrur.

Malazogu kundërshtoi idenë që, me ndryshimet kushtetuese, pavarësisë së mbikëqyrur t’i vijë fundi.

“Pakoja e Ahtisarit - ajo që e kanë nënshkruar liderët e Kosovës - është mbi Kushtetutën dhe këtë ata e kanë nënshkruar me dorën e tyre. Tani, e kanë shumë vështirë që të thonë se me ndryshimin e Kushtetutës do t’i largojmë ata. Ky problem realisht do të mbetet; misionet ndërkombëtare do të largohen atëherë kur e vlerësojnë politikisht që Kosova i ka kryer obligimet e veta. Kjo nuk është për momentin aq afër”, tha Malazogu.

Lexoni edhe këtë:
Feith: Nuk ndikoj në ndryshimet kushtetuese