Serbët në veri kundër USAID-it

Mitrovicë

Për serbët e veriut të Kosovës është e papranueshme mënyra se si po përpiqet t’i realizojë projektet e veta Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), në këtë pjesë të Kosovës, vlerësojnë politikanët serbë në veri të vendit.

Ata thonë se kjo ka qenë arsyeja pse serbët lokalë në Zveçan, më 8 prill, kanë bllokuar rrugën Prishtinë-Mitrovicë, gjë që e pamundësoi takimin e përfaqësuesve të USAID-it me kompanitë e ndryshme ndërtimore në veri.

Dragisha Milloviq, udhëheqës i serbëve në Zveçan, thotë se mënyra se si USAID-i po punon në veri të Kosovës, është jo e përshtatshme.

“Mendimi im personal është se ky është një tentim që të depërtohet përmes, siç thuhet, një dere të vogël. Po tentohet që përmes institucioneve të Prishtinës, të cilat ne nuk i njohim, të zbatohen projektet e tilla, si dhe të gjenden serbë të përshtatshëm, të cilët do t’i pranonin këto projekte”, thotë Milloviq.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq, po ashtu politikan serb dhe nënkryetar i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, thotë se qëndrimi i udhëheqësve serbë të veriut është se investimet e USAID-it në veri nuk janë në dobi të popullatës serbe, por për ndërtimin e, siç thotë ai, shtetit shqiptarë atje.

“...pikërisht për këtë arsye paratë dhe investimet vijnë me shantazhe. Kjo tregon se USAID-i nuk ka qëndrim neutral ndaj statusit. Mendoj se me këtë veprim, USAID-i, nga një organizatë joqeveritare, është shndërruar në organizatë qeveritare, sepse po lufton për strukturat e autoriteteve të Prishtinës në tërë teritorin e Kosovës”, shprehet Jakshiq.

Në anën tjetër, Xheraldina Cernobregu, përgjegjëse për informim në Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara,, thotë se qëllimi i projekteve të kësaj agjencie është përmirësimi i jetesës së qytetarëve, të cilët jetojnë në veri të Kosovës.
Qëllimi ynë është përmirësimi i punës së qytetarëve në veri, krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve për bizneset...

“Atë ditë (8 prill), në Mitrovicë kemi qenë për të biseduar me bizneset dhe për të shikuar mundësitë e ndihmës për punën e tyre. Fatkeqësisht, ky takim është pamundësuar, për shkak të protestuesve që ishin në afërsi të vendparkimit”.

“Qëllimi ynë është përmirësimi i punës së qytetarëve në veri, krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve për bizneset në këtë anë të Kosovës”,
thkeson Cernobregu.

USAID-i ka një varg projektesh për zhvillimin e infrastrukturës, ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe shkollave, zhvillimin e bizneseve e të tjera.

Por, politikanët serbë në këtë pikë kanë mendime të ndryshme. Milloviq thotë se projektet e USAID-it janë të mirëseardhura për serbët, por vetëm nëse realizimi i tyre bëhet në bashkëpunim me strukturat e atjeshme serbe, të cilat Prishtina zyrtare i ka cilësuar si paralele.

“Nuk e di se për kë po mendon USAID-i. Unë po flas për organet, të cilat janë zgjedhur nga qytetarët tanë. Do të thotë, ato janë legale dhe legjitime. Për dikë ato janë paralele, por unë mendoj se ato janë të vetmet organe legjitime të pushtetit këtu. Ato janë tërësisht të hapura për bisedime dhe për bashkëpunim”, shprehet Milloviq.

Ndryshe mendon Jakshiq. Ai thotë se qytetarët serbë e refuzojnë ndihmën nga USAID-i dhe qëndrim të njëjtë mbajnë edhe të ashtuquajturat organe të pushtetit në komunat e veriut të vendit.

“Nuk duhet pritur se mund të bëhet diçka me dhunë nëse këtë qytetarët nuk e duan. Në mbledhjen zyrtare të kuvendit të komunës së Mitrovicës është marrë vendimi që asnjë objekt dhe asgjë nuk mund të punohet në veri të Kosovës pa lejen e të dyja komunave, të asaj që e udhëheqin serbët dhe të asaj që e udhëheq UNIMK-u”, deklaron Jakshiq.

Por, përgjegjësja për informim e USAID-it, Cernobregu, thotë se kjo organizatë do të vazhdojë edhe më tej angazhimin në veri të vendit.

USAID-i do të vazhdojë të punojë edhe më tutje në veri. T’i shikojmë mundësitë tjera, ndërmjet partnerëve tanë, që të vazhdojmë punën dhe kontributin tonë në këtë anë të Kosovës”, thotë Cernobregu.

Në 11 vjetët e fundit, USAID-i ka investuar rreth 8 milionë dollarë në veri të Kosovës.