VV, AAK kritikojnë marrëveshjen

Pacolli, Thaçi, Mustafa në konferencën për media, 6 prill 2011.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar mënyrën e arritjes së marrëveshjes së djeshme, në bazë të së cilës, Pacolli u tërhoq nga kandidimi për president, Atifete Jahjaga u zgjodh si kandidate e përbashkët e koalicionit dhe LDK-së për këtë post, si dhe u caktuan afate për zgjedhjet e reja, reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese.

Vetëvendosja ka qenë më kritike, duke e quajtur marrëveshjen pazar për interesa partiake dhe jo të qytetarëve.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për gazetarë, tha se liderët që arritën marrëveshjen, duan një kushtetutë pa kushtetushmëri.

“Konsensusin e tyre partiak e bënë publik nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës thuajse për të na treguar që kemi të bëjmë me uzurpim konsensual të institucioneve. Nuk kemi kurrfarë tejkalimi të krizës në Kosovë me pazarin e mbrëmshëm - vetëm se u akomoduan ambiciet e politikanëve që drejtojnë partitë për hir të vetes së tyre”.

“Nuk do të rritet standardi i jetesës së qytetarëve, por rehatia e kreut të PDK-së dhe LDK-së. Isa Mustafa po ia jep dy vjet e gjysmë kohë Hashim Thaçit për ta shitur PTK-në, KEK-un e Trepçën me privatizim të egër dhe për ta sajuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës përmes negociatave me Serbinë. Këta dy vjet e gjysmë mund t’i duken të shkurtër Isa Mustafës, porse ata janë shumë të gjatë për qytetarët e Kosovës
”, u shpreh Albin Kurti.

As Lëvizja Vetëvendosje dhe as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë ftuar të marrin pjesë në takimet e zhvilluara në Zyrën Amerikane mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kreut të AKR-së, Behxhet Pacolli.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e rezervuar ndaj marrëveshjes, pa parë nëse ajo do të tejkalojë ngërçin politik, të shkaktuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sidoqoftë, zëdhënësi Ernest Luma e quajti spektakël marrëveshjen e arritur dje.

“Për AAK-në është edhe një spektakël, që i dhurohet vendit tonë në këtë mënyrë dhe në këtë formë. Është e rëndësishme qe të kalohet ngërçi politik, por jo në çdo formë dhe në çdo mënyrë. Ajo që pamë dje, ishte një spektakël politik, dhe politkanët seriozë nuk janë të thirrur të bëjnë të tilla spektakle“, tha Luma.

Tri subjektet opozitare, LDK-ja, Vetëvendosja dhe AAK-ja, ishin unike në qëndrimet e tyre në kohën kur u zgjodh Pacolli president, duke e bojkotuar seancën e Kuvendit. Ky veprim i tyre bëri që Pacolli të zgjidhej me procedura jokushtetuese, por edhe shkaktoi precedent që presidenti të mos mund të zgjidhej më pa qenë të pranishëm 80 deputetë në sallë.

Vetëvendosja tash kritikon LDK-në - e cila pati çuar bashkë me AAK-në çështjen Pacolli në Kushtetuese - se u vu në shërbim të Thaçit.

Shpend Ahmeti tha se kushtet e vëna nga LDK-ja për reforma zgjedhore, mund të mos zbatohen.

“Tani, edhe po të pendohen, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka më fuqinë e ndërrimit të marrëveshjes, sepse marrëveshja është jashtë-institucionale dhe nuk çon peshë në asnjë gjykatë. P.sh. mund të ndodhë që LDK-ja të mos pajtohet me PDK-në rreth reformave zgjedhore dhe nuk ka asnjë mjet për ta bindur PDK-në, sepse shumicën e ka koalicioni qeverisës”.

“Në atë rast, fuqia është koalicioni qeverisës që të qëndrojë deri në fund të mandatit. Në fakt, AKR-ja do të ketë shumë më shumë fuqi se Lidhja Demokratike e Kosovës”,
tha Ahmeti.

Megjithëse e kanë quajtur marrëveshje jokushtetuese, zyrtarë të Vetëvendosjes ka thënë se do të jetë e pamundur që kjo marrëveshje, që do të pasohet me veprime në Kuvend, të dërgohet në Kushtetuese, për shkak se VV bashkë me AAK-në nuk mund të arrijnë numrin e nevojshëm prej 30 deputetësh, që duhet të nënshkruajnë, para se të dërgojnë një çështje në Gjykatë.