Ndërlidhjet

Atifete Jahjaga, kandidate për presidente


E kandiduara për presidente të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush - foto arkiv
E kandiduara për presidente të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush - foto arkiv
Atifete Jahjaga është e kandiduara e përbashkët e marrëveshjes për presidente të Kosovës me mandat të kufizuar.

Zyrtarja e lartë e Policisë së Kosovës kandidohet nga PDK-ja, LDK-ja dhe AKR-ja, si rezultat i marrëveshjes së arritur në bisedimet e treshes Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behxhet Pacolli, që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Pjesë e marrëveshjes është edhe përcaktimi i afateve për reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta çojnë vendin në zgjedhje, të paktën, një vit para skadimit të mandatit.

Pas bisedimeve që zgjatën tri ditë, në një konferencë të përbashkët, kryeministri Thaçi, ish-kandidati për president, Pacolli, lideri i LDK-së, Mustafa, dhe ambasadori Dell dolën në një konferencë para orës 22:00, ku kumtuan pikat e marrëveshjes.

Kryeministri Thaçi, pos që konfirmoi kandidaten e përbashkët për presidente Atifete Jahjagan, tha se marrëveshja përcakton edhe reformat dhe afatet.

“Jemi marrë vesh të formohet një komision për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, tha Thaçi.

Sipas marrëveshjes, ky komision do ta kryejë punën e vet brenda 6 - 9 muajsh. Kurse, zgjedhjet e para për presidentin do të mbaheshin jo më vonë se gjashtë muaj pas fuqizimit të ndryshimeve kushtetuese.

Pikë tjetër e marrëveshjes, nënvizoi Thaçi, është ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Edhe për këto ndryshime do të formohet një komision, i cili do të udhëhiqet nga opozita.

Puna e komisionit do të përmbyllet në një afat prej 8 deri në 12 muaj.

Kurse, zgjedhjet parlamentare në vend do të shpallen jo më vonë se 18 muaj pasi që ligji i ndryshuar të hyjë në fuqi. Këto zgjedhje u tha se do të jenë në një afat me ato lokale.

I impresionuar me arritjen e marrëveshjes, ambasadori Dell tha se Kosova kaloi një fazë të vështirë për formimin e institucioneve.

Liderët u treguan të gatshëm t’i vendosin interesat e shtetit para interesave të tyre. Fakti që unë jam me liderët kosovarë tregon se ata mund të punojnë për të mirën e këtij vendi”, theksoi Dell.

Teksa lavdëroi konstruktivitetin e Pacollit, i cili me tërheqjen e tij mundësoi tejkalimin e krizës, Dell tha se kandidatja e ardhshme, Atifete Jahjaga, është në gjendje të marrë detyrën dhe ta ushtrojë atë me përgjegjësi siç bëri edhe sa ishte e angazhuar në kreun e Policisë së Kosovës.

Ai që më së shumti mori lëvdata për arritjen e marëveshjes, ishte Behxhet Pacolli, i cili qe zgjedhur në postin e presidentit më 22 shkurt. Por, vetëm 35 ditë më pas u detyrua të largohet, pasi që Gjykata Kushtetuese nxori aktvendimin, me të cilin konstatoi se Pacolli ishte zgjedhur me procedura anti-kushtetuese.

Pacolli nuk ishte kandidat që gëzonte mbështetjen e opozitës, andaj ai tha se ishte tërhequr nga gara që të mos lejonte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq me qëllim të tejkalimit të kësaj krize politike dhe institucionale, unë jam tërhequr nga rikandidimi im për postin e presidentit të Republikës”
.

“Nuk do të rikandidoj, sepse nuk dua të përjetoj atë që kam përjetuar. Isha viktimë e gabimeve të të tjerëve, andaj nuk dua të paguaj sërish për fajin e dikujt tjetër”, tha Pacolli, duke u treguar i gatshëm ta vazhdojë garën politike brenda partisë për të rimarrë kreun e AKR-së.

Marrëveshja u përshëndet edhe nga lideri opozitar, Isa Mustafa.

Ai tha se me marrëveshje ishin respektuar disa nga kërkesat kryesore të LDK-së, që kishin të bënin me presidentin e pranueshëm, reformat zgjedhore e kushtetuese dhe caktimin e afatit për zgjedhjet e përgjithshme.

Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, tani mbetet që në Kuvendin e Kosovës të ketë edhe një kundërkandidat për zgjedhjen e presidentit. Ndërkaq, ka mbetur pa një përgjigje insistimi i gazetarëve se a paraqet shkelje kushtetuese nominimi i një kandidati për president me afat prej një deri në dy vjet, përderisa Kushtetuta parasheh që presidenti të ketë mandatin pesëvjeçar.

Sipas procedurave, tani marëveshja i dërgohet Kuvendit ku do të procedohet tutje deri në finalizim dhe zgjedhje të presidentit të ri të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG