Buxheti miratohet në parim

Kuvendi i Kosovës

Me 67 vota për, Kuvendi miratoi në parim projekt-buxhetin për vitin 2011. Votimit i priu një debat i ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Pas një seance maratonike, të përcjellë me debat të ashpër mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë, Kuvendi miratoi në parim projekt-buxhetin për vitin 2011.

Nga 107 deputetët e pranishëm në sallë, 67 kanë votuar për këtë projekt-buxhet, i cili duhet të shndërrohet në ligj jo më larg se më 31 mars.

Dokumenti për buxhetin parasheh 1 miliardë e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliardë e 434 milionë euro shpenzime.

Këtu përfshihet edhe rritja e pagave për sektorin publik, ndërsa parashihet rritje ekonomike për 5.5 për qind.

Opozita kritikoi projektimin e buxhetin, duke paralajmëruar se Qeveria mund ta fusë vendin në kolaps financiar për shkak të deficitit buxhetor, i cili nuk dihet ende se si do të mbulohet, po qe se nuk shiten ndërmarrjet publike, apo nuk merren fonde nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Kryeministri i Kosovës, Hashm Thaçi, në pjesën më të madhe gjatë prezantimit të projekt-buxhetit, u ndal te rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik.

Thaçi tha se për këtë çështje ka ende diskutime serioze me FMN-në, e cila ka paralajmëruar se nuk mund të ketë rritje aq të madhe të pagave. Ai theksoi se rritja e pagave ka qenë një vendim i vështirë, se Kosova dëshiron të mbetet edhe më tej pjesë e programit të FMN-së, por, sipas tij, vendimi ka qenë i paevitueshëm.

“Kosova është shtet i ri, i mundësive shumë të mëdha, por nga pasojat e së kaluarës, për fat të keq mbetet vendi më i varfër në Evropë, me buxhetin më të vogël në Evropë, me përqindjen më të lartë të të papunëve, me standardin më të ultë dhe pagat më të ulëta në Evropë. Këtë prapambetje shekullore dua ta tejkalojmë. Këtë trend duhet dhe mund ta ndalim bashkërisht. Punëtoria kosovare nuk ka pasur paga, deri tani është shërbyer me, mund të them, ndihma sociale”, tha Thaçi.

Shpenzimet për këtë vit, sipas kryeministrit, janë më të mëdha për 19 për qind, dhe kjo i atribuohet kryesisht ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar.

Edhe pse gjatë gjithë kohës foli për standardin e ulët të jetesës, kryeministri Thaçi, megjithatë, prezantoi shifra të rritjes ekonomike.

“Ekonomia jonë ka arritur të gjenerojë një rritje ekonomike reale mbi 4 për qind gjatë vitit 2010. Ndërsa, për vitin 2011 parashihet rritje prej 5.3 për qind. Në anën tjetër, FMN-ja doli rishtazi me parashikim optimist për rritje të bruto prodhimit vendor prej 5.5 për qind. Një rritje e tillë do të vijë nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit. Kontributi plotësohet nga remitencat dhe investimet nga jashtë”,
theksoi Thaçi.

As kryeministri, e as ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projekt-ligjit nuk përmendën privatizimin e PTK-së. Por, qenë deputetët opozitarë ata që ngritën zërin kundër mënyrës së përfshirjes së privatizimit në dokumentin për buxhetin.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se buxheti është një projekt i bazuar në interesa të ngushta politike, pa koncept zhvillimor dhe me rrezikshmëri të stabilitetit financiar, shkoi më tej duke thënë se Qeveria po kamuflon shitjen e PTK-së.

Deputeti Naser Osmani u shpreh:

“Qeveria tenton që përmes këtij ligji në nenin katër të kamuflojë edhe privatizimin e PTK-së që është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Shtrohet pyetja se si mundet një qeveri e papërgjegjshme të përcaktojë vlerën e një kompanie publike në një dokument të buxhetit, që është dokument publik dhe transparent, që për çdo blerës të ardhshëm të inkurajojë monopol në limitin e epërm të vlerësimit të aseteve të PTK-së?!”.


Osmani tha se buxheti shkel rregullat e BE-së, sepse deficiti buxhetor shkon në 5.2 për qind, që është mbi normën e lejuar prej 3.5 për qind të GDP-së.

Mbushja e deficitit buxhetor, sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, do të përmbushet si në vijim:

“Deficiti primar i projektuar në vlerë prej 170 milionë eurosh dhe ai i përgjithshëm prej 226 milionë, do të financohet nga dy burime nga mbështetja buxhetore, por edhe nga pjesë të të hyrave që do të vijnë nga transferet nga aksionet në pronësi publike në aksione me pronësi private”.


Fjalia e fundit shtyri opozitën të mendojë se bëhet fjalë thjesht për privatizimin e ndërmarrjeve publike, por që Qeveria e ka kamufluar me qëllim.

Lëvizja Vetëvendosje tha se me buxhetin e paraqitur nga Qeveria, varfëria në Kosovë vetëm sa do të thellohet. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, kritikoi mënyrën se si Qeveria dëshiron të anashkalojë Kuvendin në privatizimin e PTK-së.

“Ky nuk është buxhet zhvillimor, por buxhet që synon replikimin e saktë të asaj që e jetojmë sot dhe e kemi jetuar dje. Në këtë buxhet nuk ka asnjë vijë që merret me nevojat e bujqësisë së Kosovës, e as me domosdonë e industrializimit të vendit. Krejt çka shohim aty janë shpenzimet enorme në rrugë dhe planifikimet e palogjikshme dhe të jashtëligjshme për privatizimin e pronës publike, më saktësisht të PTK-së”,
u shpreh Ymeri.

Partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Qeveria po shkel marrëveshjet me FMN-në të nënshkruara në vitin e kaluar. Ndërkaq, sipas deputetit Blerim Shala, rritja e pagave, për shkak të trendit të rritjes së çmimeve, do të jetë iluzore.

“Rritja e tashme e rrogave është e para dhe e fundit për tri vitet e ardhshme, ndërsa për shkak të inflacionit do të ndodhë zhvlerësimi i kësaj rritjeje. Nëse rritet TVSH-ja nga 16 në 19 për qind siç është thënë, vlera e rrogave në fund të këtij viti do të jetë më e ulët se në fund të vitit 2010 dhe kjo rritje është iluzion afatshkurtër
”, tha Shala.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, mbrojti projekt-buxhetin, duke u kërkuar deputetëve që të mos krijojnë konfuzion me shifrat e prezantuara në projekt-buxhet.

Projekt-buxheti, për shkak të krizës institucionale, nuk u miratua vitin e kaluar, por u shty për sivjet.