Ndërlidhjet

Qeveria s'heq dorë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës ritheksuan vendosmërinë për t’i rritur pagat në sektorin publik, nga 30 deri në 50 për qind. Ata u shprehën optimistë që Parlamenti shumë shpejt do ta miratojë buxhetin për vitin 2011. Në anën tjetër, deputetët e opozitës në Kuvend deklaruan se në projekt-buxhetin, që e ka dorëzuar Qeveria, ekziston një rritje e pagave, por ende nuk dihet saktë se për cilët sektorë do të vlejë kjo rritje.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëriti vendosmërinë e tij për t'i rritur pagat në sektorin publik, nga 30 deri në 50 për qind, ashtu siç është vendosur në janar të këtij viti.

Thaçi këtë zotim e përsëriti në takimin e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës, ku u diskutua midis tjerash edhe projekt-buxheti për vitin 2011.

“Buxheti do të votohet në Kuvend me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, shërbyesve civilë, zjarrfikësve, familjeve të dëshmorëve , invalidëve të luftës. Pra, sipas vendimeve të Qeverisë”
, tha Thaçi.

Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, tashmë kanë thënë se kjo rritje e pagave nuk është në përputhje me objektivat e programit të këtij fondi dhe se bisedimet me Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim do të vazhdojnë.

Por, kryeministri Thaçi, deklaroi se ekzekutivi i vendit nuk mund të tolerojë edhe më tutje, që punëtorët kosovarë të trajtohen më se keqi në Evropë, duke u bazuar këtu në paga të ulëta mujore.
Kabineti qeveritar

“Mund të deklaroj se rritja prej 30 deri 50 për qind është shumë e lartë dhe nuk ndodh as në vendet moderne. Por, unë dua të theksoj shumë shkurt, shumë qartë, për të gjithë qytetarët kosovarë dhe partnerët ndërkombëtarë: Kosova është shtet në tranzicion, Kosova është shtet i ri, ende nuk e ka rritur stadin e shtetit modern dhe punëtorët në Kosovë, deri më sot kanë jetuar me ndihma sociale, jo me rrogë. Kur ta arrijmë stadin e shtetit modern, edhe ne do t’i rrisim pagat nga 2 deri 3 për qind. Prandaj, ky është vendimi më i drejtë i mundshëm dhe pres aprovimin e Parlamentit”, deklaroi Thaçi.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vizituan Kosovën këto ditë, për të diskutuar hollësitë e këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës. Në një deklaratë për opinionin, FMN-ja tha se, “diskutimet mbi buxhetin e vitit 2011, kanë avancuar, por ato nuk kanë mundur të përmbyllen”.

Ky institucion ngre edhe çështjen e rritjes substanciale për pagat e sektorit publik, gjë që parashihet të ndodhë me projekt-buxhetin e miratuar tashmë nga Qeveria.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se duhet marrë parasysh kërkesat e qytetarëve.

“Askund në letër nuk thuhet se do të rrezikohen fondet, se do të dalë një prej programeve. Është një letër shumë mirë e koordinuar me Qeverinë e Kosovës. Ne kemi qenë të vetëdijshëm për kërkesat që i kanë qytetarët tanë. Do të jemi në kuadër të programit, nuk do t’i humbim fondet dhe do të jemi të denjë edhe si partnerë”
, sqaroi Kuçi.

Në anën tjetër, deputeti Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se në projekt-buxhetin, të cilin e ka dorëzuar Qeveria në Kuvend, ekziston një rritje e pagave, por ende nuk dihet saktë se për cilët sektorë do të ketë rritje të pagave.

Visar Ymeri

“Mbetet të shihet se në çfarë përqindje apo çfarë ndarje përbrenda sektorëve të ndryshëm publikë do ta bëjë këtë ndarje. Diçka, po ashtu, e çuditshme që nuk shpjegohet në projekt-buxhet, është edhe ajo që në fillim thuhej se e tërë rritja e pagave do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës mbi 120 milionë euro shtesë, ndërkohe që tash ka një rritje prej vetëm 72 milionë eurosh. Kjo lë një hapësirë për t’u dyshuar nëse do të zbatohet në tërësi vendimi paraprak i Qeverisë”,
u shpreh Ymeri.

Sidoqoftë, projekt-buxheti për vitin 2011 pritet të dalë për shqyrtim në seancën e paraparë për 25 mars.

Lexoni edhe këto:
Sa e rrezikon buxhetin rritja e pagave?
Sigurimi i mjeteve për rritje pagash
Skepticizëm për rritje pagash

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG