Shiu vërshon Prishtinën
Rrugët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, janë vërshuar në pasditen e së dielës, si pasojë e një shiu të rrëmbyeshëm.
Shi ka rënë edhe në qytetet në afërsi, por nuk është raportuar për situatë të njëjtë.
Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të sigurta.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se ekipet emergjente janë në teren, bashkë me zjarrfikësit, për të sanuar gjendjen.
Nuk dihet çfarë dëme ka shkaktuar ky shi, pas një jave me temperatura të larta.
Situatë më kritike është raportuar në lagjet Bregu i Diellit dhe Mati.
Kosova është përballur me vërshime në disa qytete edhe në janar dhe në qershor të vitit të kaluar.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.