Policia e Shqipërisë arreston kandidatin opozitar për Bashkinë e Himarës

Policia e Shqipërisë, fotografi nga arkivi

Policia në Shqipëri ka arrestuar kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Himarës, Alfred Beleri. Ndalimi është bërë pak pas mesnatës, në kohën kur kandidati i koalicionit "Berisha-Meta" ndodhej në ambientet e jashtme të një lokali në pronësi të tij.

Së bashku me kandidatin e opozitës për Bashkinë e Himarës janë shoqëruar në polici edhe 3 persona të tjerë, anëtarë të shtabit elektoral të Belerit. Në urdhër-arrestin e firmosur nga Prokuroria e Vlorës theksohet se Beleri akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim".

"Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës", thuhet në proceverbalin e arrestimit.

SHIKONI EDHE: Si “shitet dhe blihet” vota në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama reagoi pas arrestimit dhe deklaroi se "Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën, Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.”

Arrestimi i Alfred Belerit vjen disa ditë pas debateve politike në lidhje me një deklaratë të tij në një intervistë në mediat greke. Sipas kryeministrit Edi Rama, kandidati i opozitës për bashkinë e Himarës, ka deklaruar në mediat greke se "Beleri ka premtuar helenizimin e Himarës".

Duke dënuar këtë deklaratë, kryeministri i kërkoi drejtuesve të koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" Sali Berisha dhe Ilir Meta të tërheqë kandidaturën e Belerit. Vetë kandidati opozitar reagoi duke thënë se nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë.

SHIKONI EDHE: KQZ e Shqipërisë kërkon nga prokuroria ta parandalojë shitblerjen e votave

Në lidhje me këto replikla në distancës mes tyre, pas arrestimit të kandidatit opozitar, kryeministri Rama sqaroi në rrjetet sociale se "beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”.

Ndërkaq drejtuesit e koalicioni "Bashkë Fitojmë", Sali Berisha dhe Ilir Meta e cilësuan arrestimin e Belerit si hakmarrje të kryeministrit Edi Rama.

Reagime për arrestimin e Belerit pati edhe nga Athina. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se ka informuar shefin për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja e shqetësuar nga raportimet për shitblerje të votave në Shqipëri

Për këtë çështje ambasadorja e Greqisë në Tiranë zhvilloi një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Pas ndalimit të Alfred Belerit, i cili është president i shoqatës OMONIA, organizatë politiko-shoqërore që mbron të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, reagoi Vangjel Dule, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), parti që përfaqëson minoritetin grek në jug të vendit.

"E rrëmbeu policia me urdhër të Ramës. Zoti Beleri duhet të lirohet menjëherë dhe të vazhdojë aktivitetin e tij si kandidatët e tjerë dhe të kurorëzojë fitoren që është e dukshme", tha Dule.

Beleri kishte njoftuar në rrjetet sociale një takim pasditen e sotme për të përmbyllkur fushatën zgjedhore. Përballë Belerit në Himarë garon kandidati i Partisë Socialiste, Gjergji Goro, kryetari aktual i kësaj bashkie në jug të Shqipërisë.