Parlamenti serb hapi dyert për deputetët e sanksionuar rusë

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladmiri Orliq, dhe deputetët rusë, Elena Afanasyeva, Andrej Chernishev dhe Vladimir Krugli, më 19 prill 2022.

Të sanksionuarit e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), janë mirëpritur në Beograd.

Parlamenti serb hapi dyert për tre deputetë rusë, të sanksionuar për mbështetjen e shkeljes së integritetit territorial të Ukrainës.

Ata arritën si një delegacion prej katër anëtarësh, i cili më 19 prill vizitoi Kuvendin e Serbisë. Ata u pritën edhe nga kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliq, ndërsa vazhduan takimet në qeverinë serbe edhe më 20 prill.

Delegacioni përfshinte anëtarë të Këshillit të Federatës dhe të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, Elena Afanasyeva, Andrei Chernyshev dhe Vladimir Krugli. Ndaj të gjithë atyre janë vendosur sanksione nga Perëndimi.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Olesja Padolina. Radio Evropa e Lirë (REL) nuk e gjeti emrin e saj në listën e zyrtarëve dhe qytetarëve rusë të sanksionuar.

SHIKONI EDHE: Ekskluzive: Diplomatët e dëbuar rusë gjejnë shtëpi në Beograd

Bashkimi Evropian i tha REL-it se një bashkëpunim normal me Rusinë dhe institucionet e saj nuk mund të vazhdojë.

Serbia mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, por është ndër të paktat vende evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.

Përveç nga kryetari i Kuvendit, deputetët rusë u pritën edhe nga disa anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë.

Parlamenti serb dhe zyra e presidentit nuk iu përgjigjën pyetjes së dërguar nga REL-i se pse ata pritën deputetët rusë të sanksionuar. Takimet me ta nuk ishin të hapura për media.

Çfarë thonë në ambasadën e Ukrainës?

Ambasada e Ukrainës në Serbi në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë tha se deputetët rusë, që ndodhen në Beograd, shpresojnë për mbështetje politike dhe ekonomike në përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të aneksuar territorin sovran të Ukrainës me referendume fiktive.

Ata janë të bindur se në mesin e të “dënuarve për krime të rënda të së drejtës ndërkombëtare” do të jenë edhe përfaqësues të qeverisë së shtetit agresor, thuhet në deklaratën e ambasadës.

SHIKONI EDHE: Si po hetohen krimet e luftës në Ukrainë?


“Anëtarë të delegacionit të Këshillit të Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë, të cilët, për fat të keq, ende kanë mundësi të vizitojnë Serbinë, aktualisht ndodhen në territorin e saj”, tha Ambasada e Ukrainës.

Pse janë sanksionuar?

Tre anëtarë të Dhomës së Lartë të Asamblesë Federale të Rusisë, së bashku me deputetë të tjerë rusë, janë në listën e sanksioneve të BE-së nga marsi i vitit 2022.

Në përgjigjen e BE-së për Radion Evropa e Lirë, thuhet se regjimi rus, përfshirë organet e tij legjislative, është përgjegjës për fillimin dhe autorizimin e agresionit dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe për krime lufte.

"E gjithë kjo ndodh nën mbikëqyrjen ose me miratimin e të dy dhomave të Dumës ruse. Përveç kësaj, të dy organet, Duma dhe Këshilli i Federatës, kanë dhënë pëlqimin e tyre për aneksimin e paligjshëm të territoreve të Ukrainës nga Putini", thuhet në përgjigje.

Në shtator të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dokumente me të cilat Rusia anekson zyrtarisht katër rajone të Ukrainës - Luhanskun, Donjeckun, Hersonin dhe Zaporizhjan.

SHIKONI EDHE: Rusia anekson katër rajone ukrainase, Zelensky kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione shtesë, duke përfshirë deputetë rusë, në mesin e të cilëve janë anëtarët e delegacionit që vizitoi Beogradin.

Në shpjegimin e Departamentit të Financave të SHBA-së të 30 shtatorit 2022, thuhet se sanksionet po vendosen për shkak të “mundësimit të mbajtjes së referendumeve të rreme të Rusisë dhe përpjekjeve për të aneksuar territorin sovran të Ukrainës”.

Gjithashtu u tha se në shkurt të atij viti, Këshilli i Federatës Ruse kishte miratuar njëzëri kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Dokumenti thekson, po ashtu, se anëtarët e Këshillit të Federatës miratuan një ligj, sipas të cilit mund të burgoset kushdo që publikon atë që autoritetet ruse e konsiderojnë si informacion të rremë në lidhje me pushtimin e Ukrainës, që Kremlini e quan një "operacion ushtarak special".

SHIKONI EDHE: Si po i zbaton Rusia ligjet për të heshtur kritikët e luftës në Ukrainë?

Tre deputetë rusë, të cilët ishin mysafirë të Kuvendit të Serbisë, janë sanksionuar nga Britania e Madhe dhe Ukraina.

Cilat janë mesazhet e takimit të deputetëve serbë dhe rusë?

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, para anëtarëve të delegacionit rus ripërsëriti qëndrimet e politikës zyrtare, njoftoi kabineti i tij.

Elena Afanasyeva, e cila kryeson delegacionin rus, tha se qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk do të ndryshojë.

Rusia, ashtu sikurse Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Beogradi llogarit edhe në mbështetjen e Rusisë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Delegacioni nga Moska është pritur edhe nga disa anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë në Parlamentin e Serbisë.

Deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë, anëtar i koalicionit qeverisës, Igor Braunoviq, i cili është në krye të këtij grupi miqësie, thotë se ai ka 98 anëtarë dhe se kjo flet për "rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare" me kolegët nga Rusia.

Braunoviq, siç njoftoi Parlamenti i Serbisë, i ka falënderuar deputetët rusë për mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

Ai shtoi se marrëveshjet për energjinë, si dhe bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor, janë shumë të rëndësishme për Serbinë.

Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, por kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të diversifikuar burimet e saj të furnizimit.

Elena Afanasyeva vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve mund të nxisë bashkëpunim më të ngushtë ekonomik, kulturor dhe arsimor.

Ndër të paktët anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë, të cilët u takuan me delegacionin rus, ishin deputetët e lëvizjes së djathtë, Dveri, Ivan Kostiq dhe Borko Pushkiq.

Në mars, ata vizituan Dumën ruse dhe më pas shprehën mendimin se plani evropian ishte "shkatërrues për Serbinë".

SHIKONI EDHE:

Me simbole ruse, djathtistët serbë protestojnë kundër marrëveshjes me KosovënDjathtistët serbë në Dumën ruse, kundër pavarësisë së Kosovës

Lëvizja e djathtë, Dveri, e kundërshton planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin në shkurt e pranuan presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përfaqësuesit e Dverit ishin ndër organizatorët e protestave të krahut të djathtë në Beograd gjatë marsit kundër planit evropian.

Kush janë deputetët rusë të sanksionuar?

Elena Afanasyeva është anëtare e Komitetit të Këshillit të Federatës për Çështje Ndërkombëtare dhe kryeson Grupin për bashkëpunim të Këshillit të Federatës me Parlamentin e Serbisë.

Afanasyeva, sipas The Moscow Times, ishte ndër autorët e ligjit që në dhjetor të vitit 2012 vendosi ndalesë për qytetarët amerikanë që të birësonin fëmijë jetimë nga Rusia.

Ajo është anëtare e Partisë ultra-nacionaliste Liberale Demokratike të Rusisë. Themelues dhe kryetar afatgjatë i kësaj partie deri në vdekjen e tij ishte Vladimir Zhirinovski.

Në faqen e saj zyrtare shihet se pas pushtimit, ajo ka vizituar edhe Donbasin, territorin ukrainas të aneksuar nga Rusia.

"Sot jemi në Donbas. Kemi sjellë qindra kilogramë ndihma humanitare", ishte njoftimi i publikuar në faqen e saj në mars të vitit 2022.

Andrej Chernyshev është anëtar i Bordit të Këshillit të Federatës për Politikë Sociale.

Ai ka qenë anëtar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, e cila ka mbështetjen e Kremlinit, që nga viti 2008.

Ai është edhe anëtar i Bordit të drejtorëve të klubit të ragbit CSKA.

Vladimr Krugli është anëtar i Komitetit të Këshillit të Federatës për organizimin e veprimtarive parlamentare. Ai është anëtar i partisë Rusia e Bashkuar.

Olesja Padolina u prezantua si këshilltare kryesore e Drejtorisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës, gjatë takimeve në Beograd më 19 prill.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
*Kontribuoi: Iva Gajiq