Korrupsioni në Kosovë hyn kah dera e prokurimit

Ilustrim

Korrupsioni në prokurimin publik dhe zvarritja e këtyre rasteve dhe të tjerave në prokurori e gjykata kanë bërë që Kosova, në raporte ndërkombëtare, të renditet në mesin e vendeve me nivel të lartë të korrupsionit, thonë organizatat që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Transparency International e ka renditur sërish Kosovën në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit, pavarësisht se është shënuar një përparim i lehtë.

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, thotë se prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës nuk janë efikase në hetimin dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, sidomos në fushën e keqpërdorimit në prokurim publik.

“Prolongimi i këtyre rasteve ka qenë aq i gjatë, saqë në disa raste ndoshta edhe i ka humbur kuptimi vetë nxjerrjes së një vendimi meritor nga ana e gjykatës kompetente”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në bazë të monitorimit sistematik të rasteve të korrupsionit në prokurim publik, del se këto raste, të cilat dyshohet se lidhen me qindra-mijëra dhe miliona euro keqpërdorime, vazhdojnë të zvarriten me vite. Në të shumtën e tyre, shton ai, aktgjykimet janë shfajësuese për të akuzuarit.

“Sistemi i drejtësisë nuk është i fokusuar në drejtim të luftimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik përmes sekuestrimit dhe konfiskimit, për shkak se prokurorët, në parim, vetëm në raste përjashtuese parashtrojnë kërkesë për sekuestrimin dhe konfiskimin e parave që janë përfituar apo përdorur për kryerjen e veprës penale”, thotë Shala.

SHIKONI EDHE: Auditori shpërfaq shkeljet në institucione në vitin pandemik

Shala thotë se prokuroria, në vazhdimësi, ka heshtur edhe në raport me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në të cilat identifikohen shkelje dhe keqpërdorime në prokurim publik, si nga niveli qendror, ashtu edhe nga komunat.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) bën të ditur se gjatë vitit 2021 ka pasur në trajtim gjithsej 23 raste, që kanë qenë të lidhura me keqpërdorime në fushën e prokurimit publik.

Sipas KPK-së, në këto raste kanë qenë të përfshirë gjithsej 58 persona.

Prej këtyre rasteve janë zgjidhur vetëm 10, në të cilat kanë qenë të përfshirë 27 persona.

Trembëdhjetë raste mbesin të pazgjidhura dhe përfshijnë 31 persona.

KPK-ja nuk ofron të dhëna se sa raste janë iniciuar bazuar në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për zgjidhjen e një rasti, 2,125 ditë

Dhjetorin e vitit të kaluar, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin: “Ndjekja dhe Gjykimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”.

Në këtë raport janë identifikuar disa raste, kur sistemit të drejtësisë i janë dashur njëmijë e më shumë ditë për t’i zgjidhur ato.

Një nga këto raste, ku të dyshuarit akuzoheshin për keqpërdorim në procedura të prokurimit publik, ishte ai i ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe gjashtë personave të tjerë.

Sipas IKD-së, më 2 shtator, 2012, është ngritur kallëzim penal kundër asokohe kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Më 5 tetor, 2012, një prokuror i EULEX-it - misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë - ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimit, kurse më 16 janar, 2015, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Sami Lushtakut, Esat Tahirit, Milazim Lushtakut, Driton Pruthit, Arben Gjukajt, Hysni Hoxhës dhe Azem Durakut për veprat penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumenteve në bashkëkryerje”, “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit” dhe “mashtrim”.

Your browser doesn’t support HTML5

Amnistia e korrupsionit përmes vjetërsimit të lëndëve

Ata janë akuzuar për keqpërdorim të një tenderi milionësh për sigurim fizik të objekteve të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Nga EULEX-i, rasti ka kaluar te vendorët dhe është zvarritur për arsye të ndryshme, duke bërë që gjatë procesit gjyqësor të shtyhen gjithsej 14 seanca gjyqësore - herë me arsyetime të gjykatës, herë të prokurorisë e herë të mbrojtëseve.

Më 20 maj, 2019, Lushtaku dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, rasti ka shkuar në Gjykatën e Apelit, ku, në nëntor të vitit 2020, kjo gjykatë ka vërtetuar aktgjykimin lirues për Lushtakun dhe të tjerët.

Nga dita e ngritjes së aktakuzës e deri në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit kanë kaluar gjithsej 2,125 ditë.

Çfarë e ka ndikuar përparimin në renditjen e Tranparency International?

Arben Kelmendi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) - degë e rrjetit global në luftën kundër korrupsionit “Transparency International” - thotë se pavarësisht se është renditur disa pikë më mirë se në indeksin e vitit të kaluar, Kosova mbetet në mesin e shteteve me nivel të lartë të korrupsionit.

Këtë vit, Kosova është vlerësuar me 39 pikë - tri më shumë sesa vitin e kaluar.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Kelmendi përmend proceset zgjedhore dhe tranzicionin demokratik të pushtetit, që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2021, si indikacione pozitive që e kanë renditur Kosovën më lart.

Si indikacione të ngjashme, ai veçon edhe arrestimet për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, arrestimet për rastet e keqpërdorimit të subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë në Kosovë, si dhe arrestimet për ndërtimet në Brezovicë.

“Të gjitha këto raste janë nën hetim, mirëpo tregojnë se është intensifikuar puna edhe në Prokurorinë e Shtetit. Ne besojmë se kjo vjen si rrjedhojë e ndryshimeve në Kosovë dhe krijimit të një ambienti më të sigurt edhe për prokurorinë, edhe për gjyqësorin, në përmbushjen e obligimeve të tyre ligjore që i kanë në ndjekjen e krimit dhe korrupsionit”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Në një komunikatë të lëshuar nga KDI të martën, thuhet se për t’u vazhduar progresi në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, institucionet e Kosovës, mes tjerash, duhet të vazhdojnë zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit duhet të intensifikohet në drejtim të masave parandaluese dhe transparenca dhe llogaridhënia duhet të rriten në të gjitha fazat e procedurave të prokurimit publik.

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se në bazë të monitorimit të rasteve gjyqësore, del se zyrtarët e lartë kanë mbetur të paprekshëm për sistemin e drejtësisë.

“Duhet ta kemi parasysh se nga të gjitha rastet e korrupsionit, ne ende nuk e kemi një zyrtar të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv”, thotë Shala.

SHIKONI EDHE: Asnjë i dënuar me burgim efektiv për korrupsion të nivelit të lartë

Lëvizja “FOL”, e cila bën fushatë kundër korrupsionit në Kosovë, ka publikuar në muajin dhjetor të vitit 2021 një raport të titulluar: “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”.

Sipas këtij raporti, mbi gjysma e bizneseve të anketuara, apo 56 për qind, mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm.

Ky raport evidenton se disa praktika negative që ndikojnë në procesin e prokurimit publik, janë: përshtatja e specifikave tenderuese për kompani të caktuara, paqartësia e informatave në tenderë, abuzimi me dispozita ligjore për përfitime apo edhe konflikti i interesit.

Nga bizneset e intervistuara për këtë raport, 45 për qind kanë thënë se besojnë se në procese tenderuese përshtaten specifikat për kompani të caktuara.

Për dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në muajin tetor të vitit 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-sekretarit të kësaj ministrie, Demush Shasha, dhe tre personave të tjerë.

Siç thuhet në aktakuzë, ministrja Hoxha, më 11 maj, 2018, ka kërkuar nga Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit: “Shërbime të konsulencës për nevojat e Ministrisë për Integrime Evropiane”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e kompanisë “Majorelle PR & Events”, me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, ish-ministrja Hoxha ka ndërhyrë në procedura të prokurimit, edhe pse e ka ditur se nuk është kompetencë e saj. Dëmi i pretenduar nga ky veprim, në aktakuzë thuhet se është rreth 500 mijë euro.

Ky rast është në proces gjyqësor.

Aksionet anti-korrupsion

Gjatë vitit 2021 janë zhvilluar disa aksione kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dhjetëra persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të subvencioneve të ndara për bujqit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

Në mesin e të arrestuarve ka edhe zyrtarë të kësaj ministrie, si dhe qytetarë që kanë përfituar jashtëligjshëm.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të cilët akuzohen për disa vepra penale në lidhje me vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

SHIKONI EDHE: Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se përfitoi kundërligjshëm një milion euro

Në fillim të këtij viti, në një aksion të gjerë janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, nën dyshimet për marrje të ryshfetit dhe dhënien e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë.