FH: Kosova shënon kthim mbrapa në demokratizim

Ilustrim.

Për herë të parë pas pesë vjetëve, Kosova ka shënuar kthim mbrapa në raportin e organizatës ndërkombëtare Freedom House, për demokratizimin e vendeve.

Në tabelën prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta me të lartin, Kosova i ka 3.14 pikë, në krahasim me 3.18 sa ka pasur vitin e kaluar.

Sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, kanë shënuar rënie po ashtu, derisa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar përparim.

Kroacia nuk ka ndërruar pikët.

Në raport është thënë se në përgjithësi viti 2020 nuk ka qenë i mirë për reforma, dhe në shumë vende ku ka pasur shpresë për ndryshim, mundësia është flakur tutje.

Aty përmendet se ndonëse në Kosovë dhe në Mal të Zi ka pasur transferime të rëndësishme të pushtetit, ende nuk është e qartë nëse ndryshimet do të ndikojnë në përmirësim të institucioneve demokratike.

Raporti përmend edhe rritjen e shkallës së daljes në zgjedhje në Kosovë përkatësisht 3.4 për qind më shumë më 2019 dhe 7.7 për qind më 2021, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

“Ndonëse fitorja e Partisë Vetëvendosje përbën shkëputje të mirëfilltë nga status quo-ja, mbështetja që ka kjo parti për bashkim me Shqipërinë, mund të trazojë gjithë rajonin”, kanë thënë hartuesit e raportit.

SHIKONI EDHE: Qeveria e Kosovës si opozitë në Shqipëri

Përveç Kosovës, dalje më e lartë në zgjedhje është regjistruar edhe në Mal të Zi, mirëpo e kundërta është thënë të ketë ndodhur në Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në raport përmendet edhe se ndonëse Kosova ka vite që përfshihet në mesin e vendeve me regjime hibride, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia vetëm së fundmi janë klasifikuar si të tilla.

Përpiluesit e raportit kanë përmendur Kosovën bashkë me Malin e Zi, Moldavinë dhe Sllovakinë, kur kanë qenë në pyetje shifrat e dobëta sa i përket vlerësimeve për korrupsion.

Regjimi më i shpeshtë në Ballkan vazhdon të mbetet “hibrid/kalimtar.

Përjashtim bën Kroacia, e cila konsiderohet demokraci gjysmë e konsoliduar.

Kthesa antidemokratike

Në raportin e sivjetshëm të organizatës ndërkombëtare Freedom Hourse të titulluar, Kombet në Tranzicion 2021: Kthesa antidemokratike, është vlerësuar se liderët e zgjedhur në Evropë dhe Euroazi janë duke dëmtuar edhe institucionet që i kanë dërguar vetë ata në pushtet, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare.

Sipas tij, në Evropë dhe Euroazi ka më pak demokraci sesa në secilën pikë, prej nisjes së hartimit të këtij raporti 26 vjet më parë.

Nga 29 vendet e analizuara, 10 janë cilësuar demokratike, 10 hibride dhe nëntë autoritare. Asnjë shtet nuk ka ndryshuar kategorinë këtë vit.

Rënia më e madhe është parë në Poloni dhe Hungari.

Në mesin e liderëve, të cilët besohet se janë kthyer drejt formave antidemokratike të qeverisjes është përmendur kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili është thënë se zbaton një model të shtypjes së mediave të pavarura, i cili është përhapur edhe në Poloni dhe Serbi.

SHIKONI EDHE: Hungaria mbyll radion e fundit të pavarur

“Ulja e shkallës së demokracisë në Evropë dhe Euroazi është shumë shqetësuese, sidomos kur kemi parasysh se janë bërë 15 vjet prej përkeqësimit të demokracisë në nivel global’, Zselyke Csaky, drejtore për Evropën dhe Euroazinë në Freedom House.

“Autoritarizmi nuk është problem i pastër kombëtar, dhe ai mund të përhapet për të infektuar gjithë rajonin, apo edhe kontinentin. Demokracitë evropiane dhe grupet e shoqërisë civile duhet të koordinohen në mbështetje të lëvizjeve prodemokratike në shtetet ku autoritarizmi është duke krijuar rrënjë. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda, mirëpo për t’iu dhënë mundësi përpjekjeve për ndalje të valës antidemokratike, demokracitë evropiane dhe partnerët e tyre duhet të kapërcejnë gënjeshtrën se autokracia është alternativë e vlefshme ndaj demokracisë”.

Ky raport ka analizuar qeverisjen në 29 shtete nga Evropa Qendrore deri në Azinë Qendrore.

Rezultatet për secilin shtet bazohen varësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën janar-dhjetor 2020.