Presidenti francez, Emmanuel Macron i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se ai është seriozisht i shqetësuar për shëndetin e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny. Zyra e presidentit Macron njoftoi për një bisedë telefonike të zhvilluar mes dy liderëve.
Macron gjatë bisedës gjithashtu ngriti nevojën e "respektimit të të drejtave themelore të Navalnyt".
Më herët të hënën, Gjermania dënoi një urdhër nga prokurorët rusë për të pezulluar të gjitha veprimtaritë e Fondacionit Antikorrupsion të Navalny (FBK) dhe rrjetit të saj rajonal.
SHIKONI EDHE: Mbi 1.700 mbështetës të Navalnyt u arrestuan anembanë RusisëMacron gjithashtu i bëri thirrje udhëheqësit rus të "angazhohet me mirëbesim dhe në një mënyrë të qëndrueshme për një ulje të tensioneve me Ukrainën”.
Gjithashtu ai bëri thirrje për një tërheqje të trupave dhe pajisjeve të rënda në kufi, si dhe për një riafirmim të qartë të armëpushimit dhe një rihapje të besueshme e dialogu.
Të premten (23 prill) Navalny njoftoi se do ta përfundojë grevën e tij të urisë.
Përmes një postimi në Instagram, Navalny tha se shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe se po vazhdon të kërkojë që ai të kontrollohet nga mjekët e tij personal.
Më 22 prill, mjekët i thanë atij se duhet ta përfundojë grevën e urisë, dhe se nëse ajo vazhdon edhe pak "nuk do të kenë më një pacient për të trajtuar".
Ai kishte hyrë në grevë urie pasi kërkonte trajtim më të mirë në burg.
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas sulmin me agjent helmues në Siberi. Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor kimik - Noviçok - ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.
Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që ndërsa ishte në Gjermani, Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një lëndë e vjetër gjyqësore.