Ndërlidhjet

Mbi 1.700 mbështetës të Navalnyt u arrestuan anembanë Rusisë


Një grua diskuton me oficerin e policisë gjatë një proteste në mbështetje të udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse Aleksei Navalny.
Një grua diskuton me oficerin e policisë gjatë një proteste në mbështetje të udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse Aleksei Navalny.

Më shumë se 1.700 protestues janë arrestuar nga policia ruse në të gjithë vendin gjatë protestave për lirimin e liderit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny.

Protestat mbarëkombëtare u mbajtën vetëm disa ditë pasi autoritetet ruse filluan procedurat për të mbyllur e Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny (FBK), me pretendimin se ajo është një organizatë "ekstremiste".

Për shumë vite, FBK e Navalnyt e ka tronditur Kremlinin me hetimet e saj për pasurinë e pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë atë të presidentit rus, Vladimir Putin.

"Është e qartë pse kemi ardhur sot. Ne duam liri për Navalnyn", i tha Radios Evropa e Lirë, Evgeny Fartuk, një inxhinier 35-vjeçar i cili iu bashkua protestës në Moskë.

Organizata Human Rights Watch (HRW) më 22 prill dënoi goditjen ndaj protestuesve.

“Krahasuar me protestat në janar dhe shkurt, në ato të 21 prillit kishte më pak dhunë nga ana e policisë, por goditja e vazhdueshme e autoriteteve ndaj lirisë së tubimit është plotësisht e pajustifikuar", tha Damelya Aitkhozhina nga Human Rights Watch.

Navalny gjendet në burg dhe gjendja e tij shëndetësore është e përkeqësuar.

Ekipi i Navalnyt organizoi protesta në më shumë se 160 qytete ruse për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tij shëndetësore. Protestuesit kërkojnë që autoritetet e burgut t’ia mundësojnë mjekimin nga ana e mjekëve të pavarur.

Më 19 prill, Alexei Liptser, avokati i Navalnyt, i cili është në grevë urie tash e tri javë, ka thënë se klienti i tij duket “keq”, duke rritur shqetësimet për shëndetin e tij.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas helmimit në Siberi në muajin gusht.

Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor Noviçok ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus Vladimir Putin. Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.

Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një vendim i mëhershëm gjyqësor. Gjykata vendosi se ai duhet të kryejë pjesën tjetër të burgut.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalny dhe shtypjen e protestuesve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG