Në Kosovë nis vaksinimi i të moshuarve në shtëpi kujdesi dhe i pacientëve në dializë

Ilustrim.

Të mërkurën në Kosovë ka nisur procesi i vaksinimit të të moshuarve që janë nëpër shtëpi të kujdesit dhe për punëtorët socialë, të cilët përkujdesen për ta, në komunat ku ka institucione të tilla.

Përveç tyre, në këtë ditë do të vaksinohen edhe pacientët që janë në dializë.

Vaksinimi kundër koronavirusit në Prishtinë zhvillohet në Sallën “1 Tetori”, ndërsa në qytetet tjera, nëpër qendra të mjekësisë familjare.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

SHIKONI EDHE: Pfizer/BioNTech së shpejti në Kosovë, çka duhet të dini?