Ndërlidhjet

Pfizer/BioNTech së shpejti në Kosovë, çka duhet të dini?


Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech.
Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech.

Mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit pritet të arrijnë në Kosovë deri në fund të qershorit.

Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për synim shpërndarjen e vaksinave në vendet në zhvillim, tha të hënën se 100,620 dozat në fjalë do të arrijnë gjatë rundit të tretë të shpërndarjes, që përfshin periudhën prill-qershor 2021.

Në fund të marsit, Kosova siguroi nga COVAX 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca. Të tilla pritet të sigurojë edhe 76,800, deri në fund të majit.

Fushata e vaksinimit në Kosovë filloi më 29 mars.

Prioritet në imunizim aktualisht kanë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.

Si funksionin vaksina Pfizer/BioNTech?

Vaksina e kompanisë farmaceutike amerikane Pfizer dhe asaj gjermane BioNTech përdoret për parandalimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Rregullatorët shëndetësorë në SHBA dhe Evropë e kanë miratuar për përdorim te personat 16 vjeç e lart.

Siguria dhe efektiviteti i saj te njerëzit nën 16 vjeç janë në studim e sipër.

Vaksina Pfizer/BioNTech ka për bazë përbërësin medicinal ARNm, apo acidin ribonukleik mesazher.

Vaksinat me këtë përbërës i mësojnë qelizat e trupit të njeriut se si të prodhojnë një proteinë, që do të nxiste përgjigjen imunitare, pa përdorur virusin e gjallë që shkakton sëmundjen COVID-19.

Pasi të nxitet, trupi i njeriut prodhon antitrupa.

Këta antitrupa, pastaj, ndihmojnë të luftojnë infeksionin, nëse virusi hyn në trup.

Si jepet vaksina Pfizer/BioNTech?

Vaksina bëhet me anë të një injeksioni (0.3 ml) në muskulin e krahut. Që ajo të funksionojë më mirë, duhet të jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej 21 ditësh.

Imuniteti zhvillohet me kalimin e kohës. Por, duhen rreth dy javë për të krijuar mbrojtje të konsiderueshme kundër sëmundjes COVID-19.

Bazuar në studimin e rreth 44,000 personave që kanë marrë pjesë në prova, vaksina Pfizer/BioNTech ka dalë të jetë 95 për qind efektive në parandalimin e COVID-19, duke filluar një javë pas dozës së dytë.

Për krahasim, vaksina kundër gripit stinor është 40-60 për qind efektive, në rastin më të mirë, sepse virusi i gripit vazhdon të evoluojë në forma të reja vit pas viti.

Dy doza të vaksinës së fruthit, ndërkaq, janë 97 për qind efektive.

Efektet e mundshme anësore

Në përgjithësi, efektet anësore që janë vërejtur gjatë provave klinike, janë të ngjashme me ato që mund shkaktojnë vaksinat tjera.

Efektet anësore që kanë pasuar administrimin e vaksinës në provat klinike, kanë qenë të lehta ose të moderuara.

Ato kanë përfshirë: dhimbje në vendin e injektimit, dridhje të trupit, ndjenjë të lodhjes dhe ethe.

Ashtu si me të gjitha vaksinat, ka shanse që të ketë efekte serioze anësore, por ato janë të rralla.

Një efekt serioz anësor mund të jetë reaksioni alergjik.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, reaksioni alergjik konsiderohet i rëndë kur një person ka nevojë të mjekohet me epinefrinë ose duhet të shkojë në spital.

Reaksioni i menjëhershëm alergjik nënkupton reagimin brenda 4 orësh nga vaksinimi, me simptoma që përfshijnë ënjtje ose skuqje në lëkurë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG