Pandemia COVID-19 është në një fazë kritike, tha të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Pas rënies së rasteve dhe të vdekjeve në fillim të vitit, situata globale është duke u përkeqësuar në javët e fundit, tha OBSH-ja.
“Jemi në një fazë kritike të pandemisë. Trajektorja e saj po rritet. Është duke u rritur në mënyrë dramatike”, tha Maria van Kerkhove, epidemiologe në OBSH.
Koronavirusi ka vrarë mbi 2.9 milionë njerëz prejse është shfaqur për herë të parë në fund të vitit 2019.
Mbi 136 milionë vetë janë infektuar në total.
Në nivel global, “kemi parë shtatë javë rresht të rasteve në rritje dhe katër javë të vdekjeve në rritje”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Javën e kaluar është regjistruar “numri i katërt më i lartë i rasteve në një javë të vetme”, tha ai.
Rritja e rasteve vjen me gjithë shpërndarjen dhe administrimin e vaksinave në shumë vende të botës.
Deri më tash, rreth 780 milionë vaksina janë administruar globalisht, por autoritetet shëndetësore thonë se duhet të vazhdojë veshja e maskave, si dhe ruajtja e distancës fizike, për të përmbysur trajektoren.
“Ne gjithashtu duam të shohim rihapjen e shoqërive dhe ekonomive, si dhe rifillimin e udhëtimeve dhe të tregtisë”, tha Tedros.
“Por, tani, njësitë e kujdesit intensiv në shumë vende janë të tejmbushura dhe njerëzit po vdesin. Kjo mund të shmanget”, shtoi ai.
Sipas tij, pandemia është larg fundit, por “ka shumë arsye për optimizëm”.
”Rënia e rasteve dhe vdekjeve gjatë dy muajve të parë të vitit tregon se ky virus dhe variantet e tij mund të ndalen”, tha Tedros.