Irani dhe një grup i fuqive botërore po mbajnë bisedime më 2 prill, lidhur me mundësinë e rikthimit të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015.
Vendimi për bisedime, që po mbahen në mënyrë virtuale, është mirëpritur nga Uashingtoni, që ka thënë se është i gatshëm të ndërmarrë “hapa të përbashkët” për rikthimin në marrëveshjen bërthamore.
Në këto bisedime po marrin pjesë përfaqësuesit e Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Britanisë dhe Iranit – që të gjitha këto shtete nënshkruese të marrëveshjes – njoftoi Bashkimi Evropian më 1 prill.
“Pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi prospektet për rikthimin e mundshëm të Shteteve të Bashkuara në këtë marrëveshje dhe se si të sigurohemi që marrëveshja të zbatohet nga të gjitha palët”, thuhet në njoftim.
SHIKONI EDHE: Irani refuzon të ulë nivelin e pasurimit të uraniumitKy takim virutal po kryesohet nga diplomati i BE-së, Enrique Mora.
Më 1 prill SHBA-ja tha se mirëpret këto bisedime.
“Ne natyrisht se e mirëpresim këtë hap pozitiv”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, duke shtuar se SHBA-ja po diskuton për “hapa të përbashkët” për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2018 kishte për qëllim që të lehtësonte sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit, me qëllim që Teherani të frenonte programin e tij bërthamor. Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.
Por, më 2018, SHBA-ja, nën udhëheqjen e Donald Trumpit, u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.
Administrata e re e presidentit amerikan, Joe Biden ka dhënë sinjale se është e gatshme që të rikthehet në marrëveshje, por Uashingtoni insiston që Teherani fillimisht duhet të respektojë zotimet që dalin nga kjo marrëveshje. Pasi SHBA-ja doli nga marrëveshja, Irani nisi që të shkelte zotimet e këtij pakti.