Thirrjet e politikanëve nga Kosova, drejtuar diasporës shqiptare, për t’u regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë - që ka nisur në Maqedoninë e Veriut fillimisht me shtetasit që jetojnë jashtë vendit - kanë nxitur reagime të shumta në brenda këtij vendi.
“Meqë edhe me Kushtetutën aktuale, të drejtat politike të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut diktohen dhe burojnë nga numrat, regjistrimi i çdo qytetari është tejet i rëndësishëm”, u ka thënë mërgimtarëve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
SHIKONI EDHE: Grubi, në Kosovë për procesin e regjistrimit të diasporësKurti ka thënë mes tjerash se qendrat e LVV-së, që ndodhen në shtetet e ndryshme në Evropë dhe gjetiu, do të vendosen në shërbim të shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nëse ata kanë nevojë për ndihmë gjatë regjistrimit.
Mesazhe të ngjashme për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë kanë dërguar edhe Vjosa Osmani, kandidate për pozitën e presidentit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Thirrje e tilla, liderët e opozitës maqedonase i kanë vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Opozita maqedonase ka reaguar dhe ndaj takimeve që ka realizuar zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi me zyrtarë të lartë të Kosovës, për çështjen e regjistrimit.
Ata kanë thënë se regjistrimi është shndërruar në operacion politik, në vend se të jetë statistikor, andaj edhe kanë kërkuar urgjentisht anulimin e regjistrimit.
Opozita maqedonase “E Majta” (Levica), i ka konsideruar thirrjet e Kurtit si ndërhyrje flagrante në politikbërjen e Maqedonisë së Veriut.
“Thirrja nga ana e zyrtarëve të Kosovës, drejtuar diasporës shqiptare, që ajo në mënyrë masive të regjistrohet, paraqet dëshmi flagrante për përzierje në punët e brendshme në Maqedoni (të Veriut). Problem shtesë paraqet edhe numri i madh i letërnjoftimeve për të cilat ka dyshime se u janë shpërndarë në rrethana të dyshimta shtetasve të Kosovës”, theksohet në reagimin e partisë maqedonase në opozitë "E Majta".
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Konceptit Maqedonas, Petar Bogojeski me ç’rast, siç ka theksuar ai në një status në profilin e tij në Facebook, Albin Kurti duhet të shohë oborrin e vet.
“Albin Kurti duhet ta shohë oborrin e vet në Kosovë. Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë (së Veriut) dhe është e papranueshme. Artan Grubi, bën thirrje të regjistrohen shqiptarët dhe harron se është zëvendëskryeministër i Maqedonisë (së Veriut) dhe gjithë qytetarëve të shtetit. Bujar Osmani, bën turne me para shtetërore që të regjistrohen shqiptarë dhe harron se Ministria e Punëve të Jashtme është e Maqedonisë (së Veriut) dhe se duhet të takohet me të gjithë nga diaspora e shtetit maqedonas”, ka thënë Bogojeski.
Për opozitën maqedonase janë të papranueshme takimet që ka realizuar së fundmi dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, me qëllim të sensibilizimit të diasporës që të përfshihet në procesin e regjistrimit.
“Qytetarët tanë vdesin teksa regjimi vrapon pas realizmit të marrëveshjeve politike”, kanë theksuar disa zyrtarë nga partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, duke kërkuar kërkuar që regjistrimi të shtyhet për në vjeshtë, kur regjistruesit do të mund të imunizohen me vaksina kundër koronavirusit.
Por, Ilmi Semami, zëvendësdrejtor i Entit Shtetëror të Statistikave, thotë se nuk ka asgjë kontestuese në angazhimin e zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe zyrtarëve të lartë të Kosovës në sensibilizimin e diasporës, që në numër sa më të madh të përfshihet në procesin e regjistrimit.
“Puna e tyre (zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut, Grubit dhe Osmanit) ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm, sepse nuk është vetëm një takim, por kjo ka implikuar dhe thirrjet apo apelet që kanë bërë personat shumë të rëndësishëm në Republikën e Kosovës. Zëvendëskryeministri Artan Grubi udhëtoi edhe drejt Shqipërisë ku do të takojë politikanë dhe figura me ndikim edhe atje. E gjithë kjo me qëllim të sensibilizimit të diasporës për t'u regjistruar”, thotë Selami.
Edhe opozita shqiptare thotë se ndihma e zyrtarëve të lartë të Kosovës është shumë e rëndësishme për faktin se më shumë të drejta të shqiptarëve lidhen me përqindjen e përkatësisë etnike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
SHIKONI EDHE: Ligji për përdorimin e gjuhëve, pjesërisht i zbatueshëm“Sa u takon thirrjeve për regjistrim nga shumë eksponentë politikë të Kosovës, për regjistrimin e diasporës shqiptare, vlerësoj se nuk ka asgjë për t’u habitur, për arsye të peshës dhe rëndësisë që e ka regjistrimi i popullatës, përkatësisht numri i shqiptarëve, për arsye se pozita juridike kushtetuese dhe zhvillimi socio-ekonomik i tyre fatkeqësisht dhe çuditërisht është i varur dhe i lidhur nga përqindja”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Elmi Aziri, deputet i opozitës shqiptare Aleanca për Shqiptarët- Alternativa.
Ndryshe, nga Enti Shtetëror i Statistikave thonë se procesi i regjistrimit të diasporës po zhvillohet pa probleme, ndërkohë që janë regjistruar më shumë se 120 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut në diasporë, duke nënvizuar se presin që të përshpejtohet dinamika e regjistrimit nga vetë mërgata, gjatë ditëve në vijim.
Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit Shtetëror të Statistikave thotë se në bazë të kësaj situate, dikasteri që ai drejton pret që, deri më 21 prill të regjistrohen më shumë se 300 mijë qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët gjenden jashtë vendit.
Të gjithë qytetarët me nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë jashtë vendit, mund të regjistrohen vetë deri më 21 prill të këtij viti.
Nëse këtë nuk arrijnë ta bëjnë vetë këtë gjë, atëherë regjistrimin e tyre mund ta bëjnë të afërmit, të cilët ndodhen në Maqedoninë e Veriut gjatë realizmit të procesit të regjistrimit.
Ky proces fillon më 1 prill dhe zgjat deri më 21 prill.