Në një qendër vaksinimi në Kukës të Shqipërisë ka filluar imunizimi i grupit të parë të punëtorëve shëndetësorë nga Kosova.
Hamide Miftaraj, mjeke në Qendrën Mjekësore Familjare në Drenas, i tha gazetarit të REL-it, se po ndjehet shumë mirë që ka arritur për vaksinim në Kukës.
"Ndjenjë shumë e mirë. Jemi grupi i parë që vaksinohemi, kemi nderin që vijmë në Shqipëri për t'u vaksinuar, shpresoj që shumë shpejt të vije vaksina edhe në Kosovë, të vaksinohen të gjithë kolegët tanë dhe në përgjithësi e gjithë popullata", tha ajo.
Në kët fazë, Shqipëria do të vaksinojë 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës.
Imunizimi është duke u bërë me vaksinën e AstraZeneca-s e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Shqipëria në muajin mars është furnizuar me 38.400 doza të vaksinës së AstraZeneca-s.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në këtë qendër vaksinimi, tha se Shqipëria është e gatshme të bëjë edhe më shumë për Kosovën, por për momentin “është e rëndësishme të fillohet vaksinimi i punonjësve shëndetësorë”.
“Kompanitë nuk lejojnë rieksportim, nëse ne do të nxirrnim nga territori vaksinat do të kishin problem të madh. Është në kontratë. Kemi filluar me 500 (punonjës shëndetësorë) do vazhdojmë patjetër, nuk do t’iu lëmë në asnjë mënyrë vetëm atje sepse në fund të fundit ne jemi një”, tha kryeministri Rama.
Më 19 mars Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se të shtunën 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës, Shqipëri. Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.
SHIKONI EDHE: Ende nuk dihet se kur do të arrijnë vaksinat në KosovëKosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX - skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.
SHIKONI EDHE: Kosova mund t'i përfitojë vaksinat përmes COVAX-it deri në majDrejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.
Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.
Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.
Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit.
Prej tyre 1.744 pacientë kanë vdekur.