Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë nuk kanë ende informacione se kur pritet të mbërrijnë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit në Kosovë.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave pranë OBSH-së në Kosovë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të martën se Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme, që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave përmes programit COVAX, të fillojë vaksinimi i qytetarëve.
COVAX është një nismë e OBSH-së që synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vendet në zhvillim.
Hoti ka thënë më herët se kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinave pritet të arrijë deri në fund të muajit mars.
Vaksina e parë që pritet të arrijë në Kosovë është ajo e kompanisë britanike/suedeze AstraZeneca, e krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.
Përdorimi i kësaj vaksine është pezulluar në disa vende të Evropës dhe të tjera, pas raporteve se ajo shkakton mpiksje gjaku.
Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se të dhënat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina ka shkaktuar mpiksjen dhe se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen.
Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, i cili është edhe kryesues i Bordit Këshillëdhënës për Koronavirus, tha për Radion Evropa e Lirë se, në kohë pandemie, ndalimi i vaksinimit e dëmton besimin në vaksina dhe se “mosvaksinimi mund të kushtojë me jetë njerëzish”.
“Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë dhe mund të presë 2-3 ditë konkluzat e Agjencisë Evropiane të Barnave”, tha Raka.
Agjencia Evropiane e Barnave, e cila po rishikon incidentet e mpiksjes së gjakut, do të mbajë sot një takim.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit.