Greqia i kërkon Turqisë të zbatojë marrëveshjen për migrantët

Migrantët sirianë në qytetin Edirne të Turqisë.

Ministri i Migracionit në Greqi, Notis Mitarachi, i bëri thirrje Turqisë të marrë mbrapa 1.450 migrantë. Ky veprim, sipas tij, do të tregonte gatishmërinë e Ankarasë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian në kuadër të marrëveshjes së vitit 2016.

"Ne i kemi propozuar Turqisë që të rifillojë kthimet e atyre që nuk kanë të drejtë për të fituar mbrojtje", i tha Mitarachi agjencisë AFP. Marrëveshja Turqi-BE obligonte shtetin turk të mbajë azilkërkuesit, kryesisht nga Siria, në këmbim të një pagese prej 6 miliardë eurosh nga ana e BE-së. Sipas Komisionit Evropian, 4.1 miliardë euro tashmë janë transferuar në Turqi dhe dy miliardat e mbetura janë kontraktuar në projekte për të mbështetur refugjatët.

SHIKONI EDHE: Policia greke përdorë gaz lotsjellës ndaj migranëve në Lesbos

Por, Ankaraja kundërshton shifrat e BE-së, duke pretenduar se vetëm 3.6 miliardë euro janë shpenzuar për sirianët. Turqia mban rreth 3.7 milionë sirianë në tokën e saj.

"Turqia ka ndërmarrë përgjegjësi të caktuara, sikurse ka bërë BE-ja. Të dyja palët duhet të përmbushin këto detyrime", tha ministri grek.

Që nga arritja e marrëveshjes ka rënë ndjeshëm numri i migrantëve dhe refugjatëve në Greqi. Në kulmin e krizës në vitin 2015, Detin Egje e kaluan 856.000 migrantë. Kjo shifër ra në 173.000 vitin e ardhshëm, dhe në vetëm 30.000 më 2017. Mbase për shkak të pandemisë, në vitin 2020 kjo shifër ishte vetëm 10.000.

Your browser doesn’t support HTML5

Sirianët presin hapjen e kufijve për të mbërritur në Evropë

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, disa herë ka kërcënuar me prishje të marrëveshjes. Ai dëshiron përparim në procesin e integrimit të Ankarasë në Bashkimin Evropian. Ankaraja gjithashtu dëshiron që Brukseli të bashkëpunojë me Turqinë në krizën e Sirisë, për të përgatitur rrugën që refugjatët të kthehen në atdheun e tyre të shkatërruar nga lufta.

Shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë në lidhje me Turqinë në samitin e tyre të ardhshëm më 25 dhe 26 mars.