Rusia porosit Perëndimin: Mos luaj me zjarr

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Moska e ka paralajmëruar Perëndimin që “mos të luajë me zjarr”. Ky është reagimi nga Rusia pas vendosjes së raundit të ri të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndaj zyrtarëve të lartë rusë, lidhur me helmimin dhe burgosjen e politikanit opozitar, Aleksei Navalny.

Në deklaratë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova i quajti sanksionet një “veprim armiqësor ndaj Rusisë”.

“Absurditeti triumfon kur arsyeja pas sanksioneve bazohet në ‘helmimin’ e pretenduar të (Aleksei) Navalnyt me ndonjë ‘agjent kimik të luftës’. Ky është vetëm një pretekst për ndërhyrjen e vazhdueshme në punët tona të brendshme dhe ne nuk do ta pranojmë këtë”, tha Zakharova.

“Pavarësisht entuziazmit të SHBA-së për sanksione, ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri interesat tona kombëtare dhe të kundërshtojmë çdo agresion. Ne u bëjmë thirrje kolegëve tanë që të mos luajnë me zjarr”, shtoi ajo.

Deklarata e Zakharovës vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan për vendosjen e sanksioneve.

SHIKONI EDHE: SHBA dhe BE sanksionojnë Rusinë për rastin Navalny

Uashingtoni tha se ka vendosur sanksione ndaj shtatë zyrtarëve të lartë rusë, përfshirë zëvendësshefin e stafit të presidentit, Vladimir Putin, pasi inteligjenca amerikane “me besim të madh” erdhi në përfundim se zyrtarët e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) qëndrojnë prapa helmimit të Navalnyt. Helmimi ka ndodhur në gushtin e vitit të kaluar.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë: administratorit të burgjeve federale, Aleksandr Kalashnikov, kreut të Komitetit të Hetimeve, Aleksandr Bastrykin, Prokurorit të Përgjithshëm Igor Krasnov dhe ndaj drejtorit të Gardës Kombëtare, Viktor Zolotov.

SHBA-ja po ashtu ka sanksionuar Kalanikovin dhe Krasnovin si dhe zëvendësshefin e stafit, Andrei Yarin, drejtorin e FSB-së, Aleksandr Bortnikov, zëvendësministrin e Brendshëm, përgjegjës për armatimet, Aleksei Krivoruchko dhe zëvendësministrin e Brendshëm, përgjegjës për aktivitete kërkimore, Pavel Popov.

Your browser doesn’t support HTML5

Navalny: E di kush donte të më vriste

Uashingtoni po ashtu ka vendosur kufizime të eksportit ndaj 14 palëve të përfshira në prodhime biologjike dhe kimike, përfshirë edhe katër entitete komerciale në Rusi.

Zakharova e ka akuzuar SHBA-së se po “mëson” të tjerët se si të jenë kundërproduktivë përmes fjalëve dhe veprimeve të saja.

“Në bazë të parimit të reciprocitetit, ne do të përgjigjemi, por jo domosdoshmërish me masa simetrike”, tha ajo.

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny u arrestua në Moskë në janar, pasi u kthye nga Gjermania, ku ishte trajtuar për helmim. Analizat e kryera në disa laboratorë në Perëndim, kanë ardhur në përfundim se ai është helmuar me agjentin nervor Noviçok. Në shkurt, një gjykatë në Moskë e dënoi atë me dy vjet e gjysmë burgim, për shkak të një rasti të mëhershëm lidhur me keqpërdorim fondesh.

SHIKONI EDHE: Ekspertet e OKB-së kërkojnë hetim ndërkombëtar të rastit Navalny

Navalny e ka quajtur rastin ndaj tij të motivuar politikisht dhe ka thënë se helmimi me Noviçok është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.