Reth 10,000 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania AstraZeneca dhe Universiteti i Oxfordit, pritet të arrijnë në Kosovë në ditët në vijim, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë.
Sipas saj, ky do të jetë kontingjenti i parë i dërgesave të vaksinave kundër koronavirusit, përmes programit të OBSH-së, COVAX.
"Ne po shpresojmë që kontigjenti i parë do të jetë 9,600 doza. Ideja është vetëm të fillojnë të vijnë, sepse kur të nisë ardhja, ato vijnë në periudhë të caktuar kohore dhe nuk mbesim pa to", tha Humolli.
Kosova vazhdon të jetë ende i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.
SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për vaksinën e AstraZenecas, të cilën e pret Kosova?Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.
Humolli thotë se tash për tash, askush nuk mund të japë ndonjë datë të saktë se kur do të arrijnë vaksinat pasi, siç shpjegon ajo, gjithçka varet nga prodhuesi, i cili nuk është duke mundur të prodhojë sasinë e kërkuar.
"Qasja me prodhuesin ka kohë që është e pamundshme. Andaj po mundohemi të gjejmë rrugë alternative dhe të mund të kemi kontakt me të, duke shpresuar në mekanizmin e COVAX-it dhe përkrahjen e tyre. Po shpresoj se jemi në fund të pritjes, dhe vaksinat të jenë të disponueshme", tha Humolli.
SHIKONI EDHE: Paralajmërohet rritje e rasteve të reja me COVID-19 në KosovëSipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i, 100.800 doza të kësaj vaksine.
Megjithatë, Humolli mendon se Kosova, në krahasim me vendet me të zhvilluara, është vonuar në aspektin e zotimit të mjeteve financiare te kompanitë prodhuese për sigurimin e vaksinës, jashtë programit COVAX.
"Shtetet e zhvilluara kanë bërë zotimin e mjeteve, në momentin kur ka filluar prodhimi i vaksinës. [Ne] nuk e kemi bërë këtë, sepse ne jemi mbështetur shumë në mekanizmin e COVAX-it”, u shpreh Humolli.
“As që kemi pritur që do të kemi vonesa të tilla”, ka mes tjerash ajo.
Përveç vaksinave nga COVAX-i, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër koronavirusit.
Megjithatë, kompania Pfizer/BioNtech ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende është në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një përgjigjje nga Qeveria në detyrë e Kosovës, lidhur me këtë çështje, por zyrtarët e saj nuk janë përgjigjur.
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar të premten se ka pasur një takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, për të vlerësuar situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, meqë në dy javët e fundit është shënuar rritje e numrit të të infektuarve.
Por, aty Hoti nuk ka përmendur të ketë pasur diskutime për vaksinën.
Ndryshe, autoritetet shëndetësore kanë thënë se tani kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Shefi i zyrës së UNICEF-it (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë) në Kosovë, Murat Sahin përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ka thënë se në Kosovë ka arritur dërgesa e parë e shiringave, që do të përdoren për vaksinën kundër COVID-19.
Vetëm të premten, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 445 raste me koronavirus, pas testimit të 2.570 mostrave në institucionet publike dhe ato private.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 26 shkurt janë regjistruar edhe pesë viktima.