Policia e Kosovës ka arrestuar edhe nëntë persona të tjerë që lidhen me rastin e njohur si “Subvencioni 2021”.
Policia thotë se “bazuar në hetimet e zhvilluara ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë”.
SHIKONI EDHE: Dymbëdhjetë persona të arrestuar në një aksion policor në Kosovë“Personat e dyshuar janë qytetarë të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës, dhe të njëjtit sot më 25.02.2021 janë arrestuar nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) e PK-së, ndërsa në koordinim me prokurorin e rastit janë intervistuar dhe të njëjtit janë liruar për procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Arrestimet janë kryer në komuna të ndryshme, duke përfshirë arrestimin e tre personave nga Istogu, dy nga Lipjani, një nga Ferizaji, një nga Prishtina dhe dy nga komuna e Pejës.
Një ditë më parë, më 24 shkurt, përmes një aksioni të gjerë policor, u arrestuan dymbëdhjetë persona, në mesin e të cilëve 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.
Pak kohë pas aksionit një nga të arrestuarit u lira në procedurë të rregullt.
Të arrestuarit kanë mbajtur pozita të ndryshme në kuadër të kësaj agjencie.
Dyshimet mbi ta lidhen me marrje ryshfeti.
SHIKONI EDHE: Prokuroria kërkon paraburgimin e 11 personave pas bastisjeve në KosovëGjatë kryerjes së bastisjeve policia konfiskoi një shumë të konsiderueshme parash, për të cilat kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se bëhet fjalë për rreth 400 mijë euro.
Vet ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa tha se kërkon nga organet e hetuesisë që ta çojnë deri në fund këtë rast.
“Aksionet si ky i sotmi, duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe ku drejtësia kryen punën e saj”, ka thënë mes tjerash ai.
Prokuroria kërkoi masën e paraburgimit për 11 personat që u arrestuan më 24 shkurt.