Ndërlidhjet

Prokuroria kërkon paraburgimin e 11 personave pas bastisjeve në Kosovë


Ilustrim.
Ilustrim.

Prokuroria Themelore në Kosovë ka kërkuar të enjten paraburgimin e 11 personave, pas dyshimeve për marrje e dhënie ryshfeti, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dhënie e ndihmës në kryerjen e veprave penale.

Masa e paraburgimit është kërkuar për personat e ndaluar pas një aksioni të Policisë së Kosovës më 24 shkurt në komunat Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Istog dhe Lipjan.

Në mesin e 12 personave të ndaluar nga policia më 24 shkurt, janë edhe 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.

Të ndaluarit është mësuar se kanë pozita të ndryshme brenda agjencisë.

Personat me inicialet S.Sh., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U., është kërkuar të paraburgosen pas dyshimit se kanë kryer veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Katër të dyshuarit tjerë me inicialet D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., kërkohet të paraburgosen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” derisa S.S., për “dhënie të ndihmës ndaj kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Personi me inicialet A.N., më 24 shkurt është shoqëruar në stacionin policor, por më vonë është liruar.

Në njoftimin e Prokurorisë është se përveç 433,160 eurove, policia ka konfiskuar gjatë bastisjeve edhe 600 dollarë, 200 fraga, 275 lira turke, 15 telefona, tetë vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se pret hetim të plotë pas aksionit policor.

“Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka thënë Hoti të mërkurën në një postim në rrjetin social Facebook.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG