Shtetet e Bashkuara synojnë të rishikojnë marrëveshjen e arritur me talibanët vitin e kaluar, ashtu që të vërtetojnë nëse grupi militant është duke realizuar përkushtimet e bëra sipas marrëveshjes afgane për paqe.
Jake Sullivan, këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, ka folur me homologun e tij afgan, Hamdullah Mohib, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë më 22 janar.
Sipas marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, të nënshkruar në shkurt të vitit të kaluar, të gjitha forcat e huaja do të largohen nga Afganistani në maj të vitit 2021, në këmbim të ofrimit të garancive për siguri nga grupi militant, përfshirë shkëputjen e lidhjeve me Al-Kaidën.
SHIKONI EDHE: Raporti konfidencial i NATO-s: Zgjerimi i “fuqive financiare” mund t’i bëjë talibanët “mospërfillës” ndaj presionitQeveria afgane dhe negociatorët talibanë kanë bërë përparim të vogël prej kur kanë nisur bisedimet në Katar, në vjeshtë të vitit 2020.
Ulja e shkallës së dhunës dhe thirrjet për armëpushim, kanë qenë ndër temat kyçe të diskutimit.
Sullivan ka theksuar se administrata e re Biden “do të mbështesë procesin e paqes përmes përpjekjeve diplomatike, të cilat synojnë t’iu ndihmojnë palëve të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme dhe armëpushim të përhershëm”, është thënë në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë edhe marrëveshjen e arritur në kohën e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, “për të vërtetuar nëse talibanët janë duke vepruar sipas përkushtimeve për të shkëputur lidhjet me grupe terroriste, për të ulur shkallën e dhunës në Afganistan, dhe nëse po marrin pjesë në negociata kuptimplota me Qeverinë afgane”.
Sullivan dhe homologu i tij afgan kanë diskutuar edhe “mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për mbrojtje të arritjeve të jashtëzakonshme të grave, vajzave dhe grupeve pakicë në Afganistan, në kuadër në procesit të paqes”.