Rritja e financave të talibanëve mund ta bëjë këtë grup militant imun ndaj presionit të komunitetit ndërkombëtar, teksa negocion rolin e tij në Afganistanin e periudhës së pasluftës, thuhet në një raport konfidencial të NATO-s, i cili është siguruar nga Radio Evropa e Lirë.
Talibanët “kanë arritur, ose janë gati arritjes së pavarësisë financiare dhe asaj ushtarake”, skenar që i mundëson grupit ekstremist sunit të heqë dorë nga përkushtimet kyçe që ka bërë në marrëveshjen për paqe, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim të përfundimit të luftës 19-vjeçare, paralajmëron raporti.
“Pavarësia financiare u mundëson talibanëve afganë që të vetëfinancojnë kryengritjet e tyre, pa pasur nevojë për mbështetje të qeverive apo të qytetarëve të shteteve tjera”, është thënë në raport, pas kryerjes së intervistave me zyrtarë të lartë talibanë, afganë dhe ekspertë të huaj.
“Kjo gjë u siguron talibanëve edhe marrëdhënie të vazhdueshme me grupet tjera terroriste, përfshirë Al-Kaidan”.
Talibanët kanë zgjeruar kapacitetet financiare viteve të fundit përmes rritjes së përfitimit nga tregtia ilegale e drogës, shpimet ilegale dhe eksportet, është thënë në raport, në të cilin është vlerësuar se ky grup ka fituar 1.6 miliard dollarë përgjatë vitit të kaluar financiar (që ka përfunduar në mars të 2020-ës).
Ekspertiza monetare në rritje është mbikëqyrur nga Mullah Mohammad Yaqoob, shefi i ri dhe ambicioz që menaxhon financat e grupit. Yaqoobi, i ri, djali i liderit shpirtëror të talibanëve, Mullah Mohammad Omar, është po ashtu duke synuar që të marrë udhëheqësinë e grupit ekstremist, është thënë në raport.
Qëllimi i Mullah Yaqoobit “është që të sigurojë pavarësinë për talibanët afganë, që nënkupton shfrytëzimin e potencialit të fituar në rajonet që veçse kontrollon ky grup, ashtu që ai të veprojë pa nevojën e mbështetjes së jashtme financiare, politike apo ushtarake”, ka thënë raporti.
Raporti, që është shkruar nga hulumtuesja dhe gazetarja, Lynne O’Donnell, paralajmëron që rritja e fuqisë financiare të talibanëve “mund t’i vendosë ata përtej presionit që të zbatojnë obligimet siç janë ato për ndërprerje të kontakteve me (Al Kaidën) apo grupe tjera terroriste”.
“Nëse nuk ka veprime globale, talibanët do të vazhdojnë të përbëjnë organizatë tejet të pasur, me fond të qëndrueshëm dhe mbështetje të jashtme nga shtetet rajonale”, është thënë mes tjerash në raport.
“Roli i tyre si forcë destabilizuese, jo vetëm në Azinë Jugore, mirëpo globalisht, vetëm do të rritet me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga teatri afgan, dhe ata pritet të kthehen në pushtet në nivel të barabartë në Kabul”.
Ekspertët besojnë se Yaqoob do ta mbështesë marrëveshjen për paqe, ndonëse nuk është e qartë se çfarë ndikimi në udhëheqësi të talibanëve mund të ketë procesi i paqes.
Raporti është kompletuar para nisjes së bisedimeve zyrtare për paqe në mes të talibanëve dhe Qeverisë afgane në Katar më 12 shtator.
Negociatat e shumëpritura janë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në muajin shkurt.
Sipas marrëveshjes, forcat ndërkombëtare do të tërhiqen nga Afganistani në maj të vitit 2021, në këmbim të garancive kundër terrorizimit nga ana e talibanëve, të cilët janë zotuar se do të negociojnë një armëpushim të përhershëm dhe marrëveshje për ndarje të pushtetit me Qeverinë afgane.
Zgjerimi i burimeve të parave në dorë
Mullah Yaqoob ka qenë virutalisht i panjohur deri më 2015, kur talibanët kanë pranuar vdekjen e babait të tij, Mullahut Omar, i cili pati vdekur më shumë se dy vjet më parë në Pakistan.
Prej atëherë, Mullahu amibicioz, Yaqoob, është ngritur në pozitat e talibanëve. Ai ka rritur pushtetin pas dështimit të parë për të zëvendësuar babain e tij po atë vit. Fillimisht është bërë zëvendës-lider, para se t’i ofrohej së fundmi pozita e shefit ushtarak.
Mullah Yaqoob ka arritur të sigurojë kontrollin e rrjetit, kryesisht të humbur financiar të talibanëve, duke krijuar në komision më 2016, për të maksimizuar fitimet dhe për të forcuar pozitën e tij për udhëheqje të grupit.
Nën udhëheqësinë e Mullah Yaqoob, talibanët “janë bartur qëllimisht në disa rajone të Afganistanit me burime të shfrytëzueshme minerale, dhe ashtu kanë arritur të ndërtojnë financat e tyre përtej pritshmërive”, përmend raporti.
Çelës ka qenë “ridefinimi i metodave të taksimit, dhe ndërtimi i tregjeve të eksportit me shumicë përmes marrëdhënieve paraprake me biznese, si dhe eksportimi i një morie produktesh duke nisur nga thëngjilli, kripa, dhe gurë të çmueshëm si rubini dhe smeraldet”.
Prej kur Mullahu Yaqoob ka marrë kontrollin e financave të talibanëve, grupi militant ka rritur të hyrat nga nën 1 miliard dollarë në 1.6 miliard dollarë, bazuar në intervistat që ka kryer autorja me tre zyrtarë të lartë të talibanëve, me bazë në qytetin jugperëndimor të Pakistanit, Kueta.
Ata kanë thënë se janë të lidhur ngushtë me Komisionin për financa të këtij grupi.
Këto të dhëna mbi përfitimet nën kontrollin e Mullahut Yaqoob, tregojnë se gjatë vitit të kaluar financiar, ky grup militant ka fituar rreth 464 milionë dollarë nga shpimet në tokë, 416 milionë dollarë nga droga, 240 milionë dollarë nga individë dhe shtete të huaja, 240 milionë dollarë tjerë nga eksportet, 160 milionë dollarë nga taksat dhe 80 milionë dollarë nga pasuria e paluajtshme.
Të hyrat e talibanëve prej 1.6 miliard dollarëve përputhen me shifrat e prezantuara nga Komiteti për Sanksione i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili në muajin maj ka thënë se përfitimet e këtij grupi “janë nga 300 milionë në rreth 1.5 miliard dollarë brenda vitit”.
Rritja e madhe e të hyrave është thënë të ketë ardhur nga shpimet në tokë, përkatësisht nga 35 milionë më 2016 në 464 milionë më 2020, është cituar të ketë thënë një taliban i intervisutar, i cili ka shtuar se Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë blerësit më të mëdhenj të lëndës së parë të papërpunuar.
Tregtia në mënyrë e paligjshme e opiumit ka mbetur po ashtu burim i rëndësishëm i të hyrave për talibanët. Rreth 90 për qind e heroinës në botë vjen nga Lugina e Lumit Helmand, një bazë e fortë e talibanëve në jug të Afganistanit.
Talibanët marrin taksa nga fermerët e lulëkuqeve dhe janë të përfshirë në trafikimin e narkotikëve në vendet fqinje, që më pas nisen drejt Evropës dhe Amerikës Veriore.
“Përpjekjet e Yaqoobit për të kontrolluar dhe zgjeruar financat e organizatës nënkupton se këto plane, gjithmonë bazuar te zyrtarët e tij të ngushtë, mund të arrijnë në rreth 2 miliard dollarë për vit”, thekson raporti.
Mbështetja e jashtme
Përveç perandorisë biznesore disa miliarda dollarëshe, element i rëndësishëm në kryengritjen e talibanëve ka qenë edhe mbështetja e jashtme.
Raporti konfidencial i NATO-s tregon se Mullahu Yaqoob është duke tentuar t’i japë fund varësisë përmes krijimit të fondeve të mjaftueshme financiare.
“Talibanët kanë krijuar praktikat e tyre financiare në mënyrë që të jenë të pavarur, si politikisht, ashtu edhe si entitet ushtarak”, është thënë po ashtu në raport.
Pakistani, sponsori kryesor i talibanëve, është akuzuar për një kohë të gjatë për strehim dhe ofrim të ndihmës për militantët.
Lidhjet e Pakistanit me talibanët datojnë nga vitet 1990, kur ky shtet ka ofruar armë, trajnim dhe inteligjencë për militantët. Islamabadi ka qenë vetëm një prej tri vendeve që ka njohur regjimin taliban si Qeveri të Afganistanit.
Pas rënies së regjimit më 2001, shumë liderë talibanë janë strehuar brenda Pakistanit.
Vëzhguesit thonë se Pakistani i konsideron talibanët si politikë garantuese për arritjen e qëllimeve strategjike në periudhë afatgjatë në Afganistan – instalimin e një qeverie pro-pakistaneze në Kabul dhe kufizimin e ndikimit të rivales së saj Indisë, e cila ka lidhje të ngushta me Kabulin.
Vendi tjetër fqinj, Irani, ka konfirmuar se ka kontakte me talibanët, mirëpo insiston se vetëm po sigurohet për jetën e qytetarëve iranianë në Afganistan dhe se është duke inkurajuar bisedime për paqe.
Mirëpo zyrtarët amerikanë, në anën tjetër, kanë akuzuar Teheranin se është duke ofruar ndihmë në disa mënyra për talibanët, pretendime që Irani i kundërshton.
Në një raport të publikuar në muajin nëntor, Agjencia amerikane për Mbrojtje të Inteligjencës, ka thënë se Irani ofron ndihmë financiare, politike dhe materiale për talibanët.
Rusia ka thënë se ka krijuar kontakte me talibanët viteve të fundit për shkak të kërcënimit të përbashkët nga grupi militant, Shteti Islamik, në Afganistan.
Mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë për armatosje të talibanëve, pretendim po ashtu i hedhur poshtë nga zyrtarët rusë.
Në dy vjetët e fundit, Moska ka qenë nikoqire e dy konferencave ndërkombëtare për proceset e paqes në Afganistan, duke ftuar liderët talibanë dhe anëtarët e opozitës afgane.
Në muajin korrik, mediat amerikane kanë raportuar se një njësi e inteligjencës ushtarake ruse ka ofruar të holla për talibanët, nëse ata vrasin ndonjë pjesëtar të trupave amerikane apo të atyre të NATO-s në Afganistan.
Moska dhe talibanët kanë mohuar këto raportime, të cilat janë bazuar në disa hetime të pakonfirmuara të inteligjencës amerikane.
Ndërkohë, talibanët kanë pranuar fonde të konsiderueshme nga Pakistani, Irani, disa shtete të Gjirit, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.
Një raport i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i vitit 2018 ka thënë se “rajoni i Gjirit vazhdon të jetë i rëndësishëm për talibanët si lokacion ku mund të pastrohen paratë e fituara nga droga”, përmes “një rrjeti të individëve, kompanive, xhamive, medreseve dhe fondacioneve bamirëse”.
Fondet e huaja kanë një vend të rëndësishëm në të hyrat e talibanëve dhe mund të jenë rreth “500 milionë dollarë në vit” ka gjetur BBC më 2018.
Aty është cituar një “raport i klasifikuar i CIA-s”, i vitit 2008, në të cilin është thënë se talibanët kanë pranuar 106 milionë dollarë nga burimet e jashtme “sidomos nga shtetet e Gjirit”.
“Tranzicion mes gjeneratash”
Rritja e fuqisë financiare është njëherësh tentim i Mullahut Yaqoob që t’u kthyer në lider suprem të talibanëve.
Mullahu Yaqoob ka “shfrytëzuar me shkathtësi infektimin e disa liderëve të lartë talibanë me koronavirus, për të zgjeruar kontrollin e tij në këtë organizatë”, përmend po ashtu raporti.
Lideri i talibanëve, Haibatullah Akhunzada dhe Sirajuddin Haqqani, zëvendës-lideri i talibanëve dhe udhëheqësi i rrjetit Haqqani – degë e fuqishme e talibanëve që është shpallur nga SHBA-ja organizatë terroriste – janë prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, bazuar në raportime të mediave.
Zyrtarët talibanë kanë mohuar një raport të revistës, Foreign Policy, i cili ka cituar zyrtarë të paidentifikuar të talibanëve, të kenë thënë se Mullahu Akhundzada ka qenë në kontakt me COVID-19, dhe mund të ketë vdekur teksa është trajtuar jashtë shtetit.
Mullahu Yaqoob “tani ka fuqi financiare dhe ushtarake dhe për aq kohë sa do të jetë në gjendje të mbajë këtë pozitë në periudhën e takimeve konsultuese që do të zhvillohen më vonë gjatë viti, ai ka mundësi që të bëhet lider suprem i talibanëve”, është thënë në raport.
Imazhi i të qenit djali i Mullahut Omar, po ashtu ka ngritur pozitën e tij mes komandantëve tjerë talibanë.
Megjithatë, tentimet e Mullahit Yaqoob për t’u bërë lider, mund të nxisin luftë për pushtet, përmend raporti, duke rezultuar edhe me dhunë dhe zhvendosje të “vëmendjes nga procesi i paqes me administratën e Kabulit”.
Ekspertët e përshkruajnë Mullahun Yaqoob, si pjesë të një kampi të moderuar të talibanëve, që janë në favor të negociimit për dhënie fund të luftës.
Ai përkrahet nga Mullahu Abdul Ghani Baradar, bashkëthemelues i talibanëve dhe ish-zëvendës i Mullahut Omar. Baradar, që ka kaluar disa vjet në burgjet e Pakistanit, është shef politik në mesin e talibanëve dhe ka qenë kryenegociator në bisedimet me SHBA-në që kanë rezultuar me marrëveshje.
Mirëpo raporti tërheq vërejtjen se rritja e Mullahut Yaqoob “jep shenja për një tranzicion mes gjeneratave, nga ‘garda e vjetër’ e Mullahut Omar, në një grup më oportunist, dhe ndoshta më brutal”.
Partnerë terroristë
Vetëbesimi financiar i talibanëve do të mund t’iu garantonte atyre një qasje mospërfillëse nga jashtë, paralajmëron raporti, duke shtuar se militantët mund të heqin dorë nga përkushtimet që bërë me SHBA-në për të arritur paqe.
Në marrëveshjen mes SHBA-së dhe talibanëve përfshihet zotimi që militantët t’ua ndalojnë grupeve terroriste, përfshirë Al-Kaidas, që të përdorin tokën afgane si strehë të sigurt për të organizuar sulme.
Mirëpo një raport i Pentagonit, i muajit korrik, tregon se Al-Kaida, vazhdon të mbajë “kontakte të ngushta” me talibanët, duke shtuar se rrjeti terrorist “mbështet në mënyrë rutinore dhe punon në nivel të ulët me anëtarët e talibanëve, teksa bëhen përpjekjet për të dëmtuar Qeverinë afgane, si dhe vazhdon të ketë interes për të sulmuar shënjestrat e tyre në mesin e forcave amerikane dhe perëndimore në rajon”.
Një tjetër raport i publikuar në muajin qershor tregon se Al-Kaida dhe talibanët “vazhdojnë të jenë të afërt, bazuar në shoqëri, histori të përbashkët të luftërave, simpative ideologjike dhe martesave mes dy grupeve”.
Në raportin e Kombeve të Bashkuara është thënë se talibanët “janë konsultuar vazhdimisht” me Al-Kaidën gjatë negociatave me Kombet e Bashkuara dhe kanë ofruar “garanci se do të nderojnë lidhjet e tyre historike”.
Në raportin konfidencial të NATO-s, po ashtu është thënë se talibanët kanë nisur negociatat me Qeverinë afgane “në partneritet me aleatët e tyre tradicionalë në organizatat tjera që zyrtarisht konsiderohen terroriste nga OKB-ja dhe SHBA-ja, përfshirë Al-Kaidën”.
“Talibanët e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprave se nuk kanë qëllim të ndryshojnë aleancën e tyre me (Al-Kaidën) apo organizatat tjera xhihadiste”, është thënë mes tjerash në raport.
“Si rezultat, Afganistani ka mundësi që edhe një herë të shndërrohet në hapësirë të paqeverisur, të ngjashme me atë që ka qenë para sulmeve të Al-Kaidës ndaj SHBA-së më 11 shtator të vitit 2001”.
Për të parandaluar Afganistanin nga kthimi në “hapësire të paqeverisur për xhihadizëm të dhunshëm që kërcënon rajonin dhe pjesën tjetër të botës”, raporti thotë se NATO-ja duhet të “ndalë aktivitetet përmes së cilave pasurohen talibanët”.
Raporti po ashtu i bën thirrje aleancës transatlantike që të mos heqë nga lista e të sanksionuarve e OKB-së, figurat e talibanëve dhe bashkëpunëtorët e tyre, mirëpo që të vazhdojë sanksionet, duke përfshirë edhe bizneset dhe individët që ndërmjetësojnë financimin e talibanëve dhe mbështesin tregtinë e paligjshme të produkteve afgane.
Facebook Forum