Kongresi amerikan ka certifikuar Joe Biden dhe Kamala Harris si presidentin dhe nënpresidenten e ardhshme të SHBA-së.
Ligjvënësit konfirmuan se Biden fitoi 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, krahasuar me 232 vota për presidentin aktual, Donald Trump.
Votat elektorale u miratuan pasi Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve refuzuan kundërshtimet e republikanëve ndaj votave në shtetet e Pensilvanisë dhe Arizonës.
Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar.
Presidenti aktual, Donald Trump tha se "do të ketë një tranzicion të rregullt" të pushtetit.
"Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 janar", tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.
Presidenti Trump e ka kundërshtuar fitoren e demokratit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020. Por, një sërë padish janë hedhur poshtë nga gjykatat e shteteve dhe ajo Supreme. Trump ka bërë akuza të pabazuara për mashtrime zgjedhore.
Ai u tha mbështetësve të tij të bënin presion tek zyrtarët e tyre të zgjedhur për të refuzuar rezultatet, duke i nxitur ata "të luftonin".
Katër viktima nga sulmi në Kongres
Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.
Policia e Uashingtonit thotë se katër njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në ndërtesën e Kongresit. Përveç një gruaje të qëlluar nga policia, tre të tjerë vdiqën si rezultat i "urgjencave mjekësore". Deri më tani, më shumë se 52 persona janë arrestuar - 47 prej tyre për shkelje të rregullave të izolimit.
Mediat amerikane raportuan se gruaja që u qëllua dhe u vra gjatë sulmit në Kongres ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së. Ajo mendohet të jetë qëlluar pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.
Garda Kombëtare u mobilizua për t'iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.
Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.
SHIKONI EDHE: Biden dhe Trump bëjnë thirrje për qetësi“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.
“Ne do ta certifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell.
Amendamenti i 12-të; Ligji 137-vjeçar
Procedurat për mënyrën se si mbahen zgjedhjet presidenciale përshkruhen në Kushtetutën e SHBA-së, në një amendament pasues dhe në një ligj të vitit 1887.
Anëtarët e një organi politik unik, të quajtur Kolegji Zgjedhor, zgjedhin zyrtarisht presidentin, duke hedhur votat që pasqyrojnë rezultatet e certifikuara të votave të popullit në secilin shtet dhe në Distriktin e Kolumbias.
Your browser doesn’t support HTML5
Vota e Kolegjit Zgjedhor certifikohet më pas nga Kongresi rreth dy javë përpara inaugurimit presidencial. Dita e inaugurimit, që është 20 janari, është e përcaktuar me Amendamentin e 12-të të Kushtetutës amerikane.
Seanca tradicionalisht udhëhiqet nga zëvendësi i presidentit që është ende në detyrë - në këtë rast Mike Pence.
Sipas rregullave, nënkryetari supozohet të ketë jo më shumë se një rol ceremonial - përfshirë hapjen e zarfeve që kanë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e atyre rezultateve.
Por, kësaj rradhe kjo seancë ishte larg asaj që mund të quhet ceremoniale.